Një listë dëshirash po të fitoni lotarinë

Jun 30, 2014 | 12:53
SHPËRNDAJE

Titulli: Lista e dëshirave të mia
Autori: Gregoire Delacourt
Përktheu: Blerta Hyska
Zhanri: Roman
Numri i faqeve: 138
Çmimi: 500 lekë
Po të fitonit lotarinë, sa do të ndryshonit nga jeta juaj dhe si? Besoj se këtë pyetje ia bën vetes kushdo, edhe ata që nuk kanë hedhur kurrë lotari në jetën e tyre. Por, personazhes së një prej botimeve më të fundit të shtëpisë botuese “Pegi”, “Lista e dëshirave”, i ka ndodhur pikërisht mrekullia.  
Zhoslina (Zho) jeton në një qytezë të vogël në Francë. Ajo ka një dyqan të vogël tekstilesh dhe ka rritur dy fëmijë. Kohët e fundit ka filluar të pyesë veten se çfarë ndodhi me gjithë ëndrrat që kishte kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. A mund të kishte qenë ndryshe jeta e saj? Pastaj ajo fiton lotarinë, 18.5 milionë euro për të qenë të saktë, dhe papritur gjithë mundësitë e kësaj bote shpalosen para saj. Por ajo vendos të mos e ndajë me askënd këtë lajm të mirë, as me bashkëshortin e saj, të paktën për pak kohë. Me çekun e fshehur diku në shtëpi, ajo fillon të bëjë një listë të të gjitha gjërave që mund të bëjë me ato para. Çfarë do të donte ajo të ndryshonte vërtet nga jeta e saj?
Me mbi gjysmë milion kopje të shitura vetëm në Francë dhe i përkthyer në 27 vende të botës, ky roman i dytë i Grégoire Delacourt-it njohu një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Sipas të përjavshmes franceze “L’Express”: “Ky roman, në një kontekst krize ekonomike, prek ndjeshmërinë e lexuesve që rizbulojnë kënaqësitë e thjeshta të jetës. Zhoja na mëson se si të jetojmë modestisht, por të lumtur e të qetë. Ndër vite ajo ka seleksionuar gjërat që duhen ruajtur në kujtesë, gjithmonë më të mirat. Ka diçka terapeutike në mënyrën e saj të të ekzistuarit, diçka që shëron; deri diku, ky është një libër antidepresiv”.
“Lista e dëshirave të mia” është përshtatur për teatrin, në Paris në vitin 2013 dhe për kinemanë, me një film që pritet të dalë së shpejti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura