Nipi vrau në Angli, atentat 49-vjeçarit

Oct 31, 2013 | 14:30
SHPËRNDAJE

Vritet me armë zjarri në pritë babai i pesë fëmijëve. Ngjarja ku viktimë mbeti 49-vjeçari Xhavit Lleshi, ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Rukaj, në vendin e quajtur Pujkë. Persona ende të paidentifikuar qëlluan të paktën 15 plumba mbi Lleshin, i cili po udhëtonte i vetëm nga fshati i lindjes drejt Burrelit. “Në afërsi të Urës së Kurvajës i është zënë pritë Xhavit Lleshit nga persona që më siguri kanë pasur informacion në lidhje me lëvizjet e tij. Teksa ai zbriste pranë urës, nga njëra anë e rrugës është qëlluar me breshëri mbi mjetin tip ‘Benz’, me të cilin lëvizte viktima”, bënë të ditur burime nga grupi hetimor. Plumbat që i përshkuan trupin, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme 49-vjeçarit. Mendohet se brenda pak minutave autorët janë strehuar në pyllin me dushqe ose mund të jenë larguar në drejtim të Rrëshenit me ndonjë automjet që kanë pasur me vete. Ngjarja e rëndë është mësuar afro gjysmë ore me vonesë, pasi në këtë rrugë nuk ka pasur lëvizje makinash. Sakaq breshëria e automatikut nuk është vlerësuar nga banorët afër Urës së Kurvajës, duke menduar se janë gjahtarë të zonës në pyllin me dushqe. Shoferi i një automjeti që udhëtonte nga Bruçi drejt Burrelit, ka parë mjetin që kishte devijuar nga rruga dhe është ndaluar. Sapo i është afruar makinës së Xhavit Lleshit, ai ka parë viktimën të mbuluar me gjak. Tentativa e tij për t’i dhënë ndihmën e parë rezultoi e kotë, pasi sapo është afruar, ka kuptuar se kishte ndërruar jetë. Ai sinjalizoi menjëherë Policinë për ngjarjen e rëndë. Blutë  mbërritën në vend rreth orës 08:30. Një pjesë e efektivëve nisën krehjen e pyllit mbi Urën e Kurvajës, ndërkohë një mjet tjetër u nis në drejtim të Rrëshenit, drejtim ku mendohet të ketë lëvizur mjeti i autorëve. Mësohet se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar të paktën 15 gëzhoja automatiku “Model 56”. Trupi i Lleshit është transportuar për në morgun e spitalit “Xhavit Mara” të Burrelit, ku është kryer autopsia. Grupi hetimor ka marrë në pyetje fëmijë të viktimës dhe persona të tjerë, që mendohet se kanë informacion në lidhje me ngjarjen. Por grupi hetimor rezervohet të sqarojë mbi deklarimet e marra. Po ashtu është shtuar bashkëpunimi me Komisariatin e Policisë Rrëshen dhe atë të Kurbinit, pasi mendohet se autorët ose janë nga këto zona, ose kanë lëvizur në territorin e këtyre rretheve. Burime të Policisë bënë të ditur se po hetohet në dy pista, mbi atë të një hakmarrjeje të mundshme dhe mbi problemet personale që mund të ketë pasur viktima. Tetë muaj më parë, persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri mbi Xhavit Lleshin. Drejtues të Policisë u shprehën se ngjarja mund të ketë lidhje me vrasjen e një matjani në Londër nga djali i vëllait të viktimës së djeshme, Arben Lleshi. Dyshohet se të afërmit e emigrantit të vrarë dhe djegur në Angli të jenë hakmarrë për ngjarjen. Nuk ka ende të dhëna nëse ata janë marrë në pyetje, pasi sipas burimeve të Policisë familja e emigrantit të vrarë nuk jeton në Mat.

Afrim Hoxha u grabit e u vra në Londër
Në prill të vitit 2012, Arben Lleshi, 28 vjeç, djali i vëllait të viktimës së djeshme, Xhavit Lleshi, akuzohet se ka vrarë jashtë vendit Afrim Hoxhën. Ai u arrestua më 10 prill 2012 dhe është dënuar më vonë nga drejtësia angleze me burgim të përjetshëm. Dënimi është dhënë qershorin e këtij. Afrim Hoxha u gjet nga policia i vrarë në ndenjësen e pasme të mjetit. Policia londineze ka sqaruar se fillimisht Afrim Hoxha është grabitur, më pas është vrarë me armë zjarri dhe makinës tip “Benz Mercedes” i është vënë flaka për të humbur gjurmët e krimit. Ngjarja u zbulua nga kamerat e vendosura në rrugën ku ndodhi krimi. Të afërmit e Hoxhës kanë paralajmëruar se do të hakmerreshin për këtë vrasje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura