Pedagogu 25 vjeç në pranga, mori 15 mijë lekë për provim

Apr 30, 2014 | 13:42
SHPËRNDAJE

Pedagogu i arrestuar Fatmir Çeka
Arrestohet në vitin e dytë të detyrës pedagogu i Matematikës në universitetin e Peshkopisë. Fatmir Çeka u prangos rreth mesnatës së të hënës në banesën e tij, në Xibër të Matit, me akuzën e korrupsionit. Efektivët e Komisariatit të Policisë Dibër kanë vënë në pranga 25-vjeçarin Fatmir Çeka, me detyrë pedagog i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, filiali Peshkopi. Burime pranë Drejtorisë së Policisë bënë me dije se nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, duke qenë në detyrën e pedagogut të jashtëm, u merrte studentëve të Peshkopisë shuma të konsiderueshme parash për çdo provim. Sipas të njëjtave burimeve, profesori u kërkonte në këmbim të notës kaluese për një provim shuma që arrinin deri në 15 mijë lekë të rinj. Mësohet se janë arritur të identifikohen dhe dokumentohen nëntë raste kur profesori 25-vjeçar u kishte marrë studentëve të këtij universiteti paratë, kryesisht në sezonin e mbyllur dy muaj më parë. “Pedagogu i lëndës së Matematikës i merrte vetë lekët nga studentët dhe jo nëpërmjet sekserëve. Prej muajsh ai survejohej nga policia lokale, ndërkohë arrestimi ka ardhur pas deklarimeve të studentëve dhe prindërve që kanë paguar këto shuma për një provim. Çeka nuk ka pranuar dje të dëshmojë për oficerët e Policisë Gjyqësore, duke kërkuar një avokat mbrojtës”, sqaruan zyrtarë të Policisë Dibër. Pedagogu i jashtëm vinte nga Xibri i Matit në Peshkopi për të dhënë lëndën e vështirë të Matematikës. Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “mashtrim”. Materialet procedurale në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme, ndërkohë po punohet për identifikimin dhe dokumentimin edhe të rasteve të tjera korruptive në të cilat dyshohet se ky pedagog ishte implikuar. Pritet që të merret dhe dëshmia e vetë pedagogut të ri, emri i të cilit nuk ishte përmendur më parë për të tilla abuzime.

PESHKOPI/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura