Nuk paguajnë taksat, buxhetorëve u ngrijnë llogaritë në banka

Oct 31, 2011 | 11:06
SHPËRNDAJE
Bashkia e Shkodrës

SHKODER – Bashkia e Shkodrës pritet të marrë masa ndëshkuese për 5.500 punonjës të institucioneve të ndryshme shtetërore, të cilët nuk kanë paguar taksat vendore. Taksat e Bashkisë, siç janë ato të pastrimit, gjelbërimit dhe të ndriçimit do t’u mbahen buxhetorëve nga llogaritë e tyre bankare. Ky është vendimi i fundit që ka marrë Drejtoria e Tatim-Taksave e Bashkisë së Shkodrës si masë ndëshkimore për familjet që nuk kanë paguar detyrimin ndaj institucionit vendor. Blendi Gjylbegu, drejtori i Drejtorisë së Tatim-Taksave, ka pohuar se janë 5.500 buxhetorë, të cilët janë përfshirë në listën e dërguar institucioneve përkatëse si debitorë ndaj detyrimeve të Bashkisë së qytetit verior. “Kemi bërë listën e të gjitha familjeve që janë debitore në zyrën tonë. Pra, listën e atyre që nuk kanë paguar taksën e Bashkisë. Nga kjo listë kemi nxjerrë buxhetorët, të cilët edhe pse marrin pagën në shtet, nuk shlyejnë detyrimet”, është shprehur Gjylbegu. Sipas tij, fillimisht është bërë paralajmërimi. Afati i fundit për të bërë pagesën e detyrimeve ndaj Bashkisë së Shkodrës ka qenë data 31 gusht. Meqë këto familje nuk kanë shlyer detyrimin, atëherë Bashkia është e detyruar që të vazhdojë procedurat dhe të marrë masa ndëshkimore, siç janë ato të ngrirjes së llogarive bankare, masë kjo që merret edhe për bizneset kur ato janë debitore.
“Nëpërmjet drejtuesve të institucioneve dhe të ndërmarrjeve shtetërore kemi bërë publikë emrat e të gjithë atyre punonjësve që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj Bashkisë Shkodër. Këto detyrime që kapin shifrën e 5200 lekëve dhe që përfshijnë taksat e pastrimit, të gjelbërimit dhe të ndriçimit, duhej të ishin paguar deri në fund të muajit gusht, afat ky që është vendosur me miratimin e paketës fiskale nga ana e Këshillit Bashkiak, ka sqaruar kreu i Drejtorisë së Tatim-Taksave, Blendi Gjylbegu. Sipas tij, buxhetorët janë treguar indiferentë dhe kanë vazhduar të mos paguajnë detyrimin, ndaj kanë qenë të detyruar që t’i njoftojnë edhe një herë këta qytetarë. “Pasi kemi kryer të gjitha detyrimet tona ligjore, më pas u kemi kërkuar bankave që ato të bëjnë bllokimin e veprimeve financiare për këta qytetarë”, ka bërë me dije Gjylbegu. Ai ka ngulur këmbë në faktin se veprimi i ndërmarrë prej tyre është ligjor dhe nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje të paligjshme. “Një veprim i tillë është ligjor, pasi nuk preken pagesat në borderotë e këtyre punonjësve. Në këtë rast kemi kërkuar që të bëhet ngrirja e llogarive bankare, ashtu siç veprohet edhe për bizneset e ndryshme kur ato rezultojnë të jenë debitore ndaj kujtdo qoftë, e aq më shumë ndaj Bashkisë së Shkodrës, – ka deklaruar kryetatimori Gjylbegu. Sipas tij, tashmë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe do të veprohet shumë shpejt.                 r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura