Nisin negociatat për paqen në Lindjen e Mesme

Jul 31, 2013 | 14:25
SHPËRNDAJE

Pas 3 vitesh ngërçi nisën me një darkë iftari bisedimet e paqes mes negociatorëve izraelitë dhe palestinezë. Së bashku me negociatorët, edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili e konsideroi moment shumë special ritualin e iftarit, tradicion i myslimanëve për muajin e Ramazanit. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se negociatorët izraelitë dhe palestinezë kanë si qëllim të arrijnë marrëveshjen përfundimtare gjatë këtyre nëntë muajve për t’i dhënë fund konfliktit. Ai shpjegoi se takimi mes dy palëve do të zhvillohet ose në Izrael, ose në territoret palestineze dy javët e ardhshme. Kryediplomati amerikan theksoi se të gjitha çështjet do të vendosen mbi tryezë. Jerusalemi mbetet çështja më themelore. Palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm. Izraeli kundërshton ndarjen e tij. Së dyti janë kufijtë, Izraeli kërkon të ruajë vendbanimet e mëdha hebraike, palestinezët kërkojnë kufijtë e 1967-s, por pranon ekzistencën e disa vendbanimeve, të cilat do të mbahen në shkëmbim territori. Pjesë e bisedimeve do të jenë edhe refugjatët palestinezë. Izraelitët kundërshtojnë të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer. Së katërti, siguria. Palestinezët kërkojnë atribute tërësore. Gjatë pesë muajve të fundit, Kerri ka zhvilluar gjashtë vizita zyrtare në Lindjen e Mesme në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezë. Më herët, Presidenti amerikanObama u takua me negociatoren izraelite, ministren e Drejtësisë, Tzipi Livni dhe shefin palestinez të procesit, Saeb Erakat në Shtëpinë e Bardhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura