Pasqyra e thyer e Brukselit dhe Prishtinës

May 31, 2011 | 11:06
SHPËRNDAJE

BLERIM SHALA

Brenda shtatë ditëve, Kosovën e vizitoi Kryeministri i Europës, Zhose Manuel Barroso dhe kryediplomatja e Europës, Katerine Ashton. Kosova ka perspektivë europiane nëse e bëni Kosovën Europë dhe nëse bisedoni me Serbinë e merreni vesh. I kësi soji ishte mesazhi i Barrosos dhe Ashtonit për të gjithë ne. Liderët institucionalë, natyrisht, u ftuan ta vizitojnë Brukselin. Kosovarët disi duhen mbajtur me shpresë që gjërat, këndejpari, do të marrin të mbarën dhe që për pak kohë (do të thotë, për disa vite), qytetarët e shtetit më të ri në Europë, “europianët e rinj”, do të mund të shkojnë në Europë pa viza, me pasaporta dhe që më pas Kosova do ta marrë “vizën” për të qenë pjesë e BE-së.  Është goxha vështirë t’i bindësh sot kosovarët që kështu do të jetë kur ata, të thuash në të gjitha anët, hasin në pengesa a postblloqe të ndryshme. Ne përballemi me së paku tri lloje të postblloqeve të tilla: ato që ndajnë Kosovën në Veri dhe në Jug, ato që pamundësojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe postbllokun e pesë shteteve të BE-së, që krijon ndërlikime të mëdha për synimet tona për të krijuar raporte të mirëfillta me Brukselin.
Kosova nuk ka udhë të qartë për në BE. Dhe udhëtimet e Barrosos dhe Ashtonit në Prishtinë, apo të presidentes Jahjaga dhe kryeministrit Thaçi në Bruksel, si dhe ato të Edita Tahirit për të biseduar me Borko Stefanoviçin, do të kenë justifikim vetëm nëse brenda një kohe të shkurtër do të nisë heqja e këtyre postblloqeve. Në të kundërtën, këndejpari do të ketë gjithnjë e më shumë frustrim dhe pakënaqësi, që do të mund të shndërrohen në mllef të pakontrollueshëm. Nuk mund i gjithë një popull të lihet pa udhë, pa shtegdalje, i penguar dhe i bllokuar në të katër anët, siç po ndodh tani me qytetarët e Kosovës. Ndërsa Kosova ishte definuar, në dhjetorin e vitit 2007, pak kohë para shpalljes së pavarësisë, si prioriteti numër 1 i Bashkimit Europian, detyra e të cilit në Kosovë ishte zbatimi i propozimit të presidentit Ahtisaari.
Duket që në Bruksel akoma nuk është e qartë se çfarë përmasash ka marrë dëshpërimi i qytetarëve të Kosovës me mungesën e perspektivës konkrete, të prekshme, të matshme, të inkuadrimit në BE, sa e thellë është kriza sociale dhe ekonomike dhe çfarë pasojash, në përgjithësi, për këtë vend, për të ardhmen e tij të afërt, mund të kenë zgjedhjet e mbrapshta parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, të cilat nuk u kontestuan prej Brukselit.
Brukseli i sotëm, më i fuqishëm se kurrë, kur bëhet fjalë për mandatin që ka, për mbështetjen ligjore që ka për politikën e jashtme (prej shteteve anëtare të BE-së), ka mbetur në gjysmë të rrugës në Kosovë, me një gjysmë zyre të Përfaqësuesit Special në Prishtinë, me këmbët dhe duart e lidhura nga pesë shtetet e BE-së, të cilat jo që nuk e kanë njohur Kosovën, por drejtpërdrejt luftojnë, ditë dhe natë, shtetin e Kosovës.
Këtij Brukseli i duhen lajmet e mira nga Kosova, nga Serbia, me çdo kusht, edhe atëherë kur ato s’janë gjë tjetër pos mjegull tymi që duhet të pengojë përballjen me pamjen e vërtetë për gjendjen në Kosovë dhe në Serbi dhe për marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve.
Prishtinës së sotme të kësaj qeverie, të këtij koalicioni, i duhen gjithashtu lajmet e mira, edhe kur ato s’kanë të bëjnë gjë me realitetin. Udhëheqësia e sotme e Kosovës provon, me mish e me shpirt, t’i bëjë lëndë djegëse për “mbushjen” e optimizmit dhe të durimit të kosovarëve vizitat e Barrosos dhe Ashtonit, synon që t’i bindë ata që për më pak se 15 muaj do të mund t’ia mësyjnë Europës pa viza, që për një kohë të shkurtër këtu do të jetohet me një standard të mirë, që për pak vjet Kosova do të jetë edhe në NATO, edhe në BE.
Ndërsa një shi njëorësh, të dielën e shkuar, kthen përmbys gati krejt kryeqytetin e vendit, brenda pak ditësh ndodhin vrasjet në qendër të qytetit si në filma, shkalla e varfërisë mbërrin përmasat të cilat do të alarmonin çdo lidership në një shtet demokratik, shumë kosovarë paguajnë mijëra euro për të marrë ndonjë pasaportë biometrike të shteteve fqinje për të ikur në Europë, sepse “këndejpari më nuk jetohet”.
Dihet fare mirë se çka ndodhur, apo çfarë përfundimesh mund të nxirren kur t’i ballafaqojmë synimet tona për të ardhmen, fjalët e Brukselit dhe të Prishtinës zyrtare për to dhe këtë realitetin e përditshëm kosovar.
E dimë, natyrisht, thuaj të gjithë ne, se çka do të bëhet me Kosovën, ta zëmë, pas 10 vjetësh, apo ku do të jemi në vitet 2021 apo 2022.
Me të drejtë Barroso, Ashton dhe diplomatët e tjerë perëndimorë po na thonë që arritja në cakun e quajtur Europë kërkon prej nesh që qysh tash të punojmë shumë, shumë më tepër se sa deri tash, në mënyrë që kjo shoqëri, ky vend, të ndryshojë për të mirë, që të kemi rend dhe ligj, të luftohet krimi dhe korrupsioni, të kemi zhvillim ekonomik dhe përmirësim të ndjeshëm të gjendjes sociale.
Por, këto cilësi të shoqërisë kosovare nuk munden dot të arrihen me kompromiset e shumta që Brukseli po i bën vazhdueshëm karshi mandatit të vet në Kosovë, karshi lidershipit të Kosovës, karshi pesëshes problematike dhe politikës së Beogradit ndaj Kosovës. Këto cilësi s’bëhen realitet edhe me këtë udhëheqësi të sotme të Kosovës, që bashkëjeton me të gjitha problemet që i ka Kosova, apo, madje, është autore e shumicës prej tyre.
Nuk ka politikë pa kompromise, kjo dihet. Por politika nuk mund të shndërrohet e tëra në kompromise, në zhagitje, në kërkim të një kohe më të mirë për t’i marrë vendimet e duhura në Kosovë dhe për Kosovën. E kjo është politika e sotme e Brukselit dhe Prishtinës në Kosovë dhe ndaj Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura