PD: Rama do të shtyjë ligjin për largime masive nga puna

Sep 30, 2013 | 12:13
SHPËRNDAJE

Oerd Bylykbashi
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha dje në një konferencë për shtyp se shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil i jep dorë të lirë maxhorancës për të nisur shkarkimet nga puna. Sipas nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, njëri prej neneve të ligjit të miratuar me konsensus në fund të muajit maj parashikonte një periudhë tremujore mbrojtjeje për punonjësit e administratës. “Kur na ndajnë më pak se 36 orë nga hyrja në fuqi e Ligjit për Nëpunësin Civil, Rama po tenton në mungesë të plotë transparence të shkelmojë konsensusin e arritur për këtë ligj, që u votua me votë unanime dhe të shtyjë datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, tha deputeti demokrat. Sipas tij “Ligji i ri, me një dispozitë të veçantë, përkatësisht nenin 68, ndalon marrjen dhe largimin nga puna gjatë periudhës 3-mujore që i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit. Ky nen i ka shtrirë tashmë efektet mbrojtëse nga data 1 korrik, deri nesër, më 30 shtator. Ky ndalim i vendosur me konsensus synon të pengojë pikërisht atë që Rama ka në plan: spastrimin arbitrar dhe politik të shërbimit civil”. Bylykbashi theksoi se duke shtyrë datën e hyrjes në fuqi, maxhoranca kërkon të rrëzojë mbrojtjen 3-mujore që jep ky nen. “Ky është motivi i vetëm. Rama kërkon ta shtyjë dhe jo ta zbatojë ligjin, pasi kërkon dorë të lirë për të larguar masivisht nga puna nëpunësit civilë të kualifikuar dhe të trajnuar. PD denoncon këtë përpjekje antikushtetuese, që synon gjymtimin e shërbimit civil. Kushtetuta ia ndalon qeverisë të ndryshojë me akte normative ligjet që kjo Kushtetutë detyron të miratohen me konsensus me 3/5-at e votave. Gatishmëria për të shkelur Kushtetutën dhe shkelmuar konsensusin është një alarm për stabilitetin jo vetëm të administratës publike, por të vendit në tërësi”.

Braçe: Dy arsyet e shtyrjes së ligjit
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, thotë se ka dy arsye për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësit civilë. Sipas tij, arsyeja e parë është fakti se qeveria nuk ka miratuar aktet nënligjore për zbatimin e tij. “Po e pyes direkt Sali Berishën ke hartuar dhe lënë gati për miratim ndonjë nga aktet e përmendura në ligj e që e bëjnë atë të zbatueshëm? Po jua them unë: asnjë”. Arsyeja e dytë, sipas Braçes, është fakti që ligji parashikon Ministrinë e Brendshme si autoritet përgjegjës për administratën publike, ndërsa qeveria e re ka ngritur një ministri tjetër për nëpunësit civilë. “Edhe një gjë e fundit, ligji në fjalë përcakton ministrin e Brendshëm si autoritet përgjegjës për administratën publike. Kuvendi, me miratimin e programit dhe përbërjes së qeverisë ka vendosur që: Qeveria ka në përbërje të saj një ministër të posaçëm-ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike. Ja dhe një arsye tjetër përse ligji është i pazbatueshëm dhe kërkon ndryshim”, deklaroi më tej deputeti socialist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura