Përçahet mazhoranca e Thaçit

Feb 26, 2011 | 11:36
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, njëherësh anëtar i përhershëm i kryesisë së PDK-së, ka akuzuara liderin e partisë së tij, Hashim Thaçi, për totalitarizëm. Në një emision televiziv, Krasniqi e ka quajtur presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacollin, “të papërshtatshëm, të zgjedhur pa vullnetin e qytetarëve dhe me vota të presionit”. Sipas Krasniqit, mënyra e zgjedhjes së Pacollit president, ishte frikësimi i deputetëve prej Thaçit me heqje nga lista, nëse nuk votonin të zgjedhurin e tij. Krasniqi pohoi se është shkelur Kushtetuta në këtë rast dhe se vullneti i deputetëve të pranishëm ishte ai i raundit të parë të votimit, vetëm 54 vota. Duke mos reshtur me akuza, Krasniqi tha në “Kohavizion” se kriza brenda PDK-së është bërë e pashmangshme me rastin Pacolli, duke e akuzuar drejtpërdrejt Thaçin, por edhe kryetarët e komunave që e mbështetën, si zgjedhje për interesa të tyre vetjake. Kryeparlamentari shtoi se kishte preferuar që më parë të shkohej në zgjedhje të jashtëzakonshme se sa të shkohet drejt një krize institucionale disavjeçare me AKR-në. “Do t’i vëzhgojmë punët e kryeministrit dhe të presidentit, madje dhe do të kërkojmë dorëheqjen e tyre, në rast se nuk funksionin rendi dhe ligji”, tha numri një i Kuvendit. Ai theksoi se është koha që PDK-ja të mbajë kuvendin zgjedhor, ndërsa është shprehur me ironi ndaj “parashutistëve” që kanë aderuar në PDK kohët e fundit, duke i cilësuar si poltronë të kryeministrit Thaçi dhe interesaxhinj.
“Gati për në Kushtetuese”
Akuzave të ditëve të fundit mbi parregullsi në procesin e votimit të Presidentit të Kosovës dhe shkelje të Kushtetutës, Behgjet Pacolli u është përgjigjur me gatishmërinë për t’iu përgjigjur Gjykatës Kushtetuese, nëse një gjë e tillë kërkohet prej tij. Pacolli ka shprehur bindjen se përfaqëson unitetin e popullit, pasi është zgjedhur me 90 për qind të votave të deputetëve që kanë qenë të pranishëm në sallë. Ky ishte reagimi i parë i presidentit të ri të Kosovës mbi çështjen e sms-ve në sallën e Kuvendit, ku përmendej emri i ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Çështjen e sms-ve, ai i ka quajtur komunikim privat mes tij edhe këshilltarit të tij, Essad Puskar. I pyetur mbi faktin pse ka kërkuar instruksione nga ambasadori Dell, se çfarë duhet të bëjë në Kuvend, ai është përgjigjur se “për këtë ekzistojnë këshilltarët”. Ndërkohë, në një intervistë për portalin “Swissinfo”, Pacolli ka deklaruar se dëshiron “që bashkëkombësit e mi të harrojnë të kaluarën dhe urrejtjen kundër serbëve dhe të pranojnë multietnicitetin. Kjo do të jetë vështirë, për këtë jam i vetëdijshëm, por në bashkëpunim me kryeministrin dhe Qeverinë, unë do të arrij këtë”, për të mbyllur kapitullin e krimeve të luftës.

Prishtinë, aksidentohet eskorta e Presidentit

Eskorta e presidentit të ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, pësoi dje një aksident, i cili për fat të mirë nuk ka pasur pasoja për askënd. Thuhet se kreu i Republikës së Kosovës nuk ka pësuar asnjë dëmtim fizik dhe as gjendje shoku, pasi aksidenti ka qenë fare i lehtë. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të një mense studentësh në Prishtinë. Sipas mediave të Kosovës, shkak i këtij aksidenti ka qenë mungesa e ruajtjes së distancës së sigurisë mes makinave.

Thaçi takon të dërguarin e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua dje me Robert Kuper, zyrtar i lartë në kabinetin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Katerin Ashton. Tema e bisedimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi. Zyra për shtyp e Kryeministrisë njofton se të dy zyrtarët kanë rënë dakord që bisedimet të përqendrohen në çështjet praktike, që do të lehtësonin jetën e qytetarëve të dy vendeve. Thaçi ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për plotësimin e axhendës evropiane dhe fqinjësinë e mirë.

Jeremiç: Ndarja e Kosovës, opsion nga ndërkombëtarët

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se “Ka gjithnjë e më shumë njerëz në qarqet ndërkombëtare, të cilët e shohin se projekti i imponimit të pavarësisë së Kosovës ka rënë në vështirësi dhe se është e domosdoshme të gjendet ndonjë zgjidhje kompromisi. Shumë prej tyre konsiderojnë se ndarja mund të ishte një nga opsionet”, tha Jeremiç në shtypin serb. Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe rezolutës së OKB-së, Serbia ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike për të bindur sa më shumë vende “për pikëpamjet e saj të drejta”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura