Pendohet Brahimi, por tani FSHF-ja e refuzon

May 31, 2013 | 12:38
SHPËRNDAJE
Mërgim Brahimi

Mërgim Brahimi, mesfushori kosovar që luan te skuadra e Grasshoperit të Zvicrës, është penduar që braktisi Shqipërinë dhe zgjodhi Zvicrën. Pak kohë më parë ai ka kontaktuar zyrtarët e FSHF-së dhe u ka bërë të qartë se është penduar që zgjodhi Zvicrën, por përgjigjja ka qenë negative. Mësohet se përgjegjësi i zyrës së talenteve, Redi Jupi, i ka komunikuar lojtarit se nuk mund të kthehet te Shqipëria, pasi nuk mund ta përdorë përfaqësuesen kuqezi për interesa personale. Lojtari ka thënë se nuk pretendon të luajë në përfaqësuesen “A”, por është i gatshëm për të luajtur edhe me Kombëtaren U-21, por kjo gjithsesi nuk i ka bindur zyrtarët e Federatës. Trajneri i Shqipërisë U-21, Skënder Gega, ka pohuar kontaktet me Brahimin së fundi dhe ka deklaruar se për lojtarin tashmë është marrë një vendim. “Po, është e vërtetë se lojtari ka shfaqur shenja pendese, por me Kombëtaren duhet seriozitet dhe vendosmëri. Nuk mund të sillemi në këtë mënyrë me fanellën e Shqipërisë, që është e shenjtë për çdo shqiptar. Për mua është kapitull i mbyllur”, ka deklaruar për “Panorama Sport” trajneri i Shpresave. Më 1 shkurt të këtij viti mesfushori Mërgim Brahimi vendosi të pranonte ftesën e bërë nga Zvicra, edhe pse deri në atë kohë kishte luajtur 8 ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë dhe një ndeshje me Kombëtaren e madhe. Vendimi i tij revoltoi tifozët dhe vetë stafet e skuadrave. Pas kësaj Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi një rregull, sipas të cilit nëse një futbollist refuzon grumbullimin në përfaqësuese, ai nuk mund të rikthehet më në asnjë rrethanë, edhe nëse do të jetë shumë i nevojshëm për skuadrën. Sakaq, kujtojmë se rreth një muaj pas largimit të Brahimit drejt Kombëtares së Zvicrës, një tjetër talent i Shpresave braktisi Shqipërinë. Bëhet fjalë për Elvis Kabashin, që aktivizohet te të rinjtë e Juventusit. Ky i fundit, nëpërmjet një letre, komunikoi se nuk dëshironte të përfaqësonte Shqipërinë në të ardhmen.

Xhaka vishet kuqezi, e  konfirmon edhe babai
Para tri vitesh zgjodhën Zvicrën para Shqipërisë, kurse sot njëri nga ata mund t’i kthehet sërish Kombëtares kuqezi. Granit Xhaka vazhdon të luajë për Zvicrën, kurse vëllai i tij, Taulanti, mund të luajë për Shqipërinë. Lajmin e konfirmon vetë babai i tij, sipas të cilit, ka qenë trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, ai që e ka ftuar djalin e tij të luajë për kuqezinjtë. Ragipi në intervistën për “Sport Plus”, flet edhe për deklaratat kundër Armand Dukës, të cilin e kishte quajtur mafioz. “Taulanti definitivisht është kthyer në Bazel nga Grasshopersi. Ai do të jetë një ndër lojtarët kyçë në mbrojtjen e Bazelit. Më 20 qershor do t’i bashkohet kësaj skuadre. Mirëpo, derisa ta bëjë zyrtare Shqipëria, unë nuk dua të flas më shumë. Taulanti i ka thënë ‘po’ Shqipërisë. Momentalisht është duke shkuar një procedurë përmes FSHF-së”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura