Pas pretencës, kërcënohet prokurori i Aldo Hoxhës

Nov 30, 2013 | 10:33
SHPËRNDAJE

Aldo Hoxha në gjyq
“Panorama” shkruan sot se Prokurori i çështjes në ngarkim të Aldo Hoxhës, të riut të akuzuar për “vjedhje me pasojë vdekjen”, është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit. Shkak janë bërë kërcënimet në sallën e gjyqit nga ana e familjarëve të të pandehurit, pak ditë pasi prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm ndaj 20-vjeçarit Hoxha. Lajmi u konfirmua nga burime të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave, pas seancës së 20 nëntorit, prokurori Endri Bimi dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje nga policia.

Në këtë seancë, prokurori Bimi u sulmua fizikisht nga motra e të pandehurit, ndërsa nuk munguan përpjekjet edhe nga nëna e tij. Seanca në fjalë u shty me kërkesë të avokatit, i cili kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve të mbrojtjes. Në përfundim të seancës, teksa salla po boshatisej, motra e të pandehurit iu afrua prokurorit dhe e kapi te toga e zezë në parakrahun e dorës së djathtë të tij, duke e tërhequr.

Ndërhyrja e punonjësve shmangu veprimet e mëtejshme. Por, situata tensionoi nënën e të pandehurit, e cila shprehu nervozizëm dhe vetë të pandehurin, i cili shprehu fjalë fyese në drejtim të punonjësve të policisë. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se organi i akuzës i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve marrjen e masave ndaj personave që nuk parandalojnë përplasjen në sallën e gjyqit. Seanca e radhës e procesit, më 27 nëntor, u zhvillua në supermasa sigurie nga ana e punonjësve të policisë. Procesi në ngarkim të Aldo Hoxhës ndodhet në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes. Armand Bajrami/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura