Noli ndalohet në Kishën e Durrësit, busti në Elbasan

Jun 30, 2014 | 13:20
SHPËRNDAJE

Gjatë ceremonisë për vendosjen e bustit të Nolit në Elbasan
100 vite më parë dha meshën e parë në shqip

Nuk e pranojnë në Durrës, busti i Fan Nolit vendoset në Kishën e Elbasanit.
Sa patriotike, edhe besimtare ishte ceremonia e vendosjes në altarin e Kishës Shën Mëria në Elbasan të bustit të themeluesit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Fan Noli. Busti është realizuar nga skulptori Idriz Balani në kuadër të 100-vjetorit të meshës së parë shqip në trojet tona, pikërisht në Kishën e Shën Spiridonit në Durrës. Me iniciativën e shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe me kontributin monetar të kryetares së kësaj shoqate Lida Jorgoni, të vesë së personalitetit të letrave shqipe Perikli Jorgono, busti i Fan Nolit është kthyer përgjithnjë në kishën që ai vetë e themeloi në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit. Famulltari i Kishës Shën Mëria, at Nikolla Marku, ka mbajtur edhe një meshë përshpirtjeje dhe shenjtërimi në nder të figurës së shquar së Nolit. “Fan Noli, ky shenjt i ortodoksisë shqiptare, ia doli të njihej nga Patriarkana e Stambollit së bashku me një statut të përjetshëm që e mbron Kishën Ortodokse dhe sovranitetin e kombit shqiptar nga çdo ndërhyrje shoviniste dhe pushtuese”, tha në fjalën e tij at Nikolla Marku në prani të shumë besimtarëve ortodoksë, por edhe patriotëve të njohur elbasanas. “I shenjti Fan Noli, ne ju kërkojmë falje, sepse sot Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare që ti e themelove nuk është e pavarur dhe është e pushtuar nga grekë dhe shovinistë me një të ashtuquajtur Janullatos. Fatkeqësisht, sot Kisha nuk është e shqiptarëve, por e shovinistëve vorio-epiriotë dhe atyre që kanë bërë gjenocid me shqiptarët që në Çamëri e në Kosovë. Së bashku me kryepeshkopin serb Ireneu, duan gjunjëzimin e kombit shqiptar nga Ballkani dhe trojet etnike shqiptare”, u shpreh Marku. Lida Jorgoni, kryetarja e shoqatës, tha se ishte e vështirë të arrinte deri këtu, në realizimin e një shtatoreje të Fan Nolit. Sipas saj, në Kishën e Durrësit u ndalua vendosja e kësaj shtatoreje nga Janullatosi dhe ai tashmë u kthye në Kishën e Elbasanit, të cilën e themeloi vetë.

Përfaqësuesit e Durrësit: Nuk patëm kërkesë
Përfaqësuesit e Kishës në Durrës, në një deklaratë për shtyp e hodhën poshtë faktin se tek ta është paraqitur kërkesa për bustin e Nolit. “Sqarojmë besimtarët ortodoksë dhe të gjithë opinionin e gjerë publik se kemi qenë dhe jemi dakord që busti i tij të vendoset në qytetin tonë. Ju bëjmë me dije se, pas informacioneve jozyrtare që morëm, ne kontaktuam me personat nismëtarë, ku edhe një herë shprehëm gatishmërinë tonë për vendosjen e bustit në Durrës. Gjatë kësaj kohe kemi qenë në pritje të kërkesës zyrtare nga ana e tyre, në mënyrë që në vazhdim të ndiqeshin të gjitha rrugët e ligjshme institucionale për realizimin final. Deri në këto momente nuk kemi ende një kërkesë zyrtare në adresë të Kisha Ortodokse Autoqefale Shqipërisë, Zëvendësia Arkihieratike ‘Apostull Pavli & Shën Asti’, Durrës”, ishte deklarata e djeshme. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” vënë në dispozicionin kërkesën e bërë që më datë 18 qershor, por nuk morën kurrë përgjigje. Për këtë arsye vendosën që busti i Nolit të vendoset në Kishën Shën Mëria në Elbasan.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura