Olsi Lafe: Ndryshime në Kodin Penal, s’ka më gjoba, por burg

Jul 31, 2012 | 14:27
SHPËRNDAJE
Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Olsi Lafe

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme propozojnë ndryshimet në Kodin Penal, pikërisht në nenin 138, ku shtohen dy paragrafë në mënyrë specifike për trashëgiminë kulturore. Aty përcaktohen qartë se cilat raste janë të dënueshme, që nga dëmtimet, te gërmimet, kërkimet me detektor, ndryshimet e paautorizuara. Aktualisht në Kodin Penal parashikohen penalitete në rastet e “shkatërrimit të veprave kulturore”, por nuk përcakton se çfarë janë këto “vepra kulturore”. Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Olsi Lafe, shpjegon arsyet pse ndërmerret kjo nismë, ç’synon reforma në ligjin e trashëgimisë kulturore, si dhe cilat janë dëmtimet “tendencë” në monumentet e kulturës.

Duket se kohëve të fundit janë shtuar rastet e dëmtimeve në objektet e trashëgimisë kulturore, mos ka ardhur koha që ligji të jetë më i ashpër me dëmtuesit?
Janë të shumta rastet në vite dhe duket se kjo trashëgimi rastesh, tashmë po kthehet në një forcë për t’i evituar ato dhe për të bërë ndryshime radikale në Kodin Penal. Kodi Penal është instrumenti i parë më i rëndësishëm i rregullimit ligjor i të gjitha shkeljeve të kësaj natyre në trashëgiminë kulturore, në mënyrë specifike. Pra, nuk po flasim më për veprat e artit në përgjithësi, por për trashëgiminë kulturore në dy drejtime kryesore: objektet e luajtshme të trashëgimisë kulturore dhe objektet e paluajtshme, ose monumentet e kulturës. Në lidhje me to janë hartuar dy paragrafë që janë propozuar për t’u shtuar dhe për t’u ndryshuar në nenin 138 të Kodit Penal ekzistues, në bashkëpunim të fortë me Ministrinë e Brendshme që është krah jashtëzakonisht ndihmues dhe zbatues i ligjit. Është mirëkuptuar shumë mirë prej tyre e gjithë iniciativa, është propozuar nga ana e tyre, është miratuar nga ana jonë dhe presim të kalojë të gjitha hallkat deri në diskutimin në komisionet përkatëse dhe pastaj në Parlament.
Ç’synojnë këto ndryshime?
Është hera e parë që parashikohen në Kodin Penal të gjitha penalitetet që do të ndërmerren për shkelësit. Citoj:
“Kryerja e gërmimeve, kërkimeve nënujore me karakter arkeologjik dhe përdorimi i aparaturave metalkërkuese nga subjekte të paautorizuara, me qëllim gjetjen dhe përvetësimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, dënohet nga 1 deri në 3 vjet burgim”.
Dhe është shtuar edhe një paragraf tjetër: “Gërmimi, dëmtimi, ndryshimi me qëllim përdorimi dhe çdo veprim tjetër që ndryshon formën ose përmbajtjen në monumentet e kulturës dhe çdo ndryshim që dëmton truallin e vënë në mbrojtje prej tyre, të cilat kryhen pa autorizimin e autoriteteve përkatëse, dënohet me 1-3 vite burgim”.
Pra, njëri prej këtyre paragrafëve mbron objektet e luajtshme të trashëgimisë, ndërsa tjetri objektet monument kulture nga çdo ndryshim apo dëmtim, si dhe truallin përreth tyre. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shpesh në qendrat historike, ose në zonat arkeologjike, konstatohen ndërtime pa leje në truallin rreth një monumenti kulture, pra dëmtim indirekt në zonën e mbrojtur. Ky mekanizëm i parashikuar që në fillim në Kodin Penal do të evitojë çdo lloj paqartësie që mund të ekzistojë deri në miratimin e tij, nga kushdo institucion ligjzbatues apo përmbajtësor, që janë institucionet e trashëgimisë kulturore dhe shërben për të informuar publikun. Kodi Penal, nëse do të miratohet, do të sjellë menjëherë një ndryshim të situatës në terren.
Këto masa do të mbrojnë edhe monumentet që do të përfshihen në projektin e “rijetëzimit”?
Kodi penal nuk pranon fjalë të shumta, por çdo veprim që kryhet pa autorizimet e organeve përkatëse është i dënueshëm dhe kjo përfshin edhe çështjen për të cilën ju pyesni me të drejtë. Nuk mund të ketë zhvillim pa autorizim. Nuk mund të ketë ndërhyrje të paplanifikuar dhe të miratuar. Çdo lloj tendence për ndërhyrje nga individë apo subjekte të ndryshme, për çfarëdo lloj arsyeje, për të realizuar vepra private apo publike, nëse nuk kalojnë filtrin e institucioneve që merren me miratimet përkatëse, do klasifikohen menjëherë su ndërhyrje të paautorizuara dhe do të dënohen sipas propozimeve që janë bërë në Kodin Penal.
Po kur dëmtuesi është shteti, si në rastin e rrugëve?
Ligji funksionon njëlloj për të gjithë. Çdo institucion shtetëror ose privat, individ juridik ose fizik duhet të përgjigjet njëlloj përpara nenit 138 me ndryshimet që ne po propozojmë. Nuk ka asnjë lloj etiketimi, të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Në cilën eksperiencë jeni mbështetur për të bërë këto ndryshime?
Eksperienca është tërësisht e realitetit shqiptar që është e ngjashme me ato europiane, që do të thotë, në rast se këtu kryhen gërmime nënujore të paautorizuara ato duhen dënuar. Të njëjtën gjë e zbaton si Kroacia apo Greqia, shtete këto që kanë një vijë të zgjeruar bregdetare apo të brendshme të zgjeruar lumore ose liqenore dhe zbatojnë penalitete të ngjashme. Për të mos thënë që në vendin fqinj, Greqi, në varësi të dëmtimeve parashikohen nga 6 muaj deri në 10 vjet burg. Por shteti grek parashikon edhe gjoba, ndërsa ne me këto ndryshime evitojmë çdo lloj pagese gjobe dhe parashikohet vetëm burg 1-3 vjet.
Nëse keni bërë një monitorim të përgjithshëm, cilat janë dëmtimet që ndeshen më shpesh mbi monumentet e kulturës?
Nga raportet që kemi nga Policia e Shtetit vihet re shtimi i rasteve të kërkimeve me metal detektor, të cilat për shkak të shtrirjes së territorit dhe të monumenteve në gjendje rrënojë që janë zona të largëta arkeologjike është shumë e vështirë të monitorohen, qoftë edhe në mënyrë periodike, nga institucionet e trashëgimisë apo nëpërmjet kujdestarëve. Është gati e pamundur të mbulosh territore të gjera, siç janë ato të Shkodrës, Korçës, Vlorës, Sarandës. Megjithatë, kjo tendencë është e shënuar dhe e mirë-identifikuar nga ana e Policisë dhe nga ana e institucioneve të trashëgimisë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili na ka informuar disa herë për dëmtime që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, tendenca për trafikim, të cilat ne i kemi ndjekur në vazhdimësi. Për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore ne kemi shpërndarë shumë informacion edhe për publikun. Kemi pasur bashkëpunime të frytshme, siç ka pasur edhe raste kur subjektet nuk njoftojnë për gërmimet e kryera dhe gjetjet arkeologjike.
Kohë më parë ju hapët një fushatë sensibilizimi mbi trafikun e objekteve të trashëgimisë, cili ishte impakti i saj te qytetarët?
Kemi marrë komente shumë pozitive, në radhë të parë nga qytetarë që kanë parë informacionet tona në zona kufitare. Jemi në pritje të statistikave të telefonatave të kryera në numrin 129 nga qytetarë të ndryshëm, për denoncime apo për më shumë informacion në lidhje me këtë fushatë. Kjo ishte e para fushatë që synonte të bënte të dukshme trashëgiminë tonë dhe që ne synojmë ta zgjerojmë më tej me të tjera ide të reja. Në fund të muajit tetor, bashkë me Këshillin e Europës, ne do të mbajmë një konferencë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Europë.
Vetëm pak ditë më parë, ministri Bumçi përmendi një reformë në ligjin e trashëgimisë kulturore. Ku do të shtrihet kjo reformë?
Jam kryetar i grupit të punës për ndryshimet e amendimeve në ligjin e trashëgimisë kulturore. Aktualisht i kemi paraqitur ministrit konkluzionet paraprake të grupit të punës, i cili po punon prej kohësh. Ka propozime shumë të mira nga shumë institucione, edhe jashtë trashëgimisë, nga ministritë e linjës me të cilat jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm, Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit për pjesën e objekteve të lëvizshme të trashëgimisë, dhe të gjitha këto do të jenë pjesë e një drafti me të gjitha mendimet përkatëse, për ta çuar më pas në të gjitha komisionet dhe në Parlament. Jam i sigurt se çdo ndryshim që do bëhet në ligj do përfshijë penalitete më të qarta, më të zgjeruara, përshkrime më të mira të pjesës së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore arkeologjike, në mënyrë të veçantë, mënyrën se si kryhen projektet arkeologjike shkencore, por edhe projektet e shpëtimit në territorin e Shqipërisë. Pra elementë që nuk ekzistojnë sot të shprehura qartë dhe të ndara me kapituj në ligjin aktual të trashëgimisë, i cili gjithsesi është mjaft i mirë dhe orienton mirë punën, por ka nevojë për përmirësime. Për këtë do të shfrytëzojmë edhe eksperiencën e disa shteteve, të cilat këto ligje i kanë shumë të avancuara, si rasti francez, grek dhe italian, të cilët kanë parashikime mjaft të mira.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura