Përfaqësuan Shqipërinë në botë, nderohen diplomatët nga Elbasani

Feb 28, 2013 | 12:38
SHPËRNDAJE

ELBASAN – Këshilli i Qarkut, me iniciativë të kreut të tij Eugen Isaj, ka vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” figura të shquara të Elbasanit që kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e diplomacisë, kulturës, si dhe në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Në një ceremoni organizuar ditën e djeshme, në prani edhe të familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe miqve të këtyre figurave, Isaj deklaroi se “pas disa vitesh ne bëjmë një vlerësim ndoshta të vonuar në kohë, por është më se i merituar dhe jam i bindur që do të çojë në vend dinjitetin jo vetëm të këtyre figurave, por edhe të familjarëve të tyre, duke i nderuar ata me titullin ‘Mirënjohje e Qarkut Elbasan’”. Një prej tyre është diplomati Ilia Janku, i shquar për kontributin e tij si ambasador në shtetin e Kilit dhe të OKB-së para viteve 1990. Gjithashtu, ai punoi si konsull në Nju Jorku në vitin 1980. Janku kujtohet edhe për meritat e tij si sportist elite, ku shquhet për numrin rekord të golave të shënuar asaj kohe edhe si kapiten skuadre. Në nder të tij, një rrugë në qytetin e Elbasanit mban emrin Ilia Janku. Titulli është dhënë dhe për Ljublin Diljan, doktorin e shkencave, i cili ka qenë ambasador në SHBA dhe deputet. Diplomati tjetër i nderuar dje ishte Kujtim Myzyri, ambasador ynë në Argjentinë (1974-1979), i cili ka përfaqësuar Shqipërinë dhe në Peru e Meksikë. Vlerësimet e qarkut kanë vazhduar për Abdyl Xhajën, i cili ka ushtruar detyrën si ambasador dhe zv.ministër i Energjetikës. Në vitet 1991-1992 ai ka qenë zv.kryeministër dhe ministër në Qeverinë Teknike. Nezir Muzhaqi është ndër intelektualët dhe nacionalistët e shquar që dhanë kontributin në Luftën Antifashiste. Me gjithë përkushtimin e tij, regjimi i kaluar e persekutoi dhe më 4 gusht 1945 e varën në Rrapin e Babollës në Elbasan, duke prerë në mes jetën e një nacionalisti dhe intelektuali të ri shembullor. Titulli i fundit është dhënë për Sadi Halilin, për kontributin e shquar në fushën e artit dhe të kulturës në rrethin e Librazhdit. Për periudhën 40-vjeçare si krijues ai ka vënë në skenë rreth 70-80 valle me motive të trevave të Librazhdit, si dhe të rretheve dhe krahinave të tjera.       m.s

Titujt
.    Ilia Janku
.    Ljublin Dilja
.    Kujtim Myzyri
.    Abdyl Xhaja
.    Nezir Muzhaqi
.    Sadi Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura