Paratë e drogës, bllokohen 13 banesa në Shkodër

May 31, 2012 | 12:50
SHPËRNDAJE
Drejtoria e Policisë Shkodër

SHKODER – Policia sekuestron në Shkodër 13 apartamente dhe një garazh me vlerë 700 mijë euro, në pronësi të një 35-vjeçari, i cili është arrestuar në Gjermani që prej vitit 2009, me akuzën e “trafikut të drogës”. Bëhet fjalë për pronat e të arrestuarit Altin Nderlita, pjesën më të madhe të të cilave i kishte regjistruar në emër të të afërmve të tij. Pronat e patundshme, që dyshohet të jenë blerë nga të ardhura me origjinë kriminale nga trafiku i narkotikeve, u sekuestruan në zbatim të vendimit të Gjykatës për vendosjen e sekuestrimit preventiv. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se operacioni i kryer në zbatim të ligjit “Antimafia” u krye gjatë ditës së martë dhe të mërkurë nga Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave, Policia e Prokuroria e Shkodrës. Gjatë këtij aksioni u sekuestruan 13 apartamente banimi dhe një garazh me sipërfaqe 900 metra katrorë, në pronësi të Altin Nderlitës, nënës së tij, Pashke Podgorica dhe tezes së tij, Roza Serreqi. Sipas të njëjtave burime nga Policia e Shtetit, sekuestrimi i këtyre aseteve u bë i mundur nga një hetim intensiv i nisur nga një procedim penal i vitit 2011 për veprën penale “pastrim të produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Altin Nderlita është arrestuar në Gjermani për shkelje të ligjit mbi lëndët narkotike në vitin 2009, ndërsa nga procedimi penal i nisur në Shqipëri ka rezultuar se pasuritë me vlerë 700 mijë euro dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjinë kriminale të trafikut të narkotikeve. Pasuritë e blera ishin regjistruar në emër të familjarëve të tij. Një pjesë e parave janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, duke u deklaruar si të ardhura nga emigracioni dhe familjarët janë munduar t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në apartamente. “Nga strukturat e Pastrimit Parave në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, po ashtu dhe për identifikimin e pasurive, me qëllim vendosjen e sekuestrimit në kuadër të këtij procedimi penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura