“Nuk lë jashtë skene Arben Kumbaron, se është vëllai i ministres”

Sep 30, 2014 | 13:03
SHPËRNDAJE

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli
“Nuk mund ta përjashtoj Arben Kumbaron nga teatri ngaqë është vëllai i ministres”. Kështu u është përgjigjur drejtori Hervin Çuli të gjithë atyre që kanë përfolur përfshirjen e regjisorit Arben Kumbaro në kalendarin e Teatrit Kombëtar.
Përzgjedhja e tij, si një prej regjisorëve që do të ngjisë një vepër në sezonin artistik 2014-2015 në skenën e TK, nuk kaloi në heshtje. Ndonëse një nga emrat më me peshë të skenës shqiptare, Kumbaro mbetet vëllai i ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, dhe nën zë, në tavolina apo në rrjete sociale, përfshirja e tij në kalendarin e TK-së është parë si konflikt interesi. Madje është diskutuar edhe buxheti i  shfaqjes së Kumbaros, për të cilën është thënë se ka ngrënë 60% të buxhetit të TK. I ndodhur përballë këtyre pretendimeve, drejtori i
Regjisori Arben Kumbaro
Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, ka shkruar një status të gjatë në faqen e tij në Facebook, ku jep sqarimet e tij në lidhje me këtë çështje. “Jam vënë në dijeni nëpërmjet rrjeteve sociale të dy-tri njoftimeve nga grupime anonime në fb, se në Teatrin Kombëtar po ndodhka një spekulim i madh me kostot e shfaqjeve të Arben Kumbaros, vëllait të ministres, që kushtoka 60 për qind të buxhetit të TK-së dhe të shfaqjes së drejtorit, që kushtoka 25 për qind të buxhetit të  TK-së. Për t’i shqetësuar edhe më tepër shpirtrat e spekulantëve të mjerë, që ndryshimet në TK i bëjnë më mjeranë seç janë, sqaroj: Në sezonin 2014-2015 në TK do të ketë 7 premiera. Vepra e Arben Kumbaros “Vrasja e Zhan Pol Maratit” dhe e imja “E shtunë, e diel dhe e hënë” janë projekte të vitit 2015 dhe nuk prekin fare buxhetin e 2014-s. Gjithsesi, veprat më të kushtueshme për sezonin 2014- 2015 janë tri kryevepra skenike, që i bëjnë nder TK-së”, shkruan Çuli. Sipas tij, ato janë “Liri në Bremen” nga Rainer Verner Fassbinder me regji të Sesilia Plasarit, “Tarufi” i Molierit me regji nga Erion Kames dhe “Vrasja e Zhan Pol Maratit” nga Peter Vaisse me regji nga Arben Kumbaro. Për Çulin, Kumbaro është “një nga regjisorët më të mirë shqiptarë që në tetë vjetët që shkuan, vuri vetëm një vepër në TK, e vetëm e vetëm se është vëllai i ministres, ca syresh dashkan ta përjashtokan përgjithmonë nga skena e TK-së. E kam për nder që e kam ftuar dhe e falënderoj që pranoi ftesën time”.
Drejtor-regjisor
Sa i takon veprës që vetë Çuli do të ngjisë në skenë, pikërisht një pjesë nga De Filippo, ai sqaron se ka koston më të ulët të shfaqjeve që do vihen në këtë sezon dhe 95 për qind të stafit e ka nga aktorët e punësuar në TK. “E kuptoj që edhe mua, pasi më përjashtuan për tetë vjet nga TK-ja, të njëjtët syresh duan të më përjashtojnë edhe tani. Për tetë vjet institucioni u shkatërrua nga keqmenaxhimi, dhe individët në fjalë vaditën me mediokritetin e tyre degradimin e TK-së, që në vitin e fundit vuri vetëm një premierë, ndërkohë që kishte të njëjtin buxhet që TK ka sot kur do vihen në skenë 7 premiera”, është shprehur Çuli. Gjithashtu, ai bën me dije se gjatë këtij sezoni, 5 nga regjisorët e përzgjedhur i përkasin gjeneratës së re dhe e prekin për herë të parë skenën e TK-së. “Në teatër janë kontraktuar 6 aktorë të rinj dhe priten dhe dy audicione të tjera, si kurrë më parë në këto 23 vjet. Gjithsesi, secili vazhdon në rrugën e tij, unë në timen dhe spekulantët e mjerë anonimë në të tyren. Një gjë është e sigurt: TK është një institucion në ndryshim rrënjësor, ndryshim që ka filluar dhe nuk ndalet më. Zoti i faltë të paudhët se mua s’kanë ç’më bëjnë”, e ka mbyllur sqarimin e tij Çuli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura