Paradoksi i OSBE-së

Sep 1, 2020 | 9:32
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO Pellumb Nako

Në kuadrin e kryesimit të Presidencës së radhës së OSBE-së, Kryeministri ynë ndërmori nismën për lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve që janë duke u konfliktuar në Bjellorusi, duke luajtur në këtë mënyrë rolin e ministrit të Jashtëm të vendit. Ndërkohë dihet që baza e konfliktit në këtë vend është mungesa thuajse totale e parametrave të demokracisë si rezultat i një regjimi diktatorial, që për natyrë të parë ka manipulimin e institucionit të votimit për të përjetësuar sundimin mbi popullin e tij. Pikërisht, është kjo natyrë e krizës bjelloruse ajo që i shtyu mjaft faktorë politikë e të medias së lirë në vendin tonë për të ngritur mjaft pikëpyetje për Kryeministrin tonë në përmbushjen e një misioni të tillë, duke vënë në dukje faktin që në vendin e tij ka mjaft pika të përbashkëta me krizën politike të rënduar në përmasat e një përplasjeje të gjerë sociale, që po rrjedh në vendin anëtar të OSBE-së.

Për hir të së vërtetës, shumë pena e trajtuan rastin me negativitet duke anatemuar Kryeministrin e vendit tonë. Por në fakt, momenti kur Kryeministri/ministër i Jashtëm i një vendi anëtar i OSBE-së, me cilësinë e kryesimit me rotacion të presidencës së kësaj organizate, ndërmerr nisma politike për të paqtuar palët në konfliktin e një vendi tjetër të OSBE-së, ndërkohë që po vetë drejton një vend me gjysma institucionesh, nuk është paradoks i tij, por i vetë organizatës. Kjo rastësi e Kryeministrit/ ministër përbën një paradoks të pakuptimtë ndërmjet misionit të OSBE-së për t’u aktivizuar në një vend me konflikte për shkak të standardeve demokratike dhe të mënyrës së funksionimit të saj. E gjitha kjo, sepse në gjirin e OSBE-së ka mjaft vende të Kaukazit apo Azisë Qendrore, të cilat kanë standarde të përafërta me ato në Bjellorusi dhe secilit prej tyre, në kuadrin e kryesimit të Presidencës, mund t’i takojë e drejta të impenjohet në konflikte të ngjashme me ato që po ndodhin në këtë vend dhe të lehtësojnë dialogun ndërmjet palëve. Ndaj dhe angazhimi i Kryeministrit tonë, në fakt, nuk përbën paradoks për atë vetë, por për OSBE-në. Me fjalë të tjera, nëse Kryeministri/ ministër i Jashtëm i vendit tonë dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë arrijnë të përsërisin zgjedhjet në Bjellorusi dhe çuditërisht ato t’i fitojë Lukashenko, nuk do të ishte aspak habi që ministri i Jashtëm i këtij vendi të vinte në vendin tonë që vitin tjetër të zgjedhjeve, në rast konflikti, të kërkonte lehtësimin e dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Ndërkohë, Kryeministri nuk mund të lërë t’i humbasë një rast i tillë për t’u evidentuar dhe sidomos për të spekuluar, duke bërë që të jenë të shumtë ata që sulen drejt tij, por duke bërë efekt bumerang. Konflikti ndodhi në një kohë kur qeveria e vendit tonë kishte kryesimin e presidencës së radhës së OSBE-së dhe askush nga ata që drejtojnë një vend nuk do të rrinte duarkryq të mos e shfrytëzonte këtë rast. Pra, nuk janë palët në konflikt ato që kanë gjetur dikë me famë ndërkombëtare për urtësi, për standarde të larta demokratike të vendit të tij për të lehtësuar komunikimin, por është rotacioni i presidencës që vetofrohet. Dhe siç u tha, këtë presidencë mund ta ketë edhe një model si Kryeministri/ministër i ynë i Jashtëm. Pra, nuk kemi njohje si model demokracie të vendit, por ushtrim të funksionit të presidencës së radhës prej tij.

Më shumë se me vlerë ndërkombëtare, misioni i tij po kryhet i shoqëruar plot zhurmë për të impresionuar publikun e brendshëm të vendit, i cili synohet të joshet me përmasat ndërkombëtare të drejtuesit të qeverisë. Madje për këtë motiv, shefi e merr vetë situatën në dorë, kur për hapat që ka ndërmarrë, plot modesti thekson se “vendi ynë po shkëlqen”. Sigurisht, nuk mund të thotë për veten se po shkëlqen, pasi kjo nënkuptohet. Për brezat jo të rinj të vendit tonë, thelbi i këtij shkëlqimi nuk është i panjohur sepse e ka thënë vetë Majakovski: “Kur themi Lenini nënkuptojmë partia, kur themi partia nënkuptojmë Leninin”

Në rastin konkret, roli i OSBE-së në Bjellorusi mbetet shumë periferik, pasi ndërmjetësimi kryhet nga instanca të tjera me mjaft peshë botërore. E tillë ishte edhe nisma e dyshes Merkel dhe Macron, të cilët ftojnë dhe Rusinë në ndërmjetësim dhe që në deklarimet e tyre publike nuk e përmendën fare OSBE-në.

Me të drejtë del pyetja se çfarë do t’i mbetet për të bërë Kryeministrit tonë, të cilit i ka rënë gogla të jetë në krye të presidencës, kur për të ulur palët në konflikt impenjohen fuqi të mëdha, që megjithëse janë anëtare të OSBE-së, nuk veprojnë në kuadrin e saj?

Pesha e OSBE-së mbetet më shumë operacionale, e rëndësishme në kuadrin e ndjekjes në terren të marrëveshjeve të arritura nga palët në konflikt me ndërmjetësimin e faktorëve të rëndësishëm në një rajon të caktuar për probleme të sigurisë, e cila mund të cenohet si rezultat i konflikteve dypalëshe, apo edhe brenda një vendi kur konstatohen përplasje të mprehta me natyrë etnike, në zonën ku organizata ka sferën e veprimit.

Ndërkohë dihet që në masë dërrmuese, vendet ku OSBE ushtron aktivitetin e saj operacional janë vende të dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe që po ashtu, dihet që kanë mbartur konflikte kufijsh si dhe enklava me popullsi të ndryshme, në vende të ndryshme. Rasti klasik mbetet ai ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ku OSBE-ja ka prani të bollshme të vëzhguesve të saj në terren apo edhe në disa vende të Kaukazëve. Për më tepër që, rasti i konfliktit në Bjellorusi lidhet ngushtë me parametrat e demokracisë së këtij vendi, si dhe me sferat e ndikimit të Rusisë.

Pra, edhe duke qenë një organizatë e madhe Lindje-Perëndim, me anëtarësi edhe nga vende perëndimore të fuqishme, OSBE-ja nuk paraqet peshë të gjerë politike në Perëndim, por më shumë kryen funksionin e vëzhgimit duke furnizuar me informacion nga terreni i konflikteve vendet anëtare të saj, ose duke përdorur prezencën në vendet ku nuk ka konflikte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura