Pavarësia, Tirana i rikthehet festës

Nov 29, 2011 | 12:48
SHPËRNDAJE

Tiranës i rikthehen ngjyrat e festës së pavarësisë. Pas vitesh të tëra kur 28 Nëntori është kaluar vakët dhe gjithë vëmendja ishte përqendruar në Natën e Bardhë, më 29 Nëntor, kryeqyteti ka gëluar nga një atmosferë tjetër. Dhjetëra aktivitete për të rinj, fëmijë e të moshuar nisën dje që në mëngjes për të vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes. Flamujt kuqezi të vendosur në bulevardet kryesore e rrugët e tjera të përfshinin në ndjesitë patriotike. Në çdo cep dëgjohej vetëm muzikë shqip e mijëra qytetarë këndonin me zë këngët e preferuara. Kushdo që ka dalë nga shtëpia, qoftë edhe për një ecje të qetë, nuk ka shpëtuar pa u bërë pjesë e kësaj atmosfere, e cila ngërthente në ritëm. Edhe moti, për fat të mirë, u tregua dashamirës duke i shtuar dhe më bukurinë 99-vjetorit të festës së çlirimit. Aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës i vizitoi dje edhe kreu i saj, Lulzim Basha. I shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe vajza e tij Dafina, ai fillimisht u ndal në panairin “Blej shqip”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Mes qytetarëve të shumtë ata panë nga afër ekspozimin e produkteve shqiptare dhe produkteve të tjera tradicionale. Kreu i Bashkisë, së bashku me familjen e tij, u zhvendosën në bulevard dhe në parkun “Rinia”, ku ndoqën me qindra vogëlushë premierën “Thesaret e cirkut”, shfaqjen për fëmijë “Maçoku me çizme”, ndërsa vizituan edhe ekspozimin e pikturave me temë: “Shqipëria ime”. Kryebashkiaku vizitoi edhe stendën e fotografisë, ku bëri foto me protagonistët e Pavarësisë, të interpretuar nga aktorët e Teatrit të Metropolit. “Shpresoj që qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët që sot kanë zgjedhur Tiranën për 28 Nëntorin, festën tonë kombëtare, të gjejnë në qytet atë që kërkojnë. Gëzuar festat! Gëzuar 28 Nëntorin dhe bëfshi sa më shumë qejf në Tiranë! Është vendi i duhur për të kënduar, për t’u argëtuar e festuar së bashku”, tha Basha. Gama e aktiviteteve të organizuar nga Bashkia nuk përfshinte të gjitha grupmoshat. Më të privilegjuar gjatë paradites ishin fëmijët. Për ta, në parkun “Rinia”, trupa e cirkut shfaqi premierën “Thesaret e cirkut”. Teatri Metropol luajti një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës “TEN”, performuan me një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë. Në bashkëpunim me Liceun Artistik, u organizua një ekspozim pikture interaktive me temë “Shqipëria ime”. Aktiviteti u shoqërua nga kori i fëmijëve të Liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës. Për herë të parë erdhën në mënyrë origjinale protagonistët e Pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, interpretuan Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë. Fëmijë e të rritur u fotografuan më këto personazhe në këndin e fotografisë para Galerisë së Arteve. Te Galeria Kombëtare e Arteve u shfaq me aparaturë tradicionale, jodixhitale, në ambient të hapur, filmi “Nëntori i dytë”. Atmosfera festive kulmoi me koncertin e madh në orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”, u këndua vetëm shqip nga këngëtarët më të njohur të vendit.

BASHA, HOMAZHE PRANE BUSTIT, NDERON ADEM JASHARIN

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, bëri dje gjithashtu homazhe pranë bustit të komandatit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Tiranë. I shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Kosovës në vendin tonë, Basha vendosi kurorë me lule pranë bustit të komandatit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës. Kryebashkiaku vlerësoi kontributin e Adem Jasharit për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, ndërsa tha se vitin tjetër, në të njëjtin vend ku sot ndodhet busti i tij në Tiranë, do të vendoset një përmendore e tij e realizuar nga skulptori i njohur Muntaz Dhrami.

Vendoset shqiponja dhe flamur gjigand

Një shqiponjë gjigande, më e madhja e vendosur ndonjëherë në Tiranë, është sistemuar te rreth-rrotullimi pranë Zogut të Zi me rastin e 99-vjetorit të pavarësisë. Simboli i krenarisë shqiptare i jep një pamje krejt tjetër hyrjes së kryeqytetit. Nga sa sqaroi Bashkia e Tiranës, natën ndriçimi i shqiponjës bëhet me drita LED. Duket se ajo është pëlqyer mjaft nga mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët kanë preferuar të postojnë në rrjetin social “Facebook” foto të shqiponjës. Ngjyrave të festës nuk mund t’i mungonte edhe një flamur 63 metra katrorë, i cili valëvitet te Pallati i Kulturës në kryeqytet. Sipas Bashkisë së Tiranës, flamuri me gjatësi 7 metra e gjerësi 9 metra, është i vendosur në një shtyllë 32 metra e lartë. Për herë të parë kryeqyteti ka një simbol në të tilla përmasa.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura