Një “martir”, eksponent i hetuesisë së diktaturës

Apr 30, 2013 | 12:37
SHPËRNDAJE

SADIK BEJKO

Personazhi i këtij shkrimi është Kristofor Martiro. Prej disa muajsh emri i tij është në faqen e parë të disa prej të përditshmeve tona.
Për atë lexues që nuk e di se kush është K. Martiro, po themi se ai ka qenë një nga oficerët e lartë të Sigurimit të Shtetit, drejtor drejtorie në famëkeqen Ministri të Brendshme të kohës së diktaturës, hetues i nivelit që merrte në pyetje figurat më të njohura të politikës së atyre viteve, hetues i Beqir Ballukut, anëtar i Byrosë Politike, njëri nga katër më të rëndësishmit e shtetit shqiptar të kohës së diktaturës, i cili pas vitit 1975 u ekzekutua nga po ai regjim; hetues i Vasil Katit dhe i Kiço Ngjelës, nëpunës të lartë të shtetit, respektivisht zëvendësministër dhe ministër i Tregtisë, që për paranojën e diktatorit u përfshinë në listat e grupeve armiqësore kundër shtetit të asaj kohe dhe u dënuan me burgime të rënda.
Të gjitha këto gjyqe kanë qenë të manipuluara, të dënuarit u janë nënshtruar hetuesive çnjerëzore dhe u ka ikur koka apo kanë marrë dënime të rënda vetëm se ashtu i pëlqente diktatorit.
1.
K. Martiro nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ua ka bërë jetën ferr, vetëm se i ka dhunuar psikologjikisht, i ka ulur netëve të ftohta të dimrit, apo në vapën mbytëse të verës në karriget e fëlliqura të qelive të burgjeve disa nga këta të burgosur të rëndësishëm për kohën. Kuptohet se ai ka qenë i specializuar për tortura të tilla pa asnjë shkak juridik bindës dhe i sprovuar e i devotshëm për shefat e tij. Kjo rreptësi dhe vendosmëri për të dënuar njerëz të pafajshëm ndaj atij regjimi, për të mos thënë për të dënuar disa nga ata që e kishin bërë me duart e tyre atë regjim, i kishte dhënë Kristofor Martiros ngritjen në shkallët më të larta të karrierës. Këtë veprimtari ai e pohon me gojën e tij, madje jo pa një farë krenarie.
Kaq do të mjaftonte për ta bërë Kristofor Martiron njeri të urryer. Atë apo cilindo në botë, sot e në çdo kohë qoftë, nuk mund ta justifikojnë rrethanat apo bindjet e tij. Madje, meqë siç pretendon, ka qenë i përgatitur profesionalisht dhe njeri me një arsyetim normal, ai vetakuzohet edhe më shumë. Domethënë, ka pasur prirjen për të shërbyer në punë të padenja, për t’u ofruar të fuqishmëve të kohës shërbime kriminale dhe për të nxjerrë përfitime, karrierë e mirëqenie si i tillë. Nuk ka pasur skrupuj moralë apo profesionalë, por, edhe nëse mund të ketë pasur të tilla shtysa, i ka shtypur. Verbërisht dhe i bindur ndaj porosive të shefave, energjinë dhe aftësitë e veta i ka vënë në shërbim jo të drejtësisë, por të padrejtësisë.
2. Si i tillë, ai njëjtësohet me veglat tipike të cilitdo regjimi totalitar. Veglat gjithmonë janë zgjedhur për aftësinë e mbrapshtë që të çojnë në burg a në ekzekutim cilindo që politika e kohës ia paracakton një fat të tillë. Fati është i paracaktuar, veglat vetëm sa i japin fasadën juridike krimit, vrasjes qoftë a burgosjes. Për regjimet kriminale, komuniste, fashiste a të çdo diktature tjetër, vrasjet, burgimet e kundërshtarëve, vrasjet masive, kampet shfarosëse, internimet a transferimet e popullsive janë në natyrën e tyre. Janë ndëshkime individuale që pasohen dhe me ndëshkime të familjarëve. Shpesh këto ndëshkime janë zhdukje, vrasje të pastra pa asnjë motiv tjetër. Në publik të tilla krime, sa për sy e faqe duhet të duken të ligjshme, të duken se janë kryer gjoja për ndonjë arsye shtetërore. Krime të tilla që nuk ekzistonin, sajoheshin. Për të fabrikuar armiq edhe kur nuk kishte, ishte krijuar Sigurimi i Shtetit, hetuesitë, prokuroritë, gjykatat. Njerëzit që punonin në këto zyra duhet të ishin të aftë për t’i përlyer ndërgjegjet e deri duart e tyre në djersët e ankthit dhe të gjakut të viktimave.
Ky është roli i vështirë, i panjerëzishëm, për të mos thënë tërësisht kriminal, që ka luajtur K. Martiro.
Për të mos u marrë direkt me K. Martiron, po themi se figura të tilla fatkeqe dhe të urryera, me të njëjtat metoda dhe mjete dhune kanë shërbyer në kampet naziste a në diktaturat presidenciale a gjysmëfashiste të derivonshme në shumë shtete. Veglat janë figura më tipike, më e drejtpërdrejtë e më gjakësore e regjimit. Diktatorët dalin në publik me duar të pastra, me dorashka të bardha, se veglat e tyre atje në qelitë e hetuesisë ndotin duart me gjak për llogari të tyre. Nëse është e pranuar dhe e provuar gjerësisht se regjimi i Hoxhës ishte ndër regjimet më kriminale të llojit të vet, ai regjim krimet i ka kryer me duart e  veglave të Sigurimit të Shtetit.
Fati i mëtejshëm i disa prej veglave të diktaturave është tragjik. Pasi spastrohen armiqtë e regjimit, shumë prej hetuesve, gjyqtarëve a xhelatëve të tillë të lartë, si dje edhe sot nëpër kohë, e pësojnë gati njëlloj si viktimat e tyre. Spastrohen “armiqtë”, por digjen e asgjësohen edhe veglat me të cilat ata u spastruan. Kështu i ndodhi dhe Kristofor Martiros. Edhe ai pati privilegjin dhe fatin e përjetshëm të veglave që u shërbejnë devotshmërisht e paligjshmërisht regjimeve represive: bëri disa vjet burg me akuzën e armikut të regjimit.
3. Me vegla të tilla nuk merret as historia, as gazetaria, veç kur ata zbulojnë të dhëna me interes publik të një rëndësie të veçantë. Nuk kemi ndër mend t’u japim këshilla gazetave, pse ato krijojnë ndonjëherë dosierë të tillë, për të dhënat që shtjellojnë, apo edhe për vlerën morale të tyre. Gazetat mbase më shumë u intereson tregu, ajo pjesë e lexuesve që ende ndiejnë tërheqje ndaj historive të diktaturës me krime, me viktima dhe të viktimizuar prej punës së paligjshme me viktimat e krimit diktatorial.
4. Kristofor Martiron, këtë personazh të frikshëm e grotesk të filmave horror me temë nga burgjet komuniste, po aq sa edhe një viktimë të funksionit dhe të profesionit të vet, e nxori nga gjumi i harresës Spartak Ngjela. Ngjela shkruan për të në vëllimin e dytë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e diktaturës…”. Sipas tij, hetuesi K. Martiro pa asnjë titull juridik i shkonte S. Ngjelës në qelinë e hetuesisë. Pra, K. Martiro thyente praktikat procedurale ligjore të kohës së vet. Kërkon falje për këtë veprim Martiro? Për këtë do flasim në fund të këtij shkrimi.
Një nga faktet më tronditëse që sjell Ngjela në librin e tij lidhet po me hetuesin Kristofor Martiro. Ai shkruan për një amanet që i ka lënë i burgosuri Vasil Kati, një diplomat dhe nëpunës i tregtisë së jashtme, i njohur jo aq si aparatçik komunist, sesa si specialist i lartë në ekonomi dhe në tregti. Vasil Kati, ky burrë i sëmurë në Burgun e Burrelit, i moshuar e në buzë të varrit, që nuk e di a do të dalë i gjallë nga burgu, i lë amanet S. Ngjelës që i biri, Ardiani, duhet të vrasë patjetër Kristofor Martiron, hetuesin e tij. Një porosi shumë e rëndë. Me këtë që po porosiste, ai merrte më qafë për gjithmonë të birin. E bënte kriminel dhe e ndëshkonte me jetë, po të kemi parasysh ligjet e diktaturës. Lë një porosi të tillë vrasëse për të birin një baba? E bënte këtë pa ndonjë arsye të fortë një njeri i ftilluar si V. Kati, i njohur për ekuilibrin dhe racionalitetin në veprime? Këtë baba, këtë njeri të arsyeshëm, diçka përtej njerëzores e ka detyruar të lërë një porosi të tillë vdekjeprurëse për të birin. Një fakt i tillë na bën të reflektojmë për atë që kanë pësuar viktimat e K. Martiros me shokë. Çdo shoqëri normale që kërkon shëndoshjen morale e shpirtërore mbron të drejtën e viktimave, jo të ekzekutorëve. Të paktën ekzekutorët duhet të shfaqin pendesë.
5. Por si reagon sot K. Martiro? A ka ndjesë në dëshmitë e tij të sotme? Sigurisht që jo. Ai reagon me justifikimet bajate. Ndonëse nuk kishte asnjë provë, ai i arrestoi dhe i hetoi gjatë Vasil Katin dhe Kiço Ngjelën, ngaqë nuk kishte ç’bënte. Sipas tij, si burgimi, si dënimi i tyre ishte paracaktuar nga politika. Asnjë brejtje të ndërgjegjes, asnjë kërkim të faljes nuk gjen tek ai. Në një shkrim të botuar ai, për të na provuar se ka qenë i mësuar, afishon notat e tij të shkëlqyera në diplomën universitare dhe hidhet në akuza ndaj Spartak Ngjelës. Sipas tij, Spartak Ngjela paska qene njeri i orgjive dhe një lajkatues i regjimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura