ODIHR: Fushata, incidente dhe presion ndaj mësuesve

Apr 30, 2011 | 10:58
SHPËRNDAJE
Vëzhguesit e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit

Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin e dytë parazgjedhor për zgjedhjet lokale të 8 majit.Sipas raportit, fushata zgjedhore vazhdon të shoqërohet me incidente, por nuk kanë munguar dhe raportimet për presion ndaj administratës shtetërore për të marrë pjesë në mitingjet elektorale. “Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme, të lidhura me fushatën”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Gjithashtu, raporti i merr si të besueshme akuzat për presione ndaj administratës. “Ka pasur një numër të madh akuzash për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve, ndërkohë që Misioni i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it i ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri më tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime të tjera”, thuhet në raport. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it nuk lënë pa përmendur në raportin e tyre dhe rastet e incidenteve me lëndë plasëse ndaj kandidatëve. “Minibashkia 7 në Tiranë është bërë skena e disa incidenteve. Më 18 prill, një sasi eksplozivi shpërtheu jashtë apartamentit të kandidatit të PS për kryetar minibashkie, duke shkaktuar dëmtime të vogla. Më 21 prill, një person ndërpreu një aktivitet elektoral të PS-së në një lokal, dhe u pretendua. Më 18 prill, në Sukth (qarku Durrës), një mbështetës i PS-së u rrah keqas ndërsa përpiqej të varte flamujt përpara një mitingu të PS-së. Pati edhe të shtëna dhe u arrestua një aktivist i PD-së për kanosje, huliganizëm dhe prishje të rendit publik”, thuhet në raport.
Në raport vërehet se KQZ i ka votuar njëzëri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çështjet e debatuara nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Raporti evidenton se janë shkelur afatet ligjore për caktimin e vendndodhjes së qendrave të numërimit të votave, për përzgjedhjen e partive që kanë të drejtën të emërojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të QNV-ve, ndërkohë që shumica e 66 KZAZ-ve nuk morën asnjë propozim për anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit. Gjithashtu, trajnimi i anëtarëve të KZAZ-ve për procedurat e votimit dhe numërimit pritej të fillonte më 26 prill, afro dy javë me vonesë nga planifikimi fillestar. Raporti shpreh shqetësimin për vendndodhjen e disa qendrave të votimit, që është bërë dhe objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambiente private. ODHIR ka zbuluar se në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesish, në disa raste deri në 2000 votues. Çështja e listave, sipas ODHIR-it, ka mospërputhje të vogla mes numrit të përgjithshëm të votuesve në listat përfundimtare të votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve të deklaruar nga Ministria e Brendshme.

Vendimet e Kolegjit Zgjedhor

Raporti pasqyron dhe vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor gjatë kësaj periudhe. “Kolegji pranoi që të ndryshohet edhe renditja alfabetike e subjekteve elektorale në fletën e votimit për garën për Këshillin Bashkiak dhe që Aleanca për të Ardhmen të renditet përpara Aleancës për Qytetarin. Përveç kësaj, Kolegji Zgjedhor pranoi apelimin e PS-së kundër vendimit të KQZ-së, i cili modifikonte aspektet teknike të fletës së votimit në shkallë vendi”, thuhet në raport.

Miratohet manuali për grupet e numërimit

Në mbledhjen e mbrëmshme u miratua manuali për trajnimin e anëtarëve të grupeve të numërimit. Gjatë diskutimit të këtij materiali, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, propozoi që në ambientet ku do të numërohen votat, të mos lejohet të hyjnë kandidatët për anëtarët të këshillave bashkiakë dhe komunalë. Por ky propozim i tij u hodh poshtë me pesë vota kundër dhe një pro, për shkak se kjo është parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Përdorimi i vulës rezervë

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, propozoi që administrata të përgatisë një udhëzim për përdorimin e vulave rezervë gjatë zgjedhjeve të tetë majit. Ky propozim u pranua nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe të hënën pritet të miratohet akti i ri. Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, “vulat rezervë do të përdoren në të gjitha rastet, përfshi edhe rastin nëse Kolegji do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së, sepse ai që ka për të ikur nga komisioni, do të ikë”.

Qendrat e votimit në Njësinë 4

KQZ-ja do t’i kërkojë kryetarit të Njësisë Bashkiake Nr. 4 që të kthejë në vendin ku kanë qenë në vitin 2009, katër qendra votimi. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i kërkoi administratës t’i dërgojë sa më shpejt një letër kreut të Njësisë Bashkiake. Sipas tij, nëse ky urdhër nuk do të pranohet, Vaid Kalaja i Njësisë 4 do të ndiqet penalisht. Pak ditë më parë, KQZ-ja pranoi një kërkesë të PD-së për të detyruar Njësinë Bashkiake të çojë në vendin e vitit 2009, katër qendra votimi. Ky vendim u pranua edhe nga Kolegji Zgjedhor.

ODIHR: PS, fushatë politike ndaj qeverisë

Raporti i OSBE/ODIHR-it jep dhe një pasqyrë se si partitë pjesëmarrëse në zgjedhje kanë organizuar fushatën e tyre. PS, PD dhe LSI kanë qenë të dukshme në fushatë duke ngritur një rrjet të gjerë me zyra vendore elektorale. Edhe disa parti të tjera të të dyja të koalicioneve, si edhe PBDNJ-ja, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje, kanë qenë mjaft aktive në këtë fushatë. U është vënë theksi çështjeve vendore, sidomos nga ana e PD-së, ndërsa PS-ja e ka përqendruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të Kryeministrit”, thuhet në raport.

Volfarth: KQZ, të drejtë për dënimin e komisionerëve

Presidenti Bamir Topi dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, apeluan sërish dje pas një takimi të përbashkët për rëndësinë e zgjedhjeve të 8 majit, si dhe u bënë thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje. Sipas tyre, nëpërmjet këtij procesi elektoral Shqipëria është përballë sfidës për arritjen e standardeve. Pas këtij takimi, ambasadori i OSBE-së iu përgjigj edhe gazetarëve, ku ndër të tjera ai theksoi se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të dënuar komisionerët, të cilët do të pengojnë apo bllokojnë procesin zgjedhor, është i drejtë. “Të gjithë ata që marrin përsipër detyrën për të shërbyer në qendrat e votimit dhe në komisione, t’u shërbejnë vërtet qytetarëve dhe të qëndrojnë në postet e tyre gjatë gjithë procesit zgjedhor. Duhet forcuar besimi, kështu që edhe njerëzit duhet të besojnë se mund ta hedhin votën e tyre kur shkojnë në qendrat e votimit. Për fat të keq, në të shkuarën ka pasur raste kur disa komisionerë janë larguar nga qendrat e votimit. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë përsëri. Nëse ndodh, duhet të korrigjohet. Mendoj se është shumë mirë që po bëhen përgatitjet e duhura për këtë”, tha Volfart.

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet

KQZ ka ecur përpara në drejtim të miratimit të rregulloreve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, në këtë periudhë të raportimit nuk u respektuan katër afate kohore të procesit zgjedhor.

Në përgjithësi, KQZ i ka votuar njëzëri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, por ka votuar me tendenca partiake çështjet e debatuara nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste

Shumica e KZAZ-ve duket se po punojnë me eficiencë dhe në kolegjialitet, pa probleme të mëdha. Në pothuajse të gjitha bashkitë ka qendra votimi me më shumë sesa kufiri ligjor prej 1000 votuesish të regjistruar.

Vendndodhja e disa qendrave të votimit është bërë objekt debatesh për shkak se ato janë vendosur në ambiente private.

Ka disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në listat përfundimtare të votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve, deklaruar nga Ministria e Brendshme.

Autoritetet vendore nuk kanë ndjekur gjithmonë procedura uniforme të dorëzimit të listave përfundimtare të votuesve pranë KZAZ-ve.

Aktivitetet e fushatës janë intensifikuar në shumicën e zonave të vendit. Ka pasur një theksim të fortë të çështjeve vendore, sidomos nga ana e PD-së, ndërsa PS-ja e ka përqendruar kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të Kryeministrit.

Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve të lartë për qetësi, mjedisi i tensionuar politik i muajve të fundit është pasqyruar në disa incidente të dhunshme të lidhura me fushatën.

Ka pasur një numër të madh akuzash për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve. MVZ i zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it i ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime të tjera.

Media e monitoruar po e mbulon gjerësisht fushatën zgjedhore. Më 13 prill, KQZ-ja emëroi tre
anëtarët e tjerë të Bordit të Monitorimit të Medias. Bordi ka përpiluar dy raporte javore të monitorimit të medias, por i tejkaloi kompetencat duke u dhënë paralajmërime mediave lidhur me reklamat me pagesë.

KQZ-ja nxori një vendim ku u kërkohet mediave të transmetojnë kasetat e përgatitura prej partive politike në rast se ato nuk mund ta sigurojnë vetë mbulimin e aktiviteteve elektorale në lajmet e tyre.

Duket se ky vendim shkon përtej Kodit Zgjedhor, duke u dhënë partive kompetencën për të specifikuar shpërndarjen e mbulimit me lajme ndërmjet aktiviteteve të partisë dhe kandidatëve në median private.

Në rezultatet paraprake të monitorimit të medias, MVZ i OSBE/ODIHR-it ka vërejtur se mediat janë përqendruar te PD dhe PS, duke ofruar mbulim të kufizuar të partive të tjera politike në edicionet e lajmeve.

Transmetuesi publik po i përmbush detyrimet e tij për t’u dhënë partive minutazh transmetimi falas, por në edicionet e lajmeve ka ofruar më shumë mbulim të aktiviteteve të PD-së.

Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar 25 ankimime gjatë periudhës së raportimit, shumica prej të cilave i përkasin regjistrimit të kandidatëve.

Kolegji Zgjedhor ka respektuar të drejtat procedurale të partive gjatë seancave gjyqësore, por ende nuk i ka zbardhur vendimet e tij.

 

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura