Një Parlament për t’u harruar

May 31, 2013 | 13:01
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE

Parlamenti shqiptar i mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme, për t’í hapur rrugën mbledhjes  së Parlamentit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo ishte “mbyllja” e dytë e punimeve, pas mbylljes që ishte bërë ditë më parë, për shkak të zgjedhjeve të reja.  Megjithatë, në të dyja rastet, nuk pati ceremoni të mbylljes së punimeve, nuk pati “mirupafshim” dhe as “lamtumirë”. Nuk pati “darkë të fundit” për “baballarët” e kombit, siç ka qenë traditë në vitet e tjera për mbylljen e punimeve të një legjislature. Pati vetëm tri minuta votim, pas tri orë gër-mëreve midis përfaqësuesve të të dyja palëve: qeverisë dhe opozitës. A thua se nuk kishte vend tjetër për të bërë fushatë elektorale, duke ia bërë edhe një herë tjetër biografinë në shtatë breza njëri–tjetrit.
Kryetarja e Kuvendit nuk guxoi t’i ftojë deputetët për një çaj të fundit, sepse ata kanë marrë rrugët, shumë prej tyre të zemëruar (jo pa të drejtë) pse nuk do të jenë më në sallën e Kuvendit të ri. Jo më pak e zemëruar, me sa duket, është edhe vetë kryetarja (në detyrë) prej zhvillimeve të fundit me listat e deputetëve të rinj në partinë e saj.
Shumë prej deputetëve janë larguar nga listat e parlamentarëve të ardhshëm, në mënyrë të padenjë. Askush nuk u tha atyre “faleminderit” për punën e mirë që kanë bërë gjatë katër viteve. Askush nuk u tha që keni punuar keq, prandaj nuk do të jeni më deputetë. Ata thjesht e panë veten jashtë listave të reja, të botuara një mëngjes maji nëpër faqet e gazetave, dhe vetëm kaq. Shumica e tyre, në fakt, e kanë merituar këtë shpërfillje. Që kur u futën në Parlament katër vjet më parë, ata erdhën atje, sepse kështu deshën kryetarët e partive respektive, jo se kështu deshi populli. Ata ishin “deputetë të kooperativës”, të dalë nga një Kod Elektoral i përçudnuar, që shpreh vullnetin e kryetarëve të partive, por jo edhe vullnetin e popullit.  Ky Parlament ishte më jo-legjitim, në mënyrën se si u zgjodh. Hije të mëdha dyshimi u hodhën mbi të për manipulim të zgjedhjeve të katër viteve më parë. Dhe ai nuk bëri as aktin më të vogël për të vërtetuar të kundërtën e akuzave ndaj tij: nuk pranoi të hapet qoftë edhe një kuti e vetme, për të parë nëse kishin bazë akuzat e opozitës për manipulime apo jo. Ai thjesht i mbajti dyshimet për manipulim katër vjet mbi shpinë. Si i tillë, nuk mundi të ishte kurrë një institucion i besueshëm për shqiptarët. Që kur u miratua ky Kod Elektoral, që është në fuqi sot, sovraniteti, që sipas Kushtetutës i takonte popullit (neni 2, pika 1e saj), tani u kaloi dy apo tre kryetarëve të partive, që hartojnë listat e deputetëve. Votimet janë bërë që më parë, kur u hartuan listat e kandidatëve për deputetë dhe u regjistruan në KQZ. Populli do të vendosë vetëm për shtatë a tetë deputetë që janë në fund të listave, dhe vetëm kaq. Këta deputetë të deklaruar zyrtarisht që pa u zhvilluar zgjedhjet, nuk kanë nevojë të shkojnë në popull për të kërkuar vota, për të parë se si jeton populli, për të parë se çfarë hallesh ka populli atje në majë të malit, apo në mes të kënetës. Jo, populli ka për detyrë të votojë, edhe pa u kërkuar llogari deputetëve për atë që kanë bërë e për atë që nuk kanë bërë gjatë katër vjetëve.  Ky Kod i ri dhe i vjetër Elektoral në fuqi, i miratuar në vitin 2008, e largoi popullin nga deputetët, krijoi një hendek të madh midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve të tij. Ai i bëri deputetët që ta shikojnë popullin “me dylbi” që nga qyteti, por jo të venë atje ku jeton ai. Prandaj, këta deputetët e sotëm janë me të vërtetë deputetë të “inkubatorëve” të kryetarëve të partive.  Nga Grupi Parlamentar i opozitës, gjatë katër viteve të legjislaturës parlamentare që u mbyll, u larguan tetë deputetë. Dikush u përjashtua nga partia, dikush tjetër u “vetëpërjashtua” dhe u radhit në parti të tjera. Dikush u largua nga Parlamenti, për biznese të tjera më fitimprurëse, sesa rroga e deputetit etj. Kështu, deri në ditën e fundit të mandatit hemorragjia e opozitës në atë Parlament ishte e paparë ndonjëherë në legjislaturat e mëparshme. Ky ishte Parlamenti, ku deputetët mund të ndërronin parti me atë lehtësi, siç ndërrojnë kollaret në mëngjes. Kjo dëshmoi se zgjedhja e tyre nuk ishte ajo e duhura.
Në kampin tjetër, atë të maxhorancës, nuk pati përjashtime e largime. “Uniteti” atje ishte i çeliktë rreth udhëheqësit. Sepse Kodi Elektoral është i tillë që po deshi udhëheqësi, bëhesh deputet e po nuk deshi ai, nuk bëhesh. Prandaj “t’i bindemi përulësisht udhëheqësit”, deri në momentin e fundit, deri në hartimin prej tij të listave të reja të deputetëve. Humori i deputetëve është gjegjësisht i varur nga humori i kryetarit të partisë.
Dhe kur e panë veten jashtë listave të reja në mënyrë masive, ata prapë i qëndruan besnikë udhëheqësit. Gati dyzetë për qind e deputetëve të PD-së e panë veten jashtë Parlamentit të ri, por ata prapë nuk u ligështuan, nuk kundërshtuan, nuk shfaqën pakënaqësi, nuk u zemëruan me kryetarin. Gjatë katër viteve të kaluara, ata kishin kryer “shkollën e bindjes” absolute ndaj udhëheqësit, prandaj tani nuk mund të rebeloheshin dot më ndaj tij. Shpina e tyre kishte mbetur e kërrusur përgjithmonë. Udhëheqësi ta vë ose ta heq emrin nga lista kur të dojë, ky është fati i deputetëve të tanishëm. Ky është depersonalizimi i deputetëve “të popullit”.
Gjatë katër viteve të fundit, Kuvendi pati një speakere, që nuk u bë dot kurrë kryetare e tij, megjithëse qëndroi tetë vjet në këtë detyrë. Ajo mbeti thjesht një nënkryetare partie, por jo një kryetare Kuvendi. Zelli i saj i pashuar ishin udhëtimet e pafundme jashtë shtetit, me dietat e paguara nga buxheti i shtetit. Për orekset e udhëtimeve të saj, nuk pati efekte të krizës financiare.
Te drejtimi i saj mungoi përpjekja minimale për të ulur tensionet politike, për të nxitur marrëveshjen dhe kompromisin mes palëve, në këtë institucion të rëndësishëm të shtetit. Mungoi tërësisht dialogu dhe mirëkuptimi, qoftë edhe për të miratuar Rregulloren e Parlamentit, pa folur më tej. Opozitës nuk iu la hapësirë për asnjë nismë legjislative, qoftë kjo për ligje të ndryshme apo për probleme të tjera të rëndësishme. Këto u shkruan edhe nëpër raporte të ndërkombëtareve.
Aq e zellshme u tregua ajo në partitizmin e saj, saqë edhe ajo e pa veten, më në fund, të mënjanuar nga procesi i hartimit të listave të reja të deputetëve të partisë së saj. Kjo bëri që disa analistë të flasin për “fillimin e fundit” të saj në politikë. Ajo tani thjesht i prish punë partisë me qëndrimet e saj ekstremiste, sidomos në fushatë elektorale.
Ky Parlament ishte arenë konfliktesh të ashpra midis palëve. Nuk munguan zënkat, sharjet, vulgaritetet, bojkotimet, ofendimet, kërcënimet etj., ndoshta si në asnjë parlament tjetër të botës. Mbyllja e punimeve të këtij Kuvendi me “Komisionin e veshit”, ishte kopertura më groteske e tij. Besoj se për shumë vite nuk do të ketë shembull më tipik të keqpërdorimit të emrit të një Parlamenti, sesa ky i “komisionit të veshit”. Të gjitha këto bënë që ky Parlament të jetë më i padenji në historinë 23-vjeçare të parlamenteve tona demokratike. Ose ndryshe,  ishte dukshëm nën nivelin e popullit që pretendon se përfaqëson. Prandaj është më mirë që u mbyll. E la popullin për nja dy muaj të qetë në hallet që ka. I harruar qoftë kujtimi i tij!
Por vetëm kaq. Sepse barku që atë Parlament e polli, Kodi Elektoral, me listat shumemërore të deputetëve, akoma nuk është shterpëzuar. Ai është ende në fuqi. Është i njëjti Kod mbi të cilin po organizohen edhe zgjedhjet e tanishme parlamentare. Prandaj, produkti i tij i ri nuk pritet të jetë më i mirë. Megjithatë, le të presim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura