PDIU në sheshin e Flamurit, Idrizi: Të krijojmë një Parlament mbarëkombëtar

May 31, 2013 | 12:00
SHPËRNDAJE
Shpëtim Idrizi

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet hapi dje fushatën elektorale në Vlorë në sheshin e Flamurit, ku prezantoi edhe kandidatin për deputet, Dashamir Tahiri. Duke folur për programin e PDIU-së për katër vitet e ardhshme, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, tha se shtylla kryesore është bashkimi kombëtar nga Preveza në Mollë të Kuqe. “Sot ne duhet të ngremë infrastrukturën e bashkimit; të krijojmë një Parlament mbarëkombëtar, pavarësisht kufijve, me deputetë nga të gjitha trojet, që të mblidhen minimalisht një herë në vit për të diskutuar çështjet e përbashkëta kombëtare. Në këtë Parlament të marrin pjesë diaspora dhe shoqata ‘Çamëria’. Gjithashtu duhet të nisë puna për krijimin e bashkësisë së komunave e bashkive shqipfolëse nga të gjitha trojet, përfshi këtu edhe komunat arbëreshe”, u shpreh Idrizi. Gjatë këtij takimi elektoral kreu i PDIU-së kujtoi se 52 vjet më parë regjimi komunist pushkatoi pesë djem nga Çamëria dhe burgosi shumë të tjerë. “Më lejoni t’ju them se ne e keqja nuk na mundi: E ja ku jemi në këtë shesh më të fortë se kurrë dhe dëshmi e gjallë që gjaku i tyre nuk do shkojë kot. Ne s’na mundi dot as greku e as komunizmi. E ndihemi sot më të bindur se kurrë se ne do t’ia dalim”, tha më tej Idrizi. Nga ana e tij, kandidati për deputet i PDIU-së për qarkun e Vlorës, Dashamir Tahiri, premtoi para elektoratit se “puna e nisur katër vite më parë, rezultatet e së cilës janë të dukshme nga të gjithë, do të vijojë me intensitet më të madh në vitet e ardhshme”. Ai u kërkoi mbështetësve që të votojnë PDIU-në në mënyrë që kjo forcë politike të çojë në Parlamentin e Shqipërisë 7 deputetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura