Opozita mbledh firma për Kuvendin, Brovina i refuzon

Oct 31, 2014 | 13:23
SHPËRNDAJE

Flora Brovina
Subjektet politike të koalicionit paszgjedhor në Kosovë kanë vendosur t’i kërkojnë sërish kryeparlamentares Flora Brovina që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
Zyrtarë të tjerë partiakë kanë vendosur në takimin e djeshëm që t’i mbledhin nënshkrimet e deputetëve të tyre dhe t’i drejtohen Brovinës me një kërkesë të re. “Morëm vendim që t’i drejtohemi kryeparlamentares me nënshkrimet e deputetëve për seancë. Meqenëse të drejtën për nominim e ka PDK-ja dhe mundësinë për të thirrur seancën e ka Flora Brovina, ne po kërkojmë që të thirret seanca, që Kuvendi të gjejë zgjidhjen”, ka deklaruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.  Blloku paszgjedhor i ka bërë thirrje PDK-së dhe Kryeministrit Hashim Thaçi që t’i hapin rrugë shumicës parlamentare që të krijojë institucionet. Bëhet e ditur se ditëve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës është diskutuar ideja që shumica e krijuar parlamentare ta votojë kryeparlamentarin e PDK-së, për t’i hapur rrugë Bllokut për krijimin e qeverisë. Mësohet në mënyrë konfidenciale se LDK do të kërkojë postin e Kryeministrit dhe ridizajnim të marrëveshjes me Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën, të cilat po ashtu kanë kushtet e veta. I pyetur për këtë çështje, Haradinaj thotë: “Ekziston një kërkesë politike e shumicës në Parlamentin e vendit për zotin Thaçi që të hapë rrugë për ndërtimin e institucioneve. Kjo është oferta jonë politike. Oferta jonë parashikon edhe përgjegjësi për disa prej nesh dhe ne i qëndrojmë asaj oferte. Pra, nuk ka as lëkundje, as diskutim, as dilemë dhe nuk e shohim si pyetje për t’i dhënë përgjigje”, ka thënë Haradinaj. Ndërsa Blloku paszgjedhor po kërkon thirrje të seancës konstituive, kryesuesja Flora Brovina deklaroi të mërkurën se nuk do ta thërrasë atë pa pasur një marrëveshje politike mes subjekteve, konform vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Gashi dorëhiqet nga AKR-ja e Pacollit
Një tjetër largim nga radhët e AKR-së. Zëvendëspresidenti i deritashëm i AKR-së, Dardan Gashi, ka dhënë dorëheqje nga Partia e Behgjet Pacollit. “PO”, ka shkruar Gashi në Facebook, duke iu përgjigjur pyetjeve se a është larguar nga AKR-ja. Dardan Gashi nuk arriti të bëhet deputet me AKR-në e Behgjet Pacollit. Më herët Gashi kishte themeluar Listën Dr. Ibrahim Rugova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura