NSA ka përgjuar edhe Papën, agjentët e BE “kishin dijeni”

Oct 31, 2013 | 14:24
SHPËRNDAJE

Qendra e përgjimeve të NSA-së në Bad Aibling, Gjermani
Obama u kërkon agjentëve të sigurisë të limitojnë survejimin në OKB.

Delegacioni gjerman në SHBA, Kleper: Edhe BE na spiunon.

Skandali i përgjimeve amerikane po zgjerohet dhe ka prekur edhe Selinë e Shenjtë të katolikëve në Vatikan.  Pas zbulimit se edhe në Itali janë përgjuar rreth 46 milionë telefonata brenda një muaji, Kryeministrit Enriko Leta ka mbledhur Këshillin e Sigurisë. Por së fundmi u zbulua se mes 46 milionë thirrjeve të përgjuara janë edhe ato të Papës dhe kardinalëve. Përgjimet e publikuara, ashtu si edhe në Francë dhe në Spanjë, kanë të bëjnë me periudhën 10 dhjetor 2012 – 8 janar 2013. Në atë kohë përgjohej Papa Benedikti XVI, por edhe kardinalët që do të zgjidhnin Papën e ri, pra edhe vetë Papa Françesku kur ishte kardinali Bergoglio, i cili, sipas raporteve, thuhet se përgjohej që nga viti 2005 nga shërbimet amerikane të inteligjencës.  Pas publikimit të lajmit, zëdhënësi i Vatikanit, Atë Lombardi, tha se “nuk jemi të shqetësuar”. Kreu i NSA, gjenerali Keith Aleksander, u është përgjigjur akuzave të publikuara në shtypin europian se “nuk i kemi mbledhur ne informacionet, por na janë ofruar nga partnerët tanë europianë”. E përditshmja spanjolle “El Mundo” shkruan se agjentët spanjollë jo vetëm kishin dijeni mbi spiunimet, por ua kishin lehtësuar punën kolegëve të tyre amerikanë, bazuar në dokumentet e Snouden, ish-kontraktori i NSA që publikoi sekretet. Edhe francezja “Le Monde” shkruan se kanë qenë vetë agjentët francezë dhe ata italianë që u kanë dorëzuar të dhënat spiunëve amerikanë. Ndërkohë në Uashington ka mbërritur delegacioni gjerman me specialistë të inteligjencës, i cili ka nisur takimet me zyrtarët amerikanë për të marrë sqarime mbi programin e përgjimeve, që ka prekur edhe vetë kancelaren Angela Merkel. Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Fridrish, ka paralajmëruar se në rast se ndonjë diplomat amerikan ishte përfshirë në përgjime, ai mund të dëbohet nga vendi. Pas zgjerimit të skandalit, Obama u ka kërkuar agjentëve të NSA-së të limitojnë spiunimin në selinë e OKB-së. Ndërsa një zyrtar amerikan i sigurisë, Xhejms Kleper, ka deklaruar se “edhe aleatët europianë na përgjojnë”. “Kur dëgjoj të flitet mbi aktivitetin e survejimit më kujtohet një skenë e filmit ‘Kazablanka’, kur komisari mbyll lokalin e Bogart, duke thënë ‘këtu luhet ilegalisht’, dhe ndërkohë fut paratë në xhep”.

Përgjimet e “Google” dhe “Yahoo”
“National Security Agency” (NSA) dhe kolegët e tyre britanikë kanë hakeruar direkt të dhënat e “Google” (GOOG) dhe “Yahoo” (YHOO) duke përgjuar territorin e huaj pa dijeninë e kompanive të “Silicon Valley”, tregon një raport i ri nga Eduard Snouden. Sipas “Washington Post”, NSA dhe ekuivalenti britanik “GCHQ” kanë marrë të dhëna politikanësh, qytetarësh e kompanish nga e-mail-et dhe vetëm brenda 30 ditësh kanë arritur të mbledhin, dekodojnë dhe dërgojnë 181 280 466 regjistrime. Projekti quhej “MUSCULAR”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura