PD, amendim në Kuvend kundër amnistisë për blerjen e votave

Apr 30, 2014 | 13:48
SHPËRNDAJE

Konferenca e Kryetarëve
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një amendim të ligjit të miratuar për amnistinë ku kërkon të mos përfitojnë nga kjo masë lehtësuese personat që dyshohet se kanë kryer krim elektoral. “Nuk përfitojnë nga parashikimet e nenit 5 të këtij ligji personat që akuzohen se kanë kryer vepra penale të parashikuara nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet në propozimin e demokratëve. Në nenin 5 janë renditur veprat penale të cilat nuk përfitojnë nga amnistia dhe mes tyre është edhe neni 328 i Kodit Penal që ka të bëjë me blerjen e votës. Sa i përket hyrjes në fuqi të këtij amendamenti, demokratët propozojnë: “Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data e hyrjes në fuqi të ligjit 22/2014 ‘për dhënie amnistie’”. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit të PD-së Edi Paloka ka kërkuar rishikimin e ligjit të amnistisë, por sipas kreut të Komisionit të Ligjeve, drafti është votuar një herë dhe nuk mund të ndryshojë. Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, Paloka akuzoi maxhorancën se ka shkelur Kushtetutën pasi nuk mblodhi Kuvendin gjatë kësaj jave. “Është hera e dytë në pak kohë që nuk zhvillohet Parlamenti. Nuk ramë dakord për kalendarin e punimeve. Kjo maxhorancë ka ndërmend të vazhdojë rrugën e shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës. Seanca e radhës do jetë javës që vjen, ne do vazhdojmë te kemi qëndrimet tona”, tha Paloka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura