Për një ekuilibër të ri të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi

Dec 13, 2017 | 11:26
SHPËRNDAJE

dritan hotiDRITAN HOTI

Ndërtimit të shtetit-komb modern i detyrohet po aq sa formalizmi i marrëdhënieve ndërkombëtare, sa edhe kompleksiteti  i krizave, konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të mëdha të epokës moderne. Ngritja më e hershme nga kombe të ndryshme e shtetit respektiv, të njohur nën emërtimin e shtetit-komb, jo vetëm që nuk u shënjua nga pastërtia etnike, por inkorporimi në një shtet-komb i segmenteve të caktuara të një etnie të ndryshme nga shumica dominuese përbënte dhe ende vazhdon si “mollë sherri” midis kombeve përgjatë historisë moderne.

Këto lloj përplasjesh morën kështu trajtën e një lloj hakmarrjeje historike pasi u karakterizuan nga një dukuri ciklike. Sapo popujt e vonuar në procesin e konturimit të shtetit-komb përkatës e kapën ketë proces historik, i gjithë potenciali i aksionit të tyre u përqendrua në rikuperimin e etnisë së pretenduar apo krahinës, në të cilën ajo shtrihet. Mund të rendisim me shumicë, raste krizash analoge duke nënvizuar ato më spikatëse të kontinentit tonë: ai i Alsas-Lorenës, përcaktuese në konfliktin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, ai i Italisë me Perandorinë Austriake apo ai i Rusisë me Ukrainën diktuese në ravijëzimin e shtetit-komb modern ukrainas; apo midis Shqipërisë, e thënë më mirë shqiptarëve, të cilët ndodhen në një etapë të rëndësishme të evolucionit të tyre kombëtar dhe fqinjëve rrethues, për vetë specifikat që ky proces mbart.

Të një natyre disi të ndryshme paraqitet kompleksiteti i marrëdhënieve shqiptarogreke, të cilat meritojnë një shqyrtim objektiv në dritën e negociatave diskrete, por shumë të diskutuara të Kretës për stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve shumë të vjetra, të ngjashme në karakteristika, por që proceset historike iu kanë imponuar një realitet të vështirë.

Pikënisja e vështirësive në marrëdhëniet shqiptarogreke e ka zanafillën në krijimin e shtetitkomb grek, 1830, teksa grekët dhe shqiptarët, në etapat e së shkuarës historike, duke u nisur me antikitetin e largët e duke kaluar nëpër mesjetën e zhveshur nga përkufizimet territoriale të shtetit-modern si dhe përgjatë koekzistencës së periudhës otomane, kishin jetuar në paqe me njëritjetrin. Përfshirja e territoreve të caktuara të Shqipërisë së jugut brenda rrezes së objektivit të doktrinës kombëtare greke: Megalide-së, e cila, pothuajse përgjatë një shekulli, synonte rindërtimin e një shteti të tipit bizantin me epiqendër detin Egje, Kostandinopojën si kryeqytet si dhe rezistenca shqiptare përkundrejt tentativave ciklike të fqinjit jugor, na ndihmon në kuptimin më së miri të vështirësive ndërmjet dy vendeve fqinjë.

Ndërkohë, integrimi i disa fshatrave të populluar nga banorë të etnisë greke dukej sikur u shërbente edhe më tepër kë- tyre synimeve. Historia na mëson se kombeve të vogla, që janë të mbrujtura nga përcaktime të mëdha kombëtare, për të qenë të suksesshme iu nevojitet domosdoshmërisht një investim i duhur ndërkombëtar si dhe një simetri midis sipërmarrjes kombëtare me investimin korrespondues kombëtar.

Në rast se Jugosllavia, në optikën e diplomacisë së një pjese të fuqive europiane justifikohej në rëndësinë e misionit të asaj, pra, atë barrierë penguese për shtrirjen e dominimit të shteteve gjermanike në Ballkan; Greqia nuk e gëzonte këtë privilegj si dhe investimin e duhur ndërkombëtar, i cili rezultoi determinues në rastin e Jugosllavisë. Ndërsa jetëgjatësisë së Jugosllavisë i duhej sakaq konstelacioni i favorshëm ndërkombëtar, sapo kjo simetri u përmbys, mbizotëroi natyra artificiale e këtij shteti, e cila u shoqërua nga një shpërbërje dramatike.

Greqia, e zhveshur nga kjo premisë, nuk ia doli t’i përmbushte objektivat e saj kombëtare duke ruajtur gjithsesi të paprekur ekzistencën e shtetit-komb që prej 1830. Kompleksiteti i marrëdhënieve shqiptaro-greke i ka përshkruar etapat e tij përgjatë një shekulli, duke nisur me tentativat e pasuksesshme ushtarake, që pasoi krijimin e shtetit shqiptar, në një periudhë të një “bonne entente” gjatë ’20-’30-të duke u përkeqësuar si rrjedhojë e sulmit italian 1940 kundër Greqisë, përgjatë të cilit u përdor territori i pushtuar shqiptar prej italianëve, nga ku buron edhe i “famshmi” ligji i luftës i shpallur nga Greqia përkundrejt Shqipërisë.

Zigzaget e raporteve përgjatë çerekshekullit të fundit si dhe çështja e hapësirës detare, rezultat i një procesi negociatash të paqarta, përbëjnë peizazhin e raporteve aspak të thjeshta midis Shqipërisë dhe Greqisë, të parashtruara për zgjidhje në bashkëbisedimet diskrete të Kretës, që me të gjitha gjasat, janë zhvillim dhe do të rishqyrtohen përgjatë vizitës së shefit të diplomacisë greke Kotzias në muajin e ardhshëm në Tiranë. Finaliteti i këtyre bisedimeve asociohet qoftë me kontekstin ndërkombëtar, i cili ka gjeneruar tashmë një realitet të ri rajonal.

Konteksti aktual rajonal nuk i kufizon marrëdhëniet shqiptaro-greke në një rrafsh bilateral, por i shtrin ato si të ndërlidhura me problematikat e pjesës lindore të Mesdheut, i cili, ndërkohë, e vendos në kontakt Europën me Afrikën Veriore si dhe me Azinë, nëpërmjet Lindjes së Mesme. Diktatori, me origjinë arvanitase i Greqisë, Teodoros Pangalos, e kishte kuptuar si rrallëkush rëndësinë e Shqipërisë, në këndvështrimin e ushtarakut dhe shtetarit grek, kur shkruante: “Raportet e stabilizuara të Greqisë me Shqipërinë janë garancia më e mirë për rreziqet që mund t’i vinin Greqisë nga pjesa veriore e saj”.

Për më tepër në kontekstin e tanishëm, kur Greqia mban raporte të tendosura me fqinjët e saj rrethues, një marrëdhënie normale përbën një domosdoshmëri strategjike për të”. Konteksti botërorja i bashkëngjitet peshën e marrëdhënieve shqiptaro-greke jo vetëm rëndësisë së sipërpërmendur, asaj së konstelacionit të Mesdheut lindor, por edhe tendencave të sistemit aktual ndërkombëtar, të përshpejtuara nga globalizimi.

I konsideruar si tokë influencash dhe rivalitetesh, status të cilin Ballkani e gëzon të pandryshuar edhe sot, fuqitë e mëdha, te të cilat përsosmëria teknologjike e dhuruar nga globalizimi nuk ndalon aspak, ato të ushtrojnë një aksion dhe stil diplomacie të tipit tradicional duke synuar që edhe në Ballkan, sikundër edhe në rajonet e tjera gjeopolitikisht sensitive, të ndërtojnë një kordon shtetesh aleate, mbi të cilat mund të mbështesin aplikimin e skemave të tyre.

Kjo është një ndër arsyet kryesore të investimit dhe mbështetjes amerikane mbi faktorin shqiptar, ndërkohë që Rusia i piketon aleancat e saj mbi elementet e përbashkëta etnike dhe fetare. Ndërsa investimi amerikan për Shqipërinë shkon, në pamundësi të një aksioni të koordinuar kombëtar nga ana e shqiptarëve, për arsye komplekse, nga zhbllokimi i çështjes shqiptare në shëndoshjen, së bashku me fuqi të tjera të interesuara europiane, siç është Gjermania, e organizimit të brendshëm politik të Shqipërisë, nëpërmjet implementimit të një reforme transformuese në drejtësi.

Si rrjedhojë, përmirësimi dhe përshpejtimi ekonomiko-institucional i Shqipërisë do t’i frymëzonte elementët shqiptarë të shtrirë përtej kufijve përbërës të Shqipërisë, të kërkojnë të përthellojnë lidhjen kombëtare me Shqipërinë duke e bërë të pashmangshëm faktorin shqiptar për ekuilibrat që lidhen me stabilitetin në Ballkan, duke përfshirë edhe Greqinë. Greqia nga ana e saj ka qenë pjesë pjese “de jure” e bllokut perëndimor që në fillimet e tij.

Konceptimi i shtetit-komb modern grek, në të cilin një rol thelbësor në ruajtjen e idesë së helenizmit aktual ka luajtur edhe kisha ortodokse, e cila nga ana tjetër, nëpërmjet normave dogmatike, ka frenuar në një farë mase realizmin që i nevojitet ushtrimit të diplomacisë. Influenca e saj e përzierë me zhgënjimet e momenteve dramatike në historinë moderne të Greqisë, paraqet peizazhin politik të Greqisë nën një formë ambiguiteti: Nga njëra anë shpërthimet e herëpashershme nga segmente të shoqërisë greke përkundrejt perëndimit si dhe nga ana tjetër, interesi i elitave drejtuese politike për të ruajtur praninë e Greqisë si anëtare e klubit perëndimor.

Duke parë tendencat e botës sonë, në një moment të caktuar, Greqisë do t’i duhet të bëjë zgjedhjen vendimtare për përkatësinë e saj. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke, në evolucion e sipër, kalon nëpër një mori hallkash, ai bilateral me atë rajonal, por edhe më gjerë, të gjitha të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Me qëllim që në përmbyllje të këtij procesi të përvijohet një ekuilibër i munguar në raportet midis dy vendeve, lipset që të kalojë etapë pas etape, i përbërë: nga reciprociteti, lëshimet e arsyeshme dypalëshe, me një fjalë, kompromiset e duhura, kthjelltësia dhe vizioni; ky i fundit tingëllon domosdoshmërisht i veçantë duke lënë hapur mundësinë e kapërcimit nga një ekuilibër në një realitet të ri midis Greqisë dhe faktorit shqiptar. Greqia në këtë proces gëzon një avantazh: atë të orientimit dhe zgjedhjeve të saj, për t’i shërbyer pikësëpari ajo vetë interesit të saj kombëtar.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura