Pashkët, Françesku I pagëzon një shqiptar

Mar 31, 2013 | 11:28
SHPËRNDAJE
Papa gjate Meshes se Pashkëve ne Vatikan

ROME- Në brendësi, urimet e Nishanit, Berishës dhe Topallit 

Besimtarët katolikë  kremtojnë sot ditën e Pashkës, ringjalljes së Krishtit.

Në Vatikan, ku janë të pranishmëm mijëra besimtare,  eshte mbajtur mesha kryesore, e drejtuar për herë të parë nga Papa Françesku.

“Pranoni Jezu Krishtin e ngjallur në jetën tuaj. Edhe nëse ju keni qenë larg, bëj një hap të vogël drejt tij, dhe ai është duke të të pritur krahë hapur.” Kjo është një pjesë e asaj që Papa Françesku lëshoi në Twitter, duke theksuar kështu edhe njehere konceptet e shprehura mbrëmë në festimet në vixhilje të Pashkëve.

Nderkaq, gjatë shërbesës së të shtunës në mbremje, Papa Françesku pagëzoi katër të rinj të rritur të Kishës, njëri prej të cilëve ishte shqiptar.

E shtuna ishte një nga katër ditët e festës, para së dielës së Pashkës, e cila është edhe dita më e rëndësishme në kalendarin katolik.

Urimi i Nishanit

Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka uruar gjithe besimtaret katolike per festen e Pashkeve. “Pashkët me anë të simbolit të përsosjes përmes sakrificës, na japin shembullin aq të vyer të rrugës sa të mundimshme dhe të bukur drejt Virtytit. Pashkët na kujtojnë dhe na ngjallin Shpresën, që aq shumë na nevojitet, për jetën tonë, për punët tona, për familjet tona, për të ardhmen tonë. Pashkët na rievokojnë rëndësinë e të rënit dëshmor të njeriut për njeriun”- shkruan Nishani ne mesazhin e tij te urimit per besimtaret.

Sipas tij, pashkët na rikujtojnë rëndësinë e Pasionit krishtëror dhe njerëzor dedikuar lartësimit të Njeriut, por, mbi të gjitha, Pashkët na kujtojnë Ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore dhe qiellore, për të cilën kemi aq nevojë.

“Në këtë mënyrë, dhe për këto arsye, Pashkët ju sjellin juve dhe të gjithëve Kumtin divin se sakrificat për një jetë të denjë janë një domosdoshmëri që duhet përballuar, pavarësisht nga rrethanat sado të vështira, pavarësisht nga vuajtjet sado të mëdha”- shkruan Nishani.

Ai ka kujtuar besimtaret se ne jetojmë dhe vdesim, Krishti vdiq dhe jetoi, Krishti u ngjall, edhe ne do të ringjallemi.

“Si dhe t’ju kujtoj gjithashtu, se po të mendojmë nga pak çdo ditë për Sakrificën e Krishtit, bëhemi më të mirë, më të urtë, më të butë, më të dashur, më të njerëzishëm, për vete, për tjetrin, dhe për të gjithë. Në këtë ditë të shenjtë të Pashkës ju uroj secilit prej jush dhe familjeve tuaja dashuri, lumturi, paqe, miqësi, kthjelltësi”- shkruan ai.

Urimi i Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka uruar këtë mëngjes nëpërmjet Facebook të gjithë besimtarët katolik dhe protestan, Gëzuar Pashkët.

“Le t’iu urojme se bashku te gjithe besimtareve te krishtere katolik dhe protestant, por dhe te gjithe besimtareve te Zotit, Gezuar Pashket, diten e shpreses se pashuar dhe te perjtesise, diten e ringjalljes se Krishtit, Hyjit qe pas kryqezimit u ringjall per te ndryshuar aq shume boten dhe moralin e shoqerise njerezore.”- shkruan Berisha, duke urur që Pashka e ardhshme të na gjejë edhe më mirë.

Urimi i Topallit

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi Pashkët nëpërmjet rrjetit social, Facebook.

“Për shumë vjet Pashkët!
Pashkët janë festë që na japin forcë për të ecur Përpara. Sot, besimtarët katolik me familjet tyre, me fëmijët tyre do të festojnë ditën e mrekullisë, ditën e triumfit të jetës. Pashkët, në fakt janë simbol i triumfit të besimit. Pashkët janë reflektim për sakrificën e Krishtit. Pashkët janë një premtim që Zoti e risjell çdo pranverë. Fryma e Pashkëve është shpresë, është dashuri, është gëzim i jetës. Në këtë ditë të shenjtë, është koha të shohim vlerat që na bashkojnë, t’i gëzohemi familjeve tona, njerzve tanë të dashur, fëmijëve tanë e t’u japim atyre bekimin për një jetë sa më të gëzueshme, për një jetë sa më të bukur. Ju uroj të gjithëve, Pashkë të mbushur me gëzim e jetë, bashkë me familjet e fëmijët tuaj. Zoti ju bekoftë të gjithëve ju shqiptarë kudo që jeni!
Miqësisht, Jozefina.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura