Operacioni, ndalohet Bujar Brovina

Oct 31, 2014 | 12:34
SHPËRNDAJE

Bujar Brovina
Në ditën e tretë të operacionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike, policia ka arrestuar 41 persona, mes të cilëve edhe ish-drejtorin e Qytetit Studenti në Tiranë, Bujar Brovina.\
Lajmi për arrestimin e Brovinës u bë publik nga foltorja e Parlamentit nga ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Ndërsa Policia e Tiranës konfirmoi më vonë se Bujar Brovina, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratikë, akuzohej veç vjedhjes së energjisë elektrike, edhe për rilidhje në 3 vende të ndryshme. Ish-drejtori i Qytetit Studenti, sipas Policisë, ka vjedhur energjinë nga kabina elektrike, e cila ndodhet rreth 10 metra larg vilës së tij trekatëshe në rrugën “Budi”. Policia ka konstatuar linjat e vjedhura që kalonin nga muri ndarës i kabinës elektrike në ambientet e brendshme të vilës së Brovinës. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, dyshohet se lidhjet e paligjshme të energjisë janë kryer 9 vite më parë dhe kanë vazhduar deri më sot të funksionojnë si të tilla. Para disa muajsh, Brovinës i është shkëputur energjia, por sipas Policisë, ai e ka rilidhur.
OPERACIONI
Që nga dita e martë kur nisi operacioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike e deri mbrëmë në orën 19:00, Policia e Shtetit ka arrestuar 154 persona për lidhje të paligjshme të energjisë. Vetëm dje janë arrestuar 41 persona, mes të cilëve 30 pronarë biznesesh të ndryshme dhe 14 janë shpallur në kërkim. Ndërsa janë ndërprerë 392 lidhje të paligjshme të energjisë. Sipas Ministrisë së Brendshme, 5 prej të arrestuarve janë punonjës të OSHEE-së, 3 prej të cilëve janë ndaluar në Tropojë, ndërsa 2 në Gjirokastër, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për një inxhinier, punonjës i këtij Operatori. Gjithashtu ka nisur procedim penal edhe për një punonjës të Bashkisë Fushë–Arrëz në rrethin e Pukës. Drejtori i Policisë së Tiranë, Ardian Çipa, në një dalje publike bashkë me drejtorin e OSHEE, Arben Seferi, mbrëmjen e djeshme bëri publike të dhënat e operacionit në kryeqytet. Drejtori i OSHEE u shpreh se bashkëpunimi me policinë ka dhënë efektet e veta. Ai ka theksuar edhe një herë masat penalizuese për autorët e vjedhjes së energjisë, që shkojnë deri në 3 vite burg dhe deri në 5 vite burg për punonjësit e OSHEE që mund të dënohen.

OPERACIONI, DITA E TRETE
n 154 persona janë arrestuar gjatë tri ditëve të operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike

n 41 persona që kishin kryer lidhje të paligjshme u arrestuar vetëm dje në të gjithë vendin

n 30 prej të arrestuarve janë pronarë biznesesh të ndryshme

n 392 lidhje të paligjshme të energjisë janë ndërprerë në të gjithë vendin

n 14 persona janë shpallur në kërkim dje dhe 31 të tjerët gjatë dy ditëve të para

n 13 persona u arrestuan në Tiranë dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim

n 5 nga të arrestuarit janë elektricistë të OSHEE, 3 në Tropojë, 2 në Gjirokastër

n 3 persona janë arrestuar në Durrës dhe po kaq në Vlorë e Shkodër

n 1 person është arrestuar në Berat dhe 1 tjetër në Lezhë

n 2 persona janë arrestuar në Fier

n 4 persona janë arrestuar në Elbasan e po kaq në Korçë

n 5 persona janë arrestuar në Kukës

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura