“Parti toksike që është nën kontrollin e ish-Presidentit”/ Republikani që votoi për ngritjen e akuzave ndaj Trump tërhiqet nga gara zgjedhore: Ja arsyet

Sep 17, 2021 | 22:12
SHPËRNDAJE

Ligjvënësi Anthony Gonzalez, një nga 10 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Donald Trump në janar, tha të enjten se nuk do të garojë për t’u rizgjedhur, duke cituar atmosferën “toksike” në një parti që mbetet e nën kontrollin e ish -presidentit.

1b9aa013e554fe9bcd5b2288d0cec775

Ligjvënësi nga shteti i Ohajos, që ka shërbyer për dy mandate, theksoi se konsideratat e familjes luajtën një rol thelbësor në vendimin e tij, por ai pranoi edhe skenën e vështirë politike, pasi do të duhej të përballej me një kundërshtar të mbështetur nga zoti Trump vitin e ardhshëm.

“Ndërsa dëshira ime për të ndërtuar një jetë më të plotë familjare ishte arsyeja kryesore për vendimin tim, rol të rëndësishëm pati edhe gjendja aktuale e politikës sonë, veçanërisht shumë prej dinamikave toksike brenda partisë sonë”, tha ai në një deklaratë.

Ligjvënësi Gonzalez ishte më i prerë në një intervistë për gazetën New York Times të enjten, gjatë të cilës ai e kritikoi zotin Trump duke e quajtur atë “kancer për vendin” për shkak se ai frymëzoi mbështetësit e tij për të nisur sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit.

“Unë nuk besoj se ai mund të bëhet përsëri president”, tha ai për gazetën e përditshme.

Gonzalez, një konservator 36-vjeçar, është i pari në mesin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump, që tërhiqet nga zgjedhjet paraprake.

Donald Trump, i cili vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në parti, e ka bërë të qartë se do të punojë pa u lodhur për të ndihmuar në mposhtjen e atyre republikanëve që donin ta shkarkonin atë.

Në mesin e tyre është edhe ligjvënësja Liz Cheney, e cila u shkarkua nga një post drejtues në grupin e ligjvënësve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi nuk pranoi të pakësonte kritikat e saj ndaj ish -presidentit.

Presidenti Trump tashmë ka njoftuar mbështetjen e tij për ish –ndihmësin e tij, Max Miller, i cili po kandidon për vendin e ligjvënësit Gonzalez.

Disa demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve postuan në Twitter vlerësimet e tyre për ligjvënësin Gonzalez pas vendimit të tij.

Ai dhe republikanët e tjerë që votuan për të shkarkuar zotin Trump “po paguajnë një çmim për veprimin e tyre të drejtë”, tha ligjvënësi Brendan Boyle. “Por ata do të justifikohen nga historia.”/VOA

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/