Padia e dytë për Imamin: I shiti tritol sekserit “Babasi”

Jan 31, 2014 | 12:54
SHPËRNDAJE

Arben Imami
Ministria e Mbrojtjes ka depozituar një tjetër padi penale në prokurori ndaj ish-ministrit Arben Imami për shkelje të procedurave ligjore në shitjen e materialeve ushtarake.
Bëhet fjalë për procedurat e shitjes nga kjo ministri të një sasie tritoli prej 500 tonësh kompanisë së një ish-deputeti të Partisë Demokratike, në shkelje të rënda ligjore. Lajmi bëhet i ditur nga deputeti socialist Taulant Balla, i cili, përmes faqes së tij në “Facebook”, njofton se ndër akuzat e këtij kallëzimi rëndon edhe abuzimi me shitjen e 500 tonëve tritol nga ushtria drejt një kompanie private. “Prokuroria të marrë menjëherë të pandehur Arben Imamin, provat janë të pakundërshtueshme. ULP Mjekës, me urdhër të Arben Imamit, ka realizuar shitjen e një sasie prej 500 tonësh TNT, bazuar në kontratën e shitjes nr. 182, datë 21.05.2013, me blerës shoqërinë ‘BABASI COO shpk’”, shkruan Balla.
Taulant Balla
Deputeti socialist jep dhe momentet e shkeljeve ligjore në këtë kontratë: Kontrata është lidhur pa marrë miratimin e Ministrisë së Mbr-ojtjes, në shkelje të pikës 11 të udhëzimit nr. 4, datë 07.05.2010; Është shkelur pika 4 e udhëzimit nr. 4, datë 07.05.2010, sipas të cilit, ULP Mjekës nuk është e specializuar për të realizuar eksporte, por kjo procedurë duhej të kryhej nga ndërmarrja “MEICO”; Kompensimi me mall i një detyrimi në para, rrjedhojë e procesit të demontimit, bie në kundërshtim me VKM nr. 432, datë 26.06.2006, si dhe të udhëzimit të përbashkët të MM me MF nr. 2, datë 06.02.2012, sipas të cilit, të ardhurat me para duhet të kalojnë në buxhet; Çmimi prej 450 USD/ton është përcaktuar vetëm mbi bazën e kërkesës së blerësit (firma “Babasi COO shpk”), pa bërë testimin e tregut, pa përcaktuar specifikimet teknike dhe pa një vendim për përzgjedhjen e ofertës më të mirë;  Çmimi i shitjes prej 600 USD, i aplikuar nga firma “Babasi COO shpk”, për blerësin në Bullgari, pa bërë asnjë përpunim të mëtejshëm të mallit, ka favorizuar blerësin, gjë të cilën shumë mirë mund ta realizonte ndërmarrja “Meico”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për veprimet e mësipërme, në kundërshtim me ligjin, mbajnë përgjegjësi Arben Imami, ish-ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, dhe Daniel Karanxha, ish-drejtor i ULP Mjekës, Ministria e Mbrojtjes. Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, e cilësoi si një flluskë të radhës kallëzimin e dytë të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj tij. “Një flluskë tjetër e radhës, gjë që ishte e parashikueshme. Është e sigurt që edhe ky kallëzim nuk ka asnjë sens, asnjë kuptim. Ndërmarrja e Mjekësit, mbi bazën e ligjit ka qenë licencuar. Të gjitha procedurat që ajo ndërmarrje ka kryer janë të rregullta. Ministri as shet, as blen vetë drejtpërdrejt. Jemi të bindur që kemi të bëjmë me një sulm drejtuar personit. Normalisht do të duhet të isha njoftuar, meqenëse ka një raport”, tha Imami.

Padia
Ministria e Mbrojtjes ka paditur dy muaj më parë ish-ministrin Arben Imami për “shpërdorim detyre”, “shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, ku bëhet fjalë për tenderin e reklamave televizive me vlerën 1.2 milionë USD.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura