Nis reforma zgjedhore, sot mbledhja e parë e Komisionit

Nov 30, 2011 | 9:32
SHPËRNDAJE

Komisioni i Reformës Zgjedhore do të zhvillojë sot mbledhjen e tij të parë, gati tri javë pasi u miratua ngritja e tij në Parlament.

Bashkëkryetarët e këtij komisioni, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Ilir Rusmali nga Partia Demokratike, kanë vendosur të thërrasin në mesditë komisionin, i cili, si objektiv të punës së tij do të ketë plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ ODIHR-i pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe 8 majit 2011. Burime pranë Komisionit bëjnë të ditur për gazetën se në mbledhjen e sotme do të caktohen ekspertët e forcave politike që do të punojnë në nivel teknik me ndryshimet e Kodit si dhe do të përcaktohet plani i punës për një periudhë tremujore. Javën e kaluar, në një mbledhje të partive të vogla, u kërkua me ngulm ndryshimi i sistemit nga proporcional rajonal në proporcional me korrektim kombëtar. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se “ne jemi kundër listave të mbyllura, sepse lisat e mbyllura dëmtojnë parlamentarizmin. Të gjendet rruga edhe për t’u dhënë mundësi votuesve që të zgjedhin jo vetëm partinë, por dhe kandidatët brenda forcave politike. Ka shumë hapësirë për të eliminuar të gjitha ato marifetet e të ashtuquajturit sistem spanjoll, i cili cenon barazinë e votës, kur këtë e garanton vetë Kushtetuta”. Ndërkohë, opozita ka shprehur qëndrimin e saj kundërshtues ndaj kërkesave të të vegjëlve sa u takon listave. Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi në Kosovë, është shprehur indirekt kundër listave të hapura. “Në selinë e LDK-së folëm për cilësinë e procesit zgjedhor. Miqtë e LDK-së i vlerësojnë të dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin elektronik”, shprehet Rama në Twitter, pas një takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Gjatë mbledhjes së sotme pritet të shihet edhe qëndrimi i demokratëve sa i takon sistemit zgjedhor dhe listave. Dje, zv.presidenti i Asamblesë së KiE-së, Jean-Claude Mignon kërkoi që forcat politike të hartojnë një draft të përbashkët për reformën zgjedhore. “Këshilli i Europës së bashku me Asamblenë e KEsë kanë punuar për arritjen e një konsensusi mes palëve dhe prishja e marrëveshjes tani do të ishte e papranueshme për demokracinë. Këshilla ime për reformën zgjedhore është diskutim, kjo është demokracia dhe parlamenti. Është e rëndësishme që nesër palët të arrijnë një draft të pranueshëm për të gjithë”, tha Jean-Claude Mignon pas takimit që zhvilloi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

VENDIMMARRJA NË KOMISIONIN E REFORMËS

“Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Maxhoranca parlamentare mirëpret propozimet e opozitës parlamentare, të bazuara në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në vendimin e miratuar nga Kuvendi.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura