Një libër për artin e shtatë në Tiranë

May 31, 2011 | 10:51
SHPËRNDAJE

E gjithë historia e kinemave dhe filmit në Tiranë vjen përmes një libri. Nesër, në sallën e kinemasë së AQSHF organizohet promovimi i librit “Arti i shtatë në Tiranë”, botim i AQSHF, me autor Spiro Mëhillin. “Arti i shtatë në Tiranë” i Spiro Mëhillit, është një guidë e munguar dhe e domosdoshme mbi kinematë dhe filmat që janë shfaqur në kryeqytetin shqiptar. ¨shtë historia afro njëshekullore e këtij arti, që daton thuajse me jetën e vetë Tiranës si kryeqytet. I ndërtuar mbi fakte dhe dokumente të patjetërsueshme, me burime arkivore dhe nga shtypi i ditës, libri është një pasqyrë e filmit dhe e kinemave të kryeqytetit, duke filluar nga viti 1920 e deri në ditët e sotme, në muajt e parë të dekadës së dytë të shekullit XXI. Pas një sërë librash artistikë dhe një studimi mbi Tiranën, Spiro Mëhilli e ndjeu si një detyrim moral ta shkruante këtë libër, “për më tepër që im atë dhe dy xhaxhallarët e mi, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë të lidhur me mrekullinë e artit të shtatë. Për këtë jam mbështetur në kujtimet e mia, të babait, xhaxhallarëve”. Libri është një udhëtim kronologjik mbi kinematë e ndërtuara në Tiranë, nga e para kinema e vitit 1926, kinema “Nacional” e deri te kinematë e fundit në kryeqytet, si ajo e Arkivit të Filmit. Një ndihmë të madhe autorit i kanë dhënë dokumentet, fotografitë dhe të dhënat gojore të disa prej fëmijëve të ish-pronarëve të kinemave të para në Tiranë, si Nuri Beshiri, Nasi Hobdari, Reshat Qosja, Halit dhe Ali Sheqeri, Aurel Plasari e më tej, Zhani Canco, Gazmend Bakiu, Njazi e Bardhyl Lleshi, Igli Kamber Bego, Aleksandër Janku, e shumë të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura