“Nusja në depresion, 18 vjet me vajzën ‘Daun’ e të paralizuar”

Mar 31, 2013 | 11:33
SHPËRNDAJE
Age Prela, vjehrra e 45-vjeçares, me të shoqin

Nuse e vjehrrë kanë të njëjtin emër, Age. E para ndodhet në QSUT te reparti i Toksikologjisë, pasi ka tentuar të helmojë vajzën me sindromin Daun dhe veten, ndërsa e dyta qëndron në shtëpi, nga ku i morëm një intervistë për gazetën “Panorama”. Është një banesë njëkatëshe, që ndodhet në veri të periferisë së Bathores, aty ku kryqëzohet rruga “Besëlidhja” me “Joan Straus”.

Në hyrje të saj, Age dhe Dedë Prela, burrë e grua që i kanë kaluar të 60-at, mbajnë fytyrën me pëllëmbë; një shenjë tipike e zonës nga janë shpërngulur (Sapaç, Pukë) që tregon se kanë hall. Dhe halli i tyre është vërtet i madh. Që prej mëngjesit të hershëm të së premtes, nusja e djalit dhe vajza e tyre luftuan në reanimacion për jetën. Nënë e bijë, Age 45 vjeç dhe Jonida 18 vjeç, i kanë shpëtuar vdekjes, por jo fatit dramatik. Vajza që në lindje është diagnostikuar me sindromën “Daun”, ndërsa e ëma ditët e fundit ka zbuluar se është e prekur nga tumori. Ky fakt duket se e ka çuar nënën 45- vjeçare drejt aktit të rëndë, duke helmuar veten dhe vajzën me bar miu. Siç ka treguar vetë Ageja pas daljes nga gjendja kritike, ajo e kishte kryer këtë veprim në gjendje të rënduar psikologjike, me merakun se “kush do të kujdesej për vajzën “Daun”, në rast se ajo të ndërronte jetë”. Sakaq, nusja e shtëpisë duket se e ka mbajtur të fshehtë sëmundjen e rëndë të saj. Age dhe Dedë Prela, vjehrri dhe vjehrra e saj, nuk janë në dijeni se nusja e djalit të tyre, Fatmirit, është e prekur nga tumori. Ja çfarë tregon vjehrra e 45-vjeçares…

Jeni në dijeni se si është shëndeti i Ages, nuses së djalit tuaj dhe mbesës, Jonida?

Kemi folur në telefon me djalin dhe njerëzit e tjerë të familjes e të afërmit tanë. Shyqyr Zotit na kanë thënë se janë mirë. Kanë shpëtuar për mrekulli. Edhe nuses i kishte ardhur goja, kishte filluar të fliste.

Po vajza e saj?

Ajo nuk ka folur asnjëherë. Me trup është e madhe, por nuk është e vetëdijshme dhe sjelljen e ka si fëmijë i vogël. Por të paktën fëmijët luajnë, mbesa nuk lëviz nga vendi. Është e paralizuar. As nuk lëviz, as nuk ha dot vetë, as nuk kryen asnjë lloj veprimi vetë. E ushqejmë me lugë si bebe.

Gjithnjë kështu ka qenë që nga lindja, apo këto probleme iu shkaktuan më vonë?

Që nga lindja kështu ka qenë. Është rritur në krevat e karrocë.

A keni bërë përpjekje për ta ndjekur me mjekë të specializuar apo ta integroni nëpër qendra të posaçme edukative, mësimore etj.?

Kemi bërë mjaft, por askush nuk ka çfarë t’i bëjë. Kur as flet, as lëviz, as kryen dot asnjë nevojë vetë, nuk ka shpresë. I janë mbledh të gjitha të këqijat bashkë.

Merr mbesa juaj ndonjë ndihmë financiare nga shteti për sëmundjen?

Merr KEMP, por ilaçet dhe shërbimet e tjera kushtojnë. Ne të dy jemi pensionistë, e ëma e saj pa punë gjithnjë, vëllai e motra tjetër janë ende shumë të rinj. Djali im ca punon e sjell ndonjë lek në këtë shtëpi, se me pensione dhe KEMP nuk jetohet me njeri të sëmurë, aq shumë sa është mbesa ime.

(Intervisten e plote marrë nga gazetarja ELISABETA ILNICA e lexoni në numrin e sotem te gazetes Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura