Abstenimi i Shqipërisë,Palestina:Prisnim votë pro

Nov 30, 2012 | 16:01
SHPËRNDAJE

Ambasada e Palestinës në Shqipëri ka shprehur keqardhje për qëndrimin  e Shqipërisë një ditë më parë gjatë votimit për njohjen e saj në OKB.

Ambasadori palestinez në Tiranë, Issam Massalha është shprehur se vendi i tij shpresonte në mbështetjen e qeverisë shqiptare. Sipas tij, populli shqiptar qëndron përkrah popullit palestinez. Ai e ka cilësuar  votimin ne OKB si një fitore të madhe të vendit të tij dhe një fitore të dëshmorëve.

Palestina do të njihet si shtet nga Kombet e Bashkuara, pasi presidenti Mahmut Abas ka arritur të fitojë mbështetjen e më shumë se 130 vendeve të OKB-së për të rritur statusin e tij nga “Entitet” në “shtet vëzhgues”.

Palestina pritet të njihet si shtet i pavarur me gjithë kërcënimet e Izraelit për rishikimin e traktateve të paqes dhe të SHBA-ve për ndërprerjen e fondeve të ndihmës për vendin e Bregut Perëndimor. Por, autoriteti palestinez nuk u tërhoq në aspiratën e tij për të marrë këtë të drejtë, e cila i mundëson Palestinës të jetë në një stad me Vatikanin.

Një vit më parë, Palestina dështoi të marrë statusin vend anëtar i OKB-së, i cili kërkonte një shumicë të konsiderueshme që ky vend nuk e kishte. Në atë kohë, Palestina u kundërshtua edhe nga Shqipëria. Qëndrimi për këtë vit i vendit tonë për kërkesën e Palestinës mund të jetë i njëjtë, kundërshtim, apo abstenim, pasi autoritetet tona kanë premtuar të ecin në një hap me SHBA-të në OKB. Këtë vit Palestina kërkon status “vend vëzhgues jo-anëtar” që pritet ta fitojë lehtësisht, pasi ky status kërkon një shumicë të thjeshtë nga 193 anëtarët në OKB.

Me fitimin e këtij statusi, Palestina mund të ketë akses në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vendet që kanë premtuar të abstenojnë apo kundërshtojnë i kanë kërkuar Palestinës negociata me Izraelin për të zgjidhur çështjen e shtetësisë. Një pjesë e mirë e vendeve të BE-së, si Franca, Austria, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Greqia Islanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Malta, Portugalia, Spanja dhe Zvicra kanë deklaruar përpara votimit se do ta mbështesin këtë nismë.

Vota ndodhi në Ditën Botërore të Solidaritetit me Palestinezët, pikërisht 65 vjet pasi OKB ka miratuar planin e ndarjes për Izraelin dhe Palestinën. “Po ju kërkojmë një certifikatë lindjeje”, tha Abas gjatë fjalës së tij mbrëmë në OKB, ku kërkoi votën e vendeve anëtare për nismën e tij, duke premtuar kthimin në negociata me Izraelin, menjëherë pas kësaj vote. Në Palestinë, gjatë gjithë ditës është festuar.

Shqiperia

Shqipëria e ka mbështetur qëndrimin e Izraelit që nga viti i kaluar. Kjo është reflektuar që nga votimi në OKB për shtetësi të plotë të Palestinës, që nuk u mbështet nga Shqipëria, deri në luftën e fundit tetëditore në Gaza, ku qeveria shqiptare dënoi sulmet e palestinezëve dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur. Qëndrimi i qeverisë shqiptare solli edhe reagimin e Ambasadës Palestineze në Shqipëri, të cilët i kujtuan zyrtarëve tanë se edhe Palestina e ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Shteti shqiptar e ka njohur Palestinën plotësisht si shtet në vitin 1988, ndërsa marrëdhëniet mes tyre datojnë që nga vitet ’60.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura