Patentë pa asnjë ditë në kurs, pranga instruktorit

Jun 30, 2014 | 12:16
SHPËRNDAJE

Instruktori i një autoshkolle është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për korrupsion.
Sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm te zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugore, me qëllim dhënien e patentave për kursantë të ndryshëm. Ndërhyrja është bërë me qëllim që leja e drejtimit të jepej pa qenë e nevojshme marrja pjesë në konkursin praktik e teorik, por në këmbim të parave. Burime zyrtare të Policisë së Kryeqytetit thanë se është arrestuar 49-vjeçari Abas Hyseni, i cili akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Hyseni akuzohet se në të paktën dy raste të dokumentuara nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës ka kërkuar 300 deri në 500 euro për të ndërhyrë në dhënien e patentave pa marrë pjesë në konkurs. Hetimet ndaj 49-vjeçarit kanë nisur prej dy muajsh, pas një kallëzimi që është bërë në Policinë e Tiranës nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor, ku i dyshuari kishte kontaktuar me zyrtarë të këtij institucioni për të krijuar lehtësira ndaj një kursanti që do të pajisej me patentë. Me sa duket, punonjësit e kësaj Drejtorie nuk kanë bërë kompromis me instruktorin e autoshkollës dhe kanë vendosur ta denoncojnë në Polici, pasi dyshonin se ai mund të kishte kryer të njëjtin veprim edhe gjatë muajve apo viteve të kaluara. Pas marrjes së këtij denoncimi, oficerët e Antikrimit Ekonomik kanë regjistruar procedim penal dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë nisur hetimet me metodat speciale, derisa janë dokumentuar 2 raste që e implikonin atë në afera korruptive. Edhe Gjykata e Tiranës ka rënë dakord me akuzën mesditën e së premtes, pasi është njohur me provat e grumbulluara për Abas Hysenin dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg”. Masa është ekzekutuar mesditën e së shtunës nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës. Burimet thanë se Hyseni është arrestuar në afërsi të banesës së tij në kryeqytet.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura