Përdhunoi të miturën, ridënohet i moshuari

Dec 29, 2011 | 11:56
SHPËRNDAJE

TIRANE – Gjykata e Tiranës dënoi me 4 vjet burg të pandehurin Sherif Kovaçi, i akuzuar për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. I pandehuri Sherifi u rigjykua në Gjykatën e Tiranës, në zbatim të një vendimi të Apelit të Tiranës, që prishi dënimin me 6 vjet burg ndaj tij, dhënë nga Shkalla e Parë në maj 2010. Sipas Gjykatës, Kovaçi është autori i përdhunimit të një vajze me zhvillim të vonuar mendor. Ngjarja në fjalë është shënuar më 14 tetor të vitit 2010 në Tiranë. E dëmtuara K.J., e cila është e paralizuar dhe me zhvillim të vonuar mendor, qëndronte në këtë kohë si lypëse mbi një karrocë paraplegjikësh, në një nga rrugët e zonës së “ish-Bllokut”. “Përpara orës 13:30 është afruar i pandehuri Sherif Kovaçi, të cilin e dëmtuara kishte rreth një vit që e njihte, pasi i pandehuri mblidhte kanoçe në këtë zonë. I pandehuri Sherif Kovaçi i ka thënë të dëmtuarës K.J. se kishte nënën të sëmurë e të shtruar në spital dhe i ka kërkuar të dëmtuarës që të hipte në taksi për ta çuar në spital, tek nëna e sëmurë. E dëmtuara K.J. e ka besuar dhe ka hipur në taksinë e porositur nga i pandehuri. I pandehuri Sherif Kovaçi e ka dërguar në një vend të panjohur të dëmtuarën, ku ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, Sherifi u dënua me 6 vjet burg. Për shkak se gjykimi i tij u bë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, përfundimisht masa e dënimit u vendos 4 vjet burg.                            ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura