Një kosovare mes viktimave të talibanëve

Oct 31, 2011 | 11:16
SHPËRNDAJE

Nga sulmi kundër NATO-s

Vajza nga Ferizaj, e kontraktuar nga një kompani amerikane

Sulmi i së shtunës në Afganistan, ku një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu kundër autokolonës së NATO-s, ka marrë edhe jetën e një të reje kosovare, e cila ishte e kontraktuar nga një kompani private amerikane që operonte në këtë vend. Vajza ishte nga Ferizaj dhe ndodhej në një autobus të blinduar ushtarak në Kabul, sipas portalit “KosovaTimes”. Nga sulmi kanë humbur jetën 17 persona, mes të cilëve thuhet se 13 janë shtetas amerikanë, shtetasja kosovare, dy shtetas britanik dhe një kanadez. Edhe pse zyrtarisht nuk ka detaje për ngjarjen, mediat kosovare shkruajnë  se familja e vajzës është kontaktuar të shtunën nga kompania e kontraktuar prej ushtrisë amerikane, për t’u njoftuar për ngjarjen e rëndë. Sulmi u mor përsipër nga talibanët. Në Kosovë, Ferizaj është një nga qytetet që ka shumë njerëz të punësuar nëpër kompanitë amerikane në Afganistan e Irak. Vdekjen e një shtetaseje kosovare, identiteti i së cilës nuk është bërë i njohur, e ka konfirmuar edhe një diplomat perëndimor për CNN. “Shpërthimi i së shtunës, i cili mori jetët e dy civilëve britanikë, një shtetasi të Kosovës dhe një ushtari kanadez, ndodhi kur një veturë e mbushur me eksploziv goditi një autobus të blinduar në konvojin e NATO-s”, tha të dielën një diplomat perëndimor për CNN-in.

Ushtarë apo civilë?
Zëdhënësi i talibanëve tha se janë vrarë 16 ushtarë të huaj, një civil, dhe janë lënduar disa të tjerë. Ndërsa burime nga Ambasada Britanike në Kabul, bazuar në informacione nga NATO, shprehen se janë vrarë pesë ushtarë, përfshirë një kanadez, tetë punonjës të kontraktuar civilë dhe katër afganë. Presidenti afgan, Hamid Karzai, ka shprehur ngushëllime për viktimat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura