Një i vrarë në Athinë, greku masakron shqiptarët

Apr 30, 2012 | 14:12
SHPËRNDAJE

Autori 28-vjeçar pati debat me emigrantët, pasi i ndoqi me makinë.

Ekzekutohet Dilaver Gjini, plagoset Flamur Osmenaj.

Vritet në mënyrë makabre një shqiptar në Athinë, ndërsa një tjetër plagoset rëndë në një incident të rëndë me armë. Autori i krimit është një shtetas grek në moshën 28-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë në lagjen “Menidhi” në Athinë. Shtetasit shqiptarë, Dilaver Gjini, 58 vjeç dhe Flamur Osmenaj, 54 vjeç, kanë qenë së bashku me disa emigrantë të tjerë në anë të rrugës duke pritur për punë. Shtetasi grek ka kaluar aty me makinë dhe si pasojë e humbjes së kontrollit ka rrezikuar të godasë emigrantët shqiptarë që ndodheshin në anë të rrugës. Pas këtij incidenti ka pasur një debat mes shqiptarëve dhe shtetasit grek për shkak të lëvizjes së pakontrolluar të makinës. Ndërkohë që shtetasi grek ka arritur të largohet pas debatit me shqiptarë, për t’u kthyer aty disa minuta më pas. Shqiptarët kanë parandjerë rrezikun dhe kanë dashur të shmangen, por autori i ngjarjes i ka ndjekur me makinë të paktën 100 metra. Duke mbajtur një armë në duar, 28-vjeçari grek ka qëlluar me breshëri armësh në drejtim të shqiptarëve, duke plagosur fillimisht shtetasin Dilaver Gjini. Në këtë kohë ka ndërhyrë shqiptari tjetër, Flamur Osmenaj, që është përpjekur të ndalojë të shtënat me armë nga i riu grek. Ky i fundit ka kuptuar qëllimet e shqiptarit të dytë dhe e ka goditur atë me makinë, duke e tërhequr zvarrë disa metra.
Masakra
Pasi kishte plagosur të dy shqiptarët që kishin rënë përtokë, shtetasi grek ka dalë nga automjeti i tij dhe me armën në dorë është afruar te shtetasi Dilaver Gjini. Nga një distancë prej më pak se një metër, shtetasi grek ka qëlluar disa herë me plumba shqiptarin, duke i mbajtur tytën e armës në gjoks. Emigranti ka gjetur vdekjen menjëherë. Më pas shtetasi grek, që mendohet se ka qenë nën ndonjë efekt lënde droguese, ka shtënë me armë edhe ndaj një emigranti pakistanez, të cilin e la të plagosur. Pakistanezi është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai besohet se do të jetë një dëshmitar me rëndësi për hetimin. Shtetasi grek ndërkohë ka arritur të largohet i pashqetësuar nga vendi i ngjarjes me makinën e tij, të cilën e kishte përdorur në kryerjen e masakrës. Policia ka deklaruar se ka nisur kërkimet për kapjen e autorit të ngjarjes, por deri mbrëmë vonë nuk është dhënë asnjë detaj për emrin e tij. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, i riu grek kishte mësuar kombësinë e personave, të cilët i qëlloi me armë gjatë debatit që ndodhi pasi  makina kishte humbur kontrollin.

Vrasja
Analistët dhe mediat greke janë përpjekur dje ta justifikojnë krimin e ndodhur ndaj shqiptarëve me rrethanat e gjaknxehtësisë. Nga hetimi i ngjarjes dalin në pah elemente racizmi, për shkak se shtetasi grek ka qenë i qartë për kombësinë e kundërshtarëve dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes, duke marrë më pas armën të cilën e ka përdorur në kryerjen e veprës së rëndë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura