PD i jep dy javë kohë Spahiut

Jan 31, 2012 | 12:36
SHPËRNDAJE

Konstituohet Komisioni Hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së

Alibeaj: Ka shumë impenjime, ta caktojë vetë ditën

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të ketë në dispozicion dy javë kohë për të vendosur se kur do të raportojë para Komisionit Hetimor Parlamentar dhe për të paraqitur mbrojtjen e tij përballë 5 anëtarëve të Partisë Demokratike. Ky fakt u bë me dije gjatë mbledhjes së parë të Komisioni Hetimor Parlamentar për nisjen e procedurave të shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, i miratuar seancën e shkuar me 73 votat pro të maxhorancës. Në mbledhjen e parë të konstituuimit të Komisionit Hetimor nuk kanë marrë pjesë anëtarët e opozitës, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta njohin këtë komision, pasi sipas tyre, i mungon morali. Kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se Kuvendi do t’i drejtohet me një shkresë zyrtare nënkryetarit të KLD-së dhe të jetë ky i fundit që të caktojë datën që preferon për të bërë mbrojtjen nga faktet që pritet të mbledhë maxhoranca. Alibeaj ka ironizuar me aktivitetet e Aleancës Kuq e Zi, duke thënë se ky lëshim, për të caktuar vetë datën e raportimit, bëhet për shkak të impenjimeve të shumta që mund të ketë Kreshnik Spahiu. “Për t’i dalë para çfarëdolloj të papriture, ne do të lejojmë që t’ia ofrojmë këtë mundësi të përcaktojë ai vetë se kur e ka të mundshme, për shkak të impenjimeve që mund të ketë ditën që mund të vijë në komision për ta dëgjuar”, theksoi Alibeaj.
Opozita
Katër karriget e planifikuara për opozitën kanë mbetur bosh në sallën ku do të zhvillohet aktiviteti i Komisionit Hetimor për nisjen e procedurave të shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Kryetari Alibeaj theksoi se objekti i hetimit nuk do të jetë veprimtaria e individit, por aktiviteti i tij në drejtimin e KLD-së. Maxhoranca edhe në këtë mbledhje ka ftuar opozitën që të behet pjesë e këtij hetimi, në mënyrë që rasti “Spahiu” të shërbejë si një shembull në politikë. “Kjo është një arsye e fortë dhe e plotë moralo-politike, që edhe opozita të marrë përgjegjësinë e saj politike dhe institucionale. Në këtë rast, të caktojë anëtarësinë e saj, të caktojë nënkryetarin dhe anëtarët e tjerë, në mënyrë që ky komision të përcaktojë dhe verifikojë jo thjesht dhe vetëm pretendimet përkatëse, por të shërbejë edhe si një shembull i mirë për mënyrën jo vetëm të bashkëpunimit politik parlamentar, por edhe se si mund dhe duhet të funksionojnë komisionet hetimore”, deklaroi Alibeaj.

Tri javë afat
Komisioni Hetimor për nisjen e procedurave të shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka përzgjedhur dje sekretarin e Komisionit, që do të jetë deputetja e PD-së Paulina Hoti. Veç saj, Komisioni Hetimor do të mblidhet ditën e mërkurë për të miratuar programin e punës dhe mënyrën e kryerjes së hetimeve. Afati i shtrirjes së hetimeve do të jetë tri javë dhe në këtë hark kohor, pesë deputetët e Partisë Demokratike do të duhet të përgatisin një raport lidhur me veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Me përfundimin e raportit, ai do t’i dërgohet Parlamentit për t’u votuar në seancë plenare.

Rama: Komisioni “Spahiu”, barbarizëm i jetës parlamentare

Kreu i PS, Rama

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar dje në lidhje me nisjen e punës së Komisionit Hetimor për shkarkimin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Sipas Ramës, kjo tregon vazhdimin e barbarizmit të jetës parlamentare nga kjo qeveri dhe për këtë arsye, sipas tij, nevojitet ndryshimi i pushtetit. “Komisioni ‘Spahiu’, vazhdë e barbarizmit të jetës parlamentare. Pushteti po provon përditë nevojën alarmante për ndryshim. PS e garanton ndryshimin”, shprehet Rama në faqen e tij të rrjetit social “Twitter”. Opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë komision, ndërsa kreu i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në punime, pasi tha se veprimtaria e komisionit nuk do jetë kundër individit Kreshnik Spahiu. Nga ana tjetër, socialisti Famir Xhafaj argumentoi në Parlament se: “Në rastin e shkarkimit të anëtarit të KLD-së, kompetent për deklarimin e mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KLD-së (për një a më shumë nga shkaqet e parashikuara në ligj) është vetë KLD-ja dhe jo ndonjë organ tjetër, qoftë ky edhe Kuvendi i Republikës”.

Xhafaj: Kundër hetimit dhe Spahiut
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve deklaroi ditë më parë në Kuvend se opozita nuk mbështet aktivitetin e Kreshnik Spahiut në KLD, por në të njëjtën kohë theksoi se Komisionit Hetimor i mungon morali politik. “Ne nuk mbështesim Kreshnik Spahiun. Është gjëja e fundit që do të mendonim të bënim, pasi nuk e vlerësojmë pozitivisht punën e tij në krye të KLD-së. Ne e kundërshtojmë ngritjen e këtij Komisioni Hetimor, jo vetëm sepse atij i mungon tërësisht morali politik, por edhe sepse kjo është një nismë e cenueshme në frymën e Kushtetutës, ligjit dhe praktikës parlamentare”, deklaroi Xhafaj.

Parlamenti i mohoi fjalën Spahiut
Kreshnik Spahiu kërkoi një javë më parë që të fliste në Parlament kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij nga posti i nënkryetarit të KLD-së. Numri dy i KLD-së i ka kërkuar publikisht Topallit mundësinë dhe të drejtën e fjalës, duke argumentuar se vetëm në këtë mënyrë garantohet parimi për një proces të rregullt ligjor. Por kjo kërkesë e Spahiut është mohuar nga Kuvendi me anë të një tjetër shkrese të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Marlid Myftiu, që në letrën e tij thekson: “Luteni të lexoni Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Ju nuk mund të flisni në seancë plenare”.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura