Paketa fiskale. Pagat, skema e re për sigurimin e shëndetit

Nov 30, 2013 | 9:56
SHPËRNDAJE

Qeveria heq tavanin e pagës për kontributet shëndetësore.

“Panorama”: Ndryshon llogaritja edhe për 78 mijë biznese të vogla.

Qeveria ka vendosur të heqë tavanin për pagesën e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Ky është ndryshimi i parë i zyrtarizuar nga mbledhja e bordit të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, që do të bëhet pjesë e ligjit të ri. Sipas draftit, pagat mbi të cilën mbahen 3.4% për kontribute sigurimesh shëndetësore, nuk do të kenë më tavan.

Kontribuesit
Aktualisht, në ligjin e sigurimeve shëndetësore theksohet se pagesa prej 3.4% mbahet për pagat deri në 95130 lekë në muaj. Mbi këtë shumë, paga aktualisht nuk preket nga sigurimet. Ky ndryshim i ligjit duket se është pjesë e filozofisë së qeverisë socialiste, që kush fiton më shumë, paguan më shumë. Ndryshimi i dytë është dyfishimi i pagës mbi të cilën mbahen 7% kontribut për sigurime shëndetësore për të vetëpunësuarit apo ndryshe biznesin e vogël.

HEQJA E TAVANIT
Aktualisht, me vendimin e qeverisë të datës 17 korrik, është e paracaktuar me limit dysheme dhe tavan, paga mbi të cilën mbahen kontributet e sigurimeve. Vendimi parashikon që sigurimet shëndetësore, prej 3.4% mbahen për pagat nga 19026 lekë në muaj, deri në 95130 lekë në muaj. Sipas ligjit, pjesa prej 3.4% që ndalohet nga rroga, paguhet 1.7% nga punëdhënësi dhe 1.7 për qind nga i punësuari. Pagat e larta paguajnë sigurime vetëm për pjesën 95130 lekë në muaj. Me ndryshmet e miratuara, hiqet pikërisht tavani prej 95130 lekësh, dhe punonjësit me paga të larta do të paguajnë sigurimet shëndetësore mbi të gjithë shumën që marrin. Kështu, në rast se një person sot paguhet 150 mijë lekë në muaj, aktualisht i mbahet nga paga për sigurime shëndetësore 3.4% deri në 95130 lekë, ose 3234 lekë në muaj. Kjo shumë ndahet përgjysmë, 1617 lekë paguhen nga punëdhënësi dhe 1617 lekë paguhen nga i punësuari, pra i zbriten nga paga prej 150 mijë lekë. Me ndryshimin e ri, e gjithë paga do të jetë pjesë e kontributit 3.4%. Pas 1 janarit, një i punësuar me pagë 150 mijë lekë do të kontribuojë 5100 lekë për kontribute. Kjo shumë e ndarë në 2550 lekë që paguhen nga punëdhënësi dhe 2550 lekë nga punëmarrësi. Pra, kontributet për sigurime rriten sa më e madhe të jetë paga. Për pagat nën 95130 lekë, ndryshimi i ligjit nuk ka efekt, pasi përqindja e kontributit nuk ndryshon. Sipas të dhënave, aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 20 mijë persona me pagë mbi 95130 lekë në muaj dhe të gjithë këta do të paguajnë më shumë para për të përfituar nga skema shëndetësore e vendit.

BIZNESI I VOGËL
Aktualisht, me vendim qeverie, është vendosur që të gjithë të vetëpnësuarit apo ndryshe biznesi i vogël të paguajë 7% të pagës minimale prej 19026 lekësh në muaj, në mënyrë që të sigurohet për të përfituar shërbimet shëndetësore. Sot, një biznes i vogël paguan 1332 lekë në muaj si kontribut për sigurime shëndetësore. Në vitin 2011, qeveria e atëhershme e ndryshoi ligjin. Ligji i ri, që do të hynte në fuqi, pra që të fillonte zbatimin nga 1 janari 2014, në nenin 7 parashikonte që “baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar është mesatarja ndërmjet pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve”. Paga mesatare është 57078 lekë në muaj dhe nga 1 janari biznesi i vogël do të paguante 7% të kësaj page si kontribut shëndetësor, ose 3996 lekë në muaj. Në draftin e ri të miratuar nga bordi i ISKSH, parashikohet që pagesa prej 7%, pas 1 janarit, të mos mbahet për mesataren e pagës, por për dyfishin e pagës minimale. Pra, jo për pagën prej 57078 lekësh në muaj, por për pagat 38052 mijë lekë në muaj. Pas 1 janarit, të gjithë të vetëpunësuarit do të paguajnë 2663 lekë në muaj si kontribute në skemën e detyruar shëndetësore. Nga ndryshimi i skemës pritet të preken rreth 78 mijë persona të biznesit të vogël. Këta do të paguajnë dyfishin e shumës që paguajnë aktualisht, ose 1331 lekë më shumë për sigurime shëndetësore. Por, në rast se ligji nuk do të ndryshohej, atëherë ata do të paguanin nga 1 janari 3996 lekë në muaj.
Nertila Maho/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura