Nikoliç-Çaço, Tirana, “pazar” te Luftëtari

Apr 30, 2013 | 12:29
SHPËRNDAJE

Nëse deri dje janë përfolur vetëm emrat që mund të largohen, tashmë Tirana ka nisur të mendojë edhe për afrimet. Milan Nikoliç dhe Ervis Çaço janë dy futbollistët e parë, që përfliten për merkaton e 24 herë kampionëve të vendit. Të dy janë lojtarë të Luftëtarit, ekip që në fillim të këtij sezoni është drejtuar nga Nevil Dede. Të dy mesfushorët janë njohje të vjetra për trajnerin e bardhebluve, ndaj një akord i mundshëm gjatë muajve të verës, kur hapet zyrtarisht edhe merkatoja, do të ishte totalisht i mundshëm. Pasi skuadra e Luftëtarit ka prerë matematikisht “biletën” për të rënë një kategori më poshtë, pritet që nga kampi gjirokastrit të ketë largime, sidomos të lojtarëve jabanxhinj. Kjo sigurisht që u ka hapur një mundësi skuadrave të tjera për të “peshkuar” ndonjë element që mund të bëjë diferencën. Bisedimet e para tashmë kanë nisur. Madje, nga sa mësohet, trajneri i skuadrës kryeqytetase ia ka shprehur hapur interesin mesfushorit beratas për ta afruar në ekip sezonin e ri. Mirëpo në planet e tij është edhe ai serb, Milan Nikoliç, të cilin Dede jo vetëm e ka pasur futbollist, por edhe shok ekipi, kur kanë luajtur në Kinë. Megjithatë, gjithçka është në fazën paraprake të tratativave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura