PD, në Kushtetuese kundër rritjes së borxhit

Nov 30, 2013 | 10:23
SHPËRNDAJE

Halimi duke dalë nga Gjykata Kushtetuese
Pas kërkesës për kompetencat e INUK, PD-ja ka kundërshtuar dje në Gjykatën Kushtetuese edhe aktin normativ të qeverisë për të ndryshuar buxhetin e vitit 2013, ku rritet në masën 68.6% niveli i borxhit. Sipas demokratëve: “Rritja e borxhit publik me 68.6% bëhet me arsyen për të mos mbledhur të ardhura dhe për të lënë një situatë kaosi në administrimin e taksave. Kjo situatë shkakton ngadalësim të rritjes ekonomike dhe mund të passjellë recesion të ekonomisë shqiptare. Ulja e nivelit të borxhit dhe jo rritja e tij ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, për shkak se niveli i lartë i borxhit përbën një rrezik të madh për rritjen ekonomike”.

Deputetët e PD-së, të cilët kanë firmosur kërkesën për shpalljen si antikushtetues të aktit normativ, shprehen se rritja në kushte papërgjegjshmërie e nivelit të borxhit tej kufijve normalë dhe të aplikuar kurrë më parë, rrezikon stabilitetin makroekonomik të vendit, si dhe rritjen ekonomike. Sipas PD-së: “Rritja e borxhit bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës, veçanërisht parimin e sigurisë sociale dhe ekonomike të individit, si dhe garantimin e interesit publik nëpërmjet sigurimit të mirëqenies ekonomike dhe sociale të brezave të sotëm dhe të ardhshëm”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura