Pacolli: Largohem, por nuk jam fajtor

Mar 31, 2011 | 11:59
SHPËRNDAJE

Presidenti i fundit i Kosovës, Behgjet Pacolli, është larguar dje nga zyra e tij, pas marrjes së vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se nuk ka nevojë për procedura dorëheqjeje.Tani vendi ka mbetur pa President, një simbol i fortë i strukturës së një shteti, ndërkohë që Kosova ka nisur bisedimet me Serbinë dhe rrezikon të reflektojë dobësi, ndërsa për herë të dytë një kryetar shteti deklarohet nga gjykata si jo-kushtetues. Sipas disa burimeve të gazetës “Koha Ditore”, Pacolli ka dashur të largohet nga zyra presidenciale, që të hënën në mbrëmje, mirëpo me “insistimin” e disa diplomatëve ndërkombëtarë është tërhequr nga një veprim i tillë. Miqtë ndërkombëtarë, sipas një zyrtari të lartë brenda koalicionit qeverisës, jo vetëm i kanë rekomanduar që ta presë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe i kanë thënë që të mos tërhiqet nga gara për president. Pacolli ka konfirmuar në televizionin publik të Kosovës se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i shenjtë”. “Siç kam deklaruar edhe më përpara, do ta respektoj totalisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë do të veproj ashtu siç shkruhet në vendim. Për këtë jam i përkushtuar”, ka thënë ai për RTK-në. Pacolli tha se do ta respektojë plotësisht këtë vendim, por nuk është i sigurt nëse do të rikandidohet sërish për postin e presidentit. “Nuk ka nevojë për dorëheqje, unë praktikisht largohem nga zyra e presidentit, dhe procesi do të rifillojë drejtë pikës zero. Nuk është e sigurt nëse unë do të rikandidohem për postin e presidentit, kjo çështje i takon koalicionit. Nëse koalicioni vendos kështu, unë do ta marr në konsideratë këtë vendim”, tha ai. Por ish-presidenti siguroi se vendimi përfundimtar nëse rikandidohet, do të merret gjatë 24 orëve të ardhshme. Pacolli vlerësoi se ai personalisht nuk e ka shkelur Kushtetutën, prandaj nuk ndehet fajtor. “Unë nuk e kam shkelur Kushtetutën, jam viktimë e saj dhe unë respektoj çdo vendimi të Gjykatës”, tha Pacolli. Ai tha se do të insistojë që AKR-ja të vazhdojë koalicionin me PDK-në dhe të jetë konstruktive në çështjet madhore për vendin.

Kush do ta drejtojë Presidencën pas ikjes së Behgjet Pacollit

Kushtetuta e Kosovës parashikon se në rast të mbetjes së vendit pa president, për cilëndo arsye, deri në zgjedhjen e një presidenti të ri, ushtrimin e kësaj detyre do ta kryejë Kryetari i Parlamentit. Kjo do të thotë se që sot, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të jetë sërish në zyrën e Presidentit, për të ushtruar për herë të dytë këtë detyrë, sicc ndodhi edhe në rastin e ikjes së Fatmir Sejdiut, kur Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ai kishte shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste njëkohësisht. Në mungesë të tij, mund të jetë nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ai që mund t’ia kërkojë Pacollit “çelësin” e zyrës. Ndërkohë, edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, pritet të emërohet ushtrues  i detyrës së presidentit të Kosovës. Hasani do të emërohej në këtë detyrë, duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, në të cilën nënvizohet se pas Kryetarit të Parlamentit, detyrën e ushtruesit të presidentit mund ta kryejë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi pritet të anashkalohet kësaj radhe, për shkak se edhe ai është përfshirë në lëshimet e bëra procedurale dhe ligjore, lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri Behgjet Pacolli.

Jakup Krasniqi: Nuk ndihem aspak fajtor

Jakup Krasniqi (Kryetari i Kuvendit-PDK), ushtruesi i detyrës së Presidentit pas largimit të Fatmir Sejdiut, kandidati më potencial i PDK-së për president, nëse Pacolli do të kishte pranuar ofertat e para për koalicionin (që nuk e përshinin Presidencën), dhe i pari që u shpreh se gjatë procesit të votimit të presidentit është shkelur Kushtetuta, tha se nuk ndihet aspak fajtor që Presidenti u rrëzua nga Kushtetuesja. Pas kthimit nga vizita e tij në Hungari, ai tha se më 22 shkurt (kur u votua Presidenti Pacolli), ka udhëhequr një seancë të Kuvendit të Kosovës të përgatitur nga dikush tjetër, dhe si Kryetar i Kuvendit vetëm ka zbatuar planin që i është ofruar nga administrata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura