Panik në Krastë, merr flakë cisterna me solar

Aug 31, 2011 | 11:52
SHPËRNDAJE

BULQIZË – Shtëllungat e tymit në cisternën e solarit, në qendër të qytezës së Krastës, në komunën e Martaneshit, kanë ngjallur frikë e panik te banorët e këtushëm. Megjithëse ishte ditë feste, ata kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ndjekur zjarrin e rënë. Shumë shpejt, drejtuesit vendorë kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikëseve të Bulqizës dhe kanë ftuar njerëzit të largohen nga territori afër cisternës, duke menduar se nga çasti në çast ajo mund të shpërthejë. Cisterna “gjigante” ndodhet në afërsi të pallateve dhe shtëpive të banimit, edhe pse ka dalë nga funksioni 20 vite më parë, qëkur nuk përdorej më solari për ngrohjen e shtëpive të minatorëve. Deri para një viti ajo ruhej, por tani ka mbetur në mëshirë të fatit. Kryetari i komunës Martanesh, Gazmend Kenga dhe këshilli komunal kanë kërkuar që cisterna të boshatiset, pasi edhe një vit më parë në të njëjtën periudhë ka marrë flakë dhe shuarja ka qenë mjaft e vështirë. Banorët thanë se sapo kanë parë tymin e zi që ngrihej mbi qytet, kanë menduar se djegia e solarit do të shkaktonte dëme serioze. Njerëzit pranë saj kanë lënë shtëpitë, ndërkohë që pas një ore tymi, zjarri është shuar vetë. Mbërritja e zjarrfikëses pas afro një ore nuk ka qenë e nevojshme, pasi gjithçka është normalizuar. “Nuk dihet sa solar ka gjendje në cisternë dhe se cilët janë shkaktarët e zjarrit. Mund të jetë dhe një pakujdesi e fëmijëve që qëndrojnë çdo ditë pranë saj. Kemi kërkuar heqjen e cisternës, por na thonë se ka shpenzime largimi i saj”, thanë për “Panorama” burime nga ky qytet. Dy vjet më parë, solari u derdh në rrugë, ndërsa një vit më parë pati tjetër zjarr në këtë cisternë.            h.p

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura