PD: Tryeza e PS-së për Drejtësinë, propagandistike

Oct 31, 2011 | 10:35
SHPËRNDAJE

Ilir Rusmaili

“Pjesëmarrja e gjyqtarëve e prokurorëve, me urdhër të shefit”.

Partia Demokratike e quan veprimtari propagandistike tryezën e thirrur të premten nga opozita për reformimin e sistemit të Drejtësisë. Në një konferencë për shtyp, deputetët e djathtë në Komisionin e Ligjeve shprehen se reforma bëhet në Parlament. “Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve nuk pajtohen me këtë vizion të mbrapshtë antireformë. Deputetet demokratë të Komisionit të Ligjeve janë të sigurt se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqje të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë. Reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetëmohim. Reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent. Atje ne presim kolegët tanë socialistë, që me të njëjtin shpirt si ne të japin mendimin, kontributin, vizionin dhe votën e tyre në të mirë të vendit dhe të integrimit”, thuhet në një deklaratë për shtyp të anëtarëve të PD-së në Komisionin e Ligjeve. Në të njëjtën kohë, ata shprehen se takimi i të premtes do të ishte shpresëdhënës, nëse Rama do u kishte kërkuar më parë falje shqiptarëve për bllokimin trevjeçar të reformimit të sistemit të Drejtësisë. Anëtarët e djathtë kanë kritikuar ashpër edhe përfaqësuesit e prokurorisë dhe gjykatave që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të PS-së. “Në fakt, zoti Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve integruese të Shqipërisë. Dallimi i vetëm është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbra të PS në gjirin e drejtësisë. Jo më kot ndërhyrjet më të zëshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Përgjithshme, zotit Shkëlqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (me sa duket me urdhër të shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shtetëror”, thuhet më tej në deklaratë.

Tryeza
Partia Socialiste organizoi të premten e kaluar një tryezë për reformën në sistemin e Drejtësisë. Në këtë takim, përfaqësues nga Gjykata e Lartë, shoqata e prokurorëve dhe shoqëria civile hodhën ide për ndryshime në ligjet që rregullojnë funksionimin e institucioneve të Drejtësisë. PS-ja në këtë tryezë kishte thirrur edhe Kryeministrin Sali Berisha, Kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe kreun e Grupit të PD-së, Astrit Patozi, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm.

Rama: Nuk do reshtim së ofruari ide europianizuese

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka vlerësuar si brutal reagimin e PD-së për tryezën e organizuar nga opozita për reformimin e sistemit të Drejtësisë. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zyra e PS-së, thuhet se “Nëse mungesa e palës së tyre në atë tryezë ishte e pajustifikuar, ky reagim është i pajustifikueshëm. Megjithatë, Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mospërsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë. Se kush e ka përgjegjësinë kryesore për dy dështimet rresht, këtë e thotë qartë progres-raporti dhe e shpjegoi me një elokuencë të admirueshme ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës vetëm pak ditë më parë”. Sipas opozitës, nuk duhet humbur kohë dhe energji me fajësime. “Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kemi ofruar një pakt dhe s’do rreshtim së ofruari ide europianizuese dhe përkushtim patriotik. Shqiptarët le të bëjnë dallimin. Ky është rasti për t’i falënderuar të gjithë kontributorët e nderuar të Tryezës dhe të gjithë partnerët e miqtë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën pa asnjë përjashtim ftesës së deputetëve tanë të Komisionit të Ligjeve për të qenë të pranishëm. Së shpejti ne do të publikojmë Raportin e Tryezës me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve”, thuhet në deklaratën e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura