Objektet e sekretarit të Princ Vidit, dhuratë Muzeut

Nov 30, 2012 | 12:29
SHPËRNDAJE

Sendet personale vijnë në Tiranë me rastin e 100-vjetorit.

Janë 11 ekzemplarë të Armstrong, kapitenit që dinte shqip e shërbeu në Shqipëri.

Një shpatë ceremoniale, një kapelë me shqiponjë, dekorata, paleta, foto… Plot 11 objekte shumë personale të sekretarit të Princ Vidit i janë shtuar fondit të Muzeut Historik Kombëtar.  Dje, në një ceremoni modeste, Malcom Howe, i autorizuar nga e bija e sekretarit të Princ Vidit, Duncan Heaton Armstrong, i ka dhuruar muzeut këto objekte, të cilat janë përdorur nga Armstrong gjatë shërbimit të shkurtër në Shqipëri në vitin 1914. Sipas Howe, kishte qenë e bija e funksionarit të lartë austriak, Griselda Adam, tashmë 91 vjeç, e cila kishte shprehur dëshirën që ky koleksion i pakët, i mbetur nga sendet personale të të atit, të ktheheshin në Shqipëri. Vlera e tyre shtohet edhe më shumë për faktin se i janë dhuruar Armstrongut nga Princ Vidi për shërbimet si funksionar i lartë qëndrimit në Shqipëri. “Jam shumë i kënaqur që munda t’i sjell këto objekte pas disa peripecive me doganën britanike në aeroport, sidomos për shpatën. Megjithatë, këto objekte janë ruajtur me shumë kujdes nga familja Armstrong, pasi i përkisnin një historie të lidhur ngushtë me Shqipërinë. Janë objekte të rralla dhe shumë të bukura, që vijnë dëshmi nga qeverisja e Princ Vidit, këtu në Shqipëri”, u shpreh Howe. Sipas Howe-t, shumica e objekteve personale të Armstrong janë shitur në ankand, madje edhe disa prej atyre që kanë ardhur në Tiranë, por e bija ka ngulmuar t’i ruajë, madje në ndonjë rast edhe t’i blejë sërish. Për drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, është fat që këto objekte i shtohen fondit shqiptar dhe do të ekspozohen në mënyrën më të mirë të mundshme, në pavijonin përkatës, përkrahë objekteve të Princ Vidit. Për këtë dhuratë, e cila i vjen MHK-së në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, drejtori Malltezi u dorëzoi zj. Griselda Adam dhe z. Malcolm Howe-t një Dëshmi Mirënjohjeje: “Ju falënderojmë ngrohtësisht për dhurimin e objekteve të babait tuaj, ish-funksionar i lartë dhe sekretar i Princ Wied-it, Captain Duncan Heaton Armstrong, Muzeut Historik Kombëtar, dorëzuar nga z. Malcolm Howe në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”. Me këtë rast, Malltezi shfrytëzoi rastin për të bërë një thirrje që kushdo që “zotëron pasuri të tilla brenda dhe jashtë Shqipërisë, t’i dhurojë ato në Muzeun Kombëtar, të cilin kemi si detyrë ta pasurojmë dhe t’ua lëmë brezave që vijnë”. Edhe pse MHK ka një fond vjetor për blerje, duket se ai është i pamjaftueshëm për të përballuar blerje të mëdha.

Dekorata, kapela me shqiponjë dhe shpata ceremoniale dhuruar Muzeut Kombëtar
Shpata ceremoniale dhuruar Muzeut Kombëtar

Objektet
Punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar morën në dorëzim 11 objekte të sekretarit personal të Princ Vidit, Duncan Heaton Armstrong. Mes këtyre objekteve kishte foto të Armstrongut, foto të familjes Vid, foto të Princit, të firmosura nga vetë ai, gazeta të kohës, materiale informuese, një kapele e zezë me simbolin e shqiponjës e me yll, që për britanikët simbolizonte shpresën, një rrip mesi me tokëz, dekorata, spaleta (njëra prej tyre me tri yje argjendi), butona uniforme. Një nga objektet më interesante ishte pa dyshim një shpatë me këllëf, e cila mendohet se është prodhuar në Vjenë. “Është një shpatë ceremoniale, çka do të thotë se nuk është ngritur kurrë kundër dikujt me urrejtje, por është përdorur vetëm nëpër ceremoni”, tha dje Malcom Howe gjatë ceremonisë së dorëzimit të objekteve. Me humor ai tha se bëhej fjalë për një shpatë mbretërore, e cila zakonisht përdorej në ritin e shugurimit të një ushtaraku, duke e prekur në të dyja supet, ndaj edhe nuk duhet të ishte e mprehtë. Pas vdekjes së Armstrong, siç tregon Howe, objektet e tij u shpërndanë nëpër nipër, të cilët i shitën, çka e shqetësoi pa masë të bijën, e cila ua ka blerë kushërinjve këto objekte.

Sekretari që fliste shqip
Duket se objektet kanë ardhur pikërisht në vendin e duhur. Duncan Heaton Armstrong, jo vetëm ka shërbyer në Shqipëri, por dinte edhe shqip. “Drejtor Luan Malltezi, është një privilegj dhe një gëzim të kthehem në Shqipëri për të tretën herë. E para ishte në vitin 1966. Ne jemi anëtarë të Shoqatës Anglo-Shqiptare, që prej vitesh ka ndikimin e saj në Shqipëri dhe 100 vjet më parë kanë lobuar në Londër për të ndihmuar pavarësinë e Shqipërisë”, u shpreh Malcom Howe. “Familja e kapitenit Duncan ka pasur objekte të trashëguara nga koha e Princ Vidit, pasi ai ka qenë sekretar personal i tij. E bija, Griselda, u mundua t’i ruante për t’i dhuruar sot në Muzeun Historik Kombëtar”, shton ai. Sa i përket mënyrës se si Armstrong u bë sekretar personal i Vidit, Howe tregon se ai kishte nënën nga Gjermania. “Princ Vidi donte një sekretar që dinte shqip, por që gjithashtu të ishte me origjinë nga ishte edhe ai vet”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura