Olimpiada, zhgënjen edhe Begaj

Jul 31, 2012 | 14:31
SHPËRNDAJE
Romela Begaj

Shuhet një tjetër shpresë e Kombëtares olimpike kuqezi për t’u ngjitur në podiumin londinez, ndoshta më e kuotuara nga e gjithë 10-shja shqiptare. Në një formë shumë larg pritshmërive, Romela Begaj dështoi në konkurrimin e saj në peshën 58 kg. Nëse katër vite më parë në Pekin, 25-vjeçarja Begaj (në këtë Olimpiadë të 30-të verore ishte edhe flamurmbajtëse e Shqipërisë olimpike) do të zinte vendin e gjashtë, në “Londër 2012” shkon pikiatë: e 11-ta. Njëherësh mbetet edhe jashtë zonës së medaljeve. Nga gjashtë provat e mundshme, Begaj mundi të realizojë me sukses vetëm 2, nga një për çdo stil. Begaj e ka filluar me këmbë të mbarë stilin e shkëputjes, duke ngritur 101 kg në provën e parë. Por vetëm kaq, pasi më tej u pa në pedanë një tjetër Begaj. Dështon në dy provat e radhës, ndërsa tentoi të ngrinte nga 105 kg. Në përfundim të stilit të shkëputjes, Romela Begaj u klasifikua e teta mes 10 peshëngritëseve konkurrente në këtë peshë. E para në këtë stil u rendit kinezja Li Xueying e Kinës, e cila ka thyer rekordin olimpik, duke ngritur 108 kg, një më shume se rekordi i mëparshëm që mbahej nga bashkëkombësja Yanqing Chen, i vendosur në Lojërat Olimpike të Athinës më 16 gusht të 2008-s. E rënë thuajse totalisht moralisht nga bilanci negativ i stilit të shkëputjes, edhe ai i shtytjes nuk ka asnjë ndryshim. Në provën e parë Begaj ka ngritur 115 kg, por dështoi në dy provat e tjera me 121 kg. Dëshpërim total, madje edhe lot. Përfundimisht Begaj e mbyll Olimpiadën e Londrës e 11-ta me 216 kg të ngritura në dygarësh, teksa në pedanë u ngjitën 17 kundërshtare.

Godelli e Calja
Sot është radha e dy peshëngritësve në 69 kg, Daniel Godelli dhe Briken Calja, si dhe e notarit Sidni Hoxha në garën e 100 metrave stil i lirë. Shtangistët do të konkurrojnë në baterinë A, me 336 kg të deklaruara në dygarësh nga Calja dhe 320 kg nga Godelli. Calja tha se gara parashikohet e fortë për vetë pjesëmarrjen e elitës botërore. Pa dashur të bëjë një prognozë të garës, shqiptari Calja nuk e fsheh optimizmin e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura