Nis acari, CEZ, ja zonat pa drita në Tiranë

Jan 31, 2012 | 15:16
SHPËRNDAJE

Në kohën kur pjesa më e madhe e Europës Lindore ka ndezur alarmin për gatishmërinë ndaj motit të ftohtë, edhe Europa Juglindore do ta ndiejë acarin rekord të këtyre ditëve. Vendi ynë pritet që në ditët e ardhshme të përfshihet nga vala e acarit dhe temperaturave që do të zbresin ndjeshëm. Por ky nuk është lajmi i vetëm i keq. CEZ nga ana tjetër lajmëron që këto ditë do të ketë kufizime të energjisë për shkak të remonteve. Kështu, ditën e djeshme, për shkak të dëmtimit të një transformatori, pa drita mbetën disa zona, ndonëse stakimet ishin të alternuara. Zonat e prekura për shkak të riparimit në nënstacionin Dinamo ishin Kodër-Institut, një pjesë e zonës pranë ish-kombinatit “Josif Pashko”, zona te shinat e Trenit, Babrru, Paskuqan, komuna Zall- Herr, Zona e Kodrës së Kuqe (Paskuqan). Por këto ndërprerje nuk do të mbarojnë me kaq. Gjatë ditës së sotme pritet që për tetë orë të ditës të ketë kufizime të energjisë në disa zona. “Zëvendësimi i transformatorit në nënstacionin Dinamo do të kryhet sot. Për këtë arsye, nga ora 10:00-18:00 do të ketë ndërprerje të energjisë për zonat: Kodër-Institut, zona pranë ish-kombinatit “Josif Pashko”, zona te shinat e trenit, Babrru, Paskuqan, komuna Zall-Herr, zona e Kodrës së Kuqe (Paskuqan), rruga “Jordan Misja”, një pjesë e rrugës “Siri Kodra”, Paskuqan dhe disa lagje në Bathore”, njofton kompania CEZ. Shpërndarja gjithashtu thekson se të gjitha këto ndërprerje të alternuara vijnë të detyruara, pasi duhet të bëhet riparimi i defektit në një nga nënstacionet kryesore në kryeqytet, siç është nënstacioni Dinamo. Në fakt, prej pak ditësh në vend nuk ka pasur kufizime të lajmëruara energjie, por duket se kufizimet do të vijnë tani njëkohësisht me motin e acartë, që po pushton sidomos Europën Lindore dhe atë Juglindore. Në përgjithësi, qytetarët shqiptarë kanë pasur kufizime të shpeshta në këtë dimër, kjo edhe për shkak të ngarkesave në rrjet, për të cilat OST kërkonte stakime.

Zonat me kufizime
Kufizimet nga ora 10:00-18:00

1.     Kodër-Institut
2.     Zona pranë ish-kombinatit Josif Pashko
3.     Zona te shinat e trenit
4.     Babrru, Paskuqan
5.     Komuna Zall-Herr
6.     Zona e Kodrës së Kuqe (Paskuqan)
7.     Rruga “Jordan Misja”
8.     Një pjesë e rrugës “Siri Kodra”
9.     Disa lagje në Bathore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura