Pas përgjimit RENEA arreston Emiljano Shullazin

Jun 30, 2012 | 12:37
SHPËRNDAJE

Emiljano Shullazi

Kapet me dy pistoleta në një makinë të blinduar rrugës për në Shkodër me një mik. I gjendet zhurmues kundër përgjimit.

Policia: Bashkë me 34-vjeçarin u vu në pranga edhe Helidon Harizaj.

RENEA e arreston në Lezhë, një muaj pas lirimit nga burgu.

Emiljano Shullazi, personazh i njohur për precedentët e tij penalë në Tiranë, u arrestua mbrëmjen e djeshme me dy armë pa leje në një makinë të blinduar te kryqëzimi i Shëngjinit.
Arrestimi është kryer nga forcat speciale të policisë RENEA, që kanë bërë një kontroll të beftë në automjetin me të cilin po lëvizte Shullazi. Bashkë me 34-vjeçarin nga Tirana mësohet se është arrestuar edhe shtetasi Helidon Harizaj nga Vlora. Në makinë ka qenë edhe një person i tretë nga Lezha, i cili është ndaluar dhe po verifikohej, por deri mbrëmë vonë nuk konfirmohej arrestimi i tij. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, arrestimi i Shullazit është bërë mbi bazën e informacioneve të siguruara nga kjo drejtori. Gjatë ndjekjes operative nga Policia është marrë informacion se ditën e djeshme, 34-vjeçari i dyshuar për disa vepra penale, ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të Vlorës. Në qytetin bregdetar Shullazi ka takuar shtetasin Helidon Arizaj, me të cilin është kthyer në drejtim të Tiranës në orët e pasdrekes. Pasi kanë mbërritur në kryeqytet, Shullazi dhe Harizaj janë drejtuar për në Lezhë, duke ecur me makinën e blinduar. Policia ka dyshuar për ndonjë plan kriminal dhe në afërsi të kryqëzimit të Shëngjinit ka organizuar shërbimet e forcave speciale RENEA. “Gorillat” e këtij reparti, me maska në kokë, kanë ndaluar automjetin e Shullazit, i cili, pasi ka kuptuar autorët e postbllokut, nuk ka bërë kundërshtime, por ka ndaluar mjetin dhe ka dalë prej tij me duar pas koke, ashtu siç i kërkuan oficerët e RENEA-s. Nga kontrolli në makinë janë gjetur dy armë zjarri  pistoleta. Brenda pak minutave, me mjetet e policisë, Shullazi dhe miku i tij Helidon Arizaj, janë transportuar në Tiranë, ndërkohë që është bërë kontroll në banesën e 34-vjeçarit tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë. “Gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan 6 telefona celularë, një aparat zhurmues që përdoret për heqjen e përgjimit në telefonat celularë dhe dy radio policie që regjistroheshin në të gjitha frekuencat ku komunikon policia aktualisht. Vetëm një muaj më parë, më 11 maj, në Gjykatën e Tiranës, Emiljano Shullazi mbylli hesapet e radhës më drejtësinë, pasi akuzohej për armëmbajtje pa leje.
Vendimi i Gjykatës
Emiljano Shullazi u lirua nga paraburgimi më 11 maj 2012, në zbatim të një vendimi pafajësie ndaj tij. Këtë ditë Gjykata e Tiranës e deklaroi atë të pafajshëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. I njëjti vendim deklaroi të fajshëm të bashkëpandehurin e Shullazit, mikun e tij, Gilmando Dani. Dani u dënua me një vit burg për “armëmbajtje pa leje”. Prova kyçe që i dha pafajësinë Shullazit ishte dëshmia e dhënë në proces nga punonjësit e Policisë. Bëhet fjalë për të njëjtët që e arrestuan atë dhe Danin në nëntor të vitit 2011, pranë zonës së ish-Parkut të Autobusëve në kryeqytet. Në procesverbalet e arrestit në flagrancë, punonjësit e Policisë që prangosën Shullazin dhe Danin shënuan se “arma ishte hedhur nga Shullazi në momentin që ishte afruar policia”. Por ky fakt u mohua prej tyre kur u paraqitën si dëshmitarë në proces. Përpara gjyqtarit Martin Deda, dy punonjësit e Policisë dëshmuan se nuk e kishin parë se cili nga dy të dyshuarit e kishte hedhur pistoletën. Në atë seancë, prokurori kërkoi kundërshtimin e dëshmive të punonjësve të Policisë, kërkesë që nuk u pranua nga Gjykata. Për shkak të ndryshimit të deklarimeve të dhëna në Prokurori dhe dëshmisë para trupit gjykues, Prokuroria nisi procedim penal për “dëshmi të rreme” për dy nga oficerët e Policisë. Shullazi edhe më parë është arrestuar nga policia me mjete të ngjashme, fenelina dhe radio policie, si dhe me sasi armatimi.            e.d/a.b

Sekuestruar
.    2 armë zjarri, pistoleta

.    Automjet i blinduar

.    6 celularë

.    Aparat zhurmues kundër përgjimit

.    2 radio marrëse-dhënëse që punonin në kanalet e komunikimit të policisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura