Nis “Maria Kraja”, kryetar jurie drejtori i Teatrit të Vjenës

Oct 31, 2014 | 13:28
SHPËRNDAJE

Nga edicioni i shkuar i Festivalit Operistik “Maria Kraja”
Me një imazh të ri, të rikonceptuar dhe “rindërkombëtarizuar” vjen Festivali Operistik “Maria Kraja” në Tiranë.
Festivali, i cili shënon edicionin e tij të 14-të nis sot, për të vijuar nesër mbrëma në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke sjellë në skenë “yje të rinj” operistikë nga e gjithë bota. Gjatë prezantimit të festivalit ditën e djeshme para medias, drejtoresha dhe producentja e Festivalit, Zana Çela, vërejti se festivali këtë vit ka shumë elemente të ndryshuar dhe “do të jetë një spektakël më vete”. Para medias ishin të pranishëm edhe regjisori Pali Kuke, dirigjenti italian Leonardo Quadrini, si dhe 15 këngëtarët pjesëmarrës. Sipas regjisorit Pali Kuke, “struktura e festivalit këtë vit është ndryshe”. “Ky është edicioni i 14-të. Do të ishte i 16-ti, por shumë mirë, sepse ky ‘pushim’ ndihmoi për të rikonceptuar dhe mbledhur fuqitë e për ta risjellë më dinjitoz dhe të rindërkombëtarizuar”, vërejti Kuke, duke theksuar se sivjet, pjesë e festivalit janë vetëm dy shqiptarë dhe se kandidatët pjesëmarrës në festival kanë shumë trofe e çmime.
Dy orkestra dhe dy gara
Këngëtarët që do të marrin pjesë në edicionin e 14-të të “Maria Krajës” janë përzgjedhur mes 147 konkurrentëve që aplikuan dhe bënë audicion, nga shtete të ndryshme të botës. Mes konkurrentëve të seleksionuar është përzgjedhur vetëm një këngëtare nga Shqipëria, mexosopranoja Irida Dragoti dhe një soprano nga Kosova, Marigona Qerkezi. Gjermania, Franca, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Turqia janë vetëm disa nga pikëzimet gjeografike dhe operistike të pjesëmarrësve në Festivalin Ndërkombëtar “Maria Kraja”, por ajo çka i bashkon është cilësia vokale dhe artistike. Këngëtarët do t’u nënshtrohen dy garave: ajo e aries lirike, si dhe ajo e këngës legjendë me dy orkestra. Këngëtarët, shumica e të cilëve kanë krijuar emër me role kryesore në skenat e vendeve të tyre, vijnë për të provuar veten para një jurie prestigjioze ndërkombëtare. Juria kryesohet nga një prej figurave më eminente në fushën e Operës, pikërisht Dominique Meyer, drejtor i Përgjithshëm i Operës Shtetërore të Vjenës, nga Birgitta Svendsen, drejtoreshë e Operës Mbretërore Suedeze në Stokholm, Nikolas Payne, drejtor i Opera Europa në Bruksel, Myron Michailidis, dirigjent e drejtor i Operës Kombëtare Greke, Ununsan Kuloglu, koordinator i Përgjithshëm i Operës së Stambollit, Ilir Kerni, drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Suzana Frashëri, soprano, pedagoge në Universitetin e Arteve dhe Kastriot Tusha, tenor.
Ndërsa juria tjetër përbëhet nga 52 instrumentistët e TKOB. Çdo vit, Festivali Ndërkombëtar Operistik “Maria Kraja” sjell në Shqipëri yjet e rinj të operës botërore, të cilët e cilësojnë tashmë Festivalin e Shqipërisë si një stacion shumë të rëndësishëm në karrierën e tyre ndërkombëtare.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura