Olldashi: 10 arkitektët e tryezës së PS, klientë të vjetër të Ramës

Aug 31, 2013 | 12:17
SHPËRNDAJE

Ministri Olldashi
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi dje se konferenca e arkitektëve dhe artistëve, e organizuar nga PS disa ditë më parë, ishte një thirrje ndaj klientëve të vjetër të Bashkisë së Tiranës, kur drejtohej nga kryesocialisti Edi Rama. Olldashi, në një dalje për mediat, theksoi se 10 nga ekspertët e huaj kanë marrë pjesë në konkurset e organizuara nga ish-kryebashkiaku Rama dhe janë fitues të projekteve të një sërë ndërtimesh në kryeqytet. Ministri Olldashi tha se arkitekti Andreas Ruby, që moderoi konferencën e PS-së, ka qenë anëtar i konkursit “Dy Kulla” te Stacioni i Trenit në Tiranë, ndërsa kolegu i tij, Martin Sobota, ishte fituesi i këtij konkursi. Peter Willson, sipas Olldashit, është fituesi i masterpalnit të qendrës së qytetit të Korçës, po ashtu projektues i disa objekteve në Tiranë dhe anëtar jurie në projektin “Sytë e Tiranës”, bashke me Freek Persyn. “Xaveer de Getyer, anëtar jurie në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës jugore të Tiranës: fitues në konkursin për sheshin ‘Skënderbej’”, tha Olldashi, i cili shtoi më tej se dhe arkitektët Winy Maas, së bashku me Johan Anrys, Valerio Olgiati dhe Bjarke Ingels, kanë qenë fitues në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës të Bashkëjetesës Fetare. Fitues i çmimit të dytë të konkursit për sheshin “Skënderbej”, tha Olldashi. “Përfundimisht, e gjithë konferenca, sikurse e shihni, është një takim klientësh, është një rithirrje në punë e klientëve të vjetër të Bashkisë së z. Rama. Se çfarë i bënë këta klientë Tiranës, e keni parë; se si e kanë ndarë këta klientë Tiranën, sapo jua tregova; se si po përgatiten ta ndajnë këta klientë Shqipërinë nesër, merreni me mend vetë”, theksoi ministri. Olldashi ironizoi dhe me propozimet e artistëve për Piramidën, duke thënë se në këtë godinë fëmijët kanë rrëshqitur prej vitesh. Po ashtu për vilën e diktatorit Hoxha, Olldashi tha: “Duhet të imagjinojmë se ç’mund të prodhojë mendja e Edi Ramës nëse e mbyllim për tre muaj, sikurse propozohet, në ish-dhomën e gjumit të Enver Hoxhës. Së dyti, e kemi shumë të vështirë të identifikojmë një të dytë që do të ishte i gatshëm të izolohej tre muaj me të. Na mbetet të pyesim njëherë Koçon, meqenëse është edhe si punë filozofi”.

Arkitektët e tryezës së PS
Andreas Ruby:
Anëtar jurie në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të Tiranës. Anëtar jurie në konkursin për sheshin “Skënderbej”
Martin Sobota: Fitues i konkursit “Dy Kulla” në zonën verilindore të Stacionit të Trenit
Peter L. Willson: Fitues i konkursit për masterplanin e qendrës së qytetit të Korçës në kohën që kryetar Bashkie ishte zv.kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi; projektues i disa objekteve në Tiranë. Anëtar jurie në projektin “Sytë e Tiranës”
Xaveer de Getyer: Anëtar jurie në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës jugore të Tiranës. Fitues në konkursin për sheshin “Skënderbej”
Rossana Atena: Anëtare jurie në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (Unazën).
Winy Maas: Fitues në konkursin e projektit arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me Bulevardin (Unazën).   Fitues në konkursin “Tirana një kryeqytet europian” për objekt polifunksional 7 kate, me një kat shërbime dhe tri kate parkim nën tokë, në rrugën “Murat Toptani”. Fitues në konkursin “Lake Side Hall” për objekt polifunksional 3 dhe 9 kate, me 2 kate parkim nëntokë, në rrugën “Sami Frashëri”. Fitues në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për bashkëjetesën fetare”. Fitues i çmimit të dytë të konkursit për sheshin “Skënderbej”
Bjarke Ingels: Fitues i konkursit “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për bashkëjetesën fetare”.
Johan Anrys: Anëtar jurie në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (Unazën).
Anëtar jurie në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin urban të zonës jugore të Tiranës. Anëtar jurie në konkursin “Projektimi i Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës për bashkëjetesën fetare. Fitues i konkursit për sheshin “Skënderbej”
Valerio Olgiati: Pjesëmarrës në projektin arkitektonik të kompleksit urban në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me bulevardin (Unazën).
Anëtar jurie në konkursin “Projektimi i Xhamisë  dhe Muzeut të Tiranës dhe Muzeu për Bashkëjetesën Fetare”.
Freek Persyn: Anëtar jurie në konkursin e  projektit “Sytë e Tiranës”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura